Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare 2026, me të cilin ndahen mbi 901 miliardë dollarë për shpenzime ushtarake përfshirë këtu 800 milionë dollarë për Ukrainën dhe 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.
Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që ditë më parë u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan, përfshihet edhe Kosova.
Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon.
Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.
Në ligj potencohet vazhdimi i mbështetjes së SHBA-ve për marrëveshjen gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve.
Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.
Në ligj i kërkohet sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, që të nxisë iniciativa për zhvillim demokratik dhe ekonomik, përfshirë zgjatjen e ndihmës teknike në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, të forcojë strategjitë kombëtare ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin politik, veçanërisht në gjyqësor, organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike si dhe të promovojë rolin e mediave të pavarura në luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu, Kosova përfshihet edhe në masat për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor derisa do të përfitojë edhe nga mbështetja amerikane për sigurinë kibernetike.