Connect with us

Kosovë

Osmani anulon shkuarjen në Munih, Kurti sinjalizon gatishmërinë për diskutime për presidentin

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.

Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Paraprakisht ishte raportuar se përveç Osmanit, në këtë konferencë do të merrnin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

Vendimi i marrë nga Osmani vjen një ditë pasi Kosova është bërë me Qeveri të re në krye me Albin Kurtin.

Qeveria është zgjedhur më 11 shkurt, në të njëjtën ditë që është konstituuar Kuvendi i Kosovës.

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mbledhjen e mbajtur në paraditen e së enjtes se pas votimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë fokusi kthehet te çështja e pozitës së presidentit.

“Sa të përfundohen këto [marrëveshjet], jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Ende nuk dihet nëse emri i saj do të propozohet në Kuvend dhe nëse do t’i ketë vojtat e nevojshme.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, presidentja Osmani ka thënë se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, nominoi Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke ia dërguar emrin Senatit amerikan për konfirmim.

Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, më 10 nëntor.

Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Kush është Mikhail Bogachek?

Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.

OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.

Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.

Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.

Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.

Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.

Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.

Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.

Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.

Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.

SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Kosovë

Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, ish-partnerit të së ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra me 18 maj të vitit 2011.

Aktakuza në mungesë është ngritur më 22 tetor të këtij viti, pasi i akuzuari ndodhej në Spanjë e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj autoritetet e kishin të pamundur ekstradimin e tij.

Sipas aktakuzës, fillimisht viktima ka raportuar tek autoritetet se nga ish-bashkëjetuesi me të cilin kishte një fëmijë, për dy vite kishte përjetuar maltretim fizik dhe psikik.

Më pas, sipas pretendimeve të viktimës, për shkak të kërcënimeve nga i akuzuari ajo kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë urdhër për mbrojtje emergjente. Edhe pse Gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve, kjo kërkesë e viktimës nuk u realizua asnjëherë.

Pas 22 ditësh, saktësisht më 18.05.2011, Dijana Kastrati pretendohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga tashmë i akuzuari Adnan Jashari.

Afërsisht një vit pas rastit, prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me mos veprimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për vendosjen e urdhrit për mbrojtje emergjente, vajzës së tyre i është cenuar e drejta themelore për jetë.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Komunale në Prishtinë kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente. 

Më pas, Gjykata e Apelit e Kosovës vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, si kompensim për dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore.

Continue Reading

Trending