Connect with us

Kosovë

Prokuroria në Prizren thotë se të dyshuar të tjerë po intervistohen mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.

Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.

Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.

Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.

Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.

Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.

Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.

Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.

Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Me kërkesa për dorëheqje dhe përgjegjësi penale mbahet protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka filluar protesta e organizuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nga ish-kunati i saj.

Me pankartat dhe thirrjet ““Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe familjarët e të ndjerës, marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës me kërkesë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjithë zinxhirin institucional që nuk trajtuan si duhet rastin e Arlinda Zekajt.

Para Ministrisë së Drejtësisë ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka publikuar një video të arrestimit të Albert Sylës, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit.

Continue Reading

Kosovë

Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Qartazi ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt qartazi shihet se ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mbajtur më 28 tetor, Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe”.

“Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.

Në orët e vona të 27 tetorit, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan dorasin e dyshuar, kunatin e Zekajt.

Ajo u vra pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi kishte raportuar në polici dhunë në familje nga ish-bashkëshorti i saj.

Kurti tha se në Kosovë, drejtësia “fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia ka dalë në krahun e të fortit”. Sipas tij, drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër.

“Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha ai.

Kurti kujtoi se për rastin e Zekajt, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë afat deri nesër në orën 18:00 të paraqesin raportet e tyre të detajuara mbi evidencat dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.

Gjatë ditës, është thirrur një protestë për vrasjen e Zekajt, e cila është gruaja e tetë që vritet gjatë këtij viti.

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Ajo i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.

Autoritetet më vonë kishin lëshuar urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.

Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.

Dy ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj përmes një letre i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.

Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Gjenden mbetje mortore në veri, dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të luftës në Kosovë

Published

on

Në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut janë gjetur mbetje mortore eshtërore më 27 tetor, që dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimet vlerësuese në një lokacion brenda hapësirës së varrezave të besimtarëve myslimanë në Mitrovicë të Veriut janë vazhdimësi e gërmimeve që janë kryer më 20 tetor të këtij viti.

Sipas tij, mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme, përfshirë analizat e ADN-së, “me qëllim të përcaktimit të identitetit”.

Limani nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur tha se varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore dhe “konsiderojmë se lokacioni do të mbetet me interes për verifikime dhe veprime të mëtejshme në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”.

Gërmimet dhe gjetja e mbetjeve mortore në Mitrovicë të Veriut vijnë pasi në Zubin Potok – po në veri të Kosovës – u gjetën tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 personave.

Autoritetet veçse kanë identifikuar tri viktimat e para dhe ata i përkasin “Grupit të Intelektualëve”.

Grupi prej 23 “intelektualëve” ishte një grup shqiptarësh, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut më 19 prill të 1999-ës.

Kosova veçse ka arrestuar disa persona lidhur me vrasjen e civilëve që lidhen me “Grupin e Intelektualëve”.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending