Connect with us

Kosovë

Jakup Krasniqi: Më janë mohuar të drejtat e njeriut

Published

on

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e nisi fjalimin e tij përmbyllëse duke thënë se “tërë jetën time e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri”.

“Qëndroj para jush jo si një kriminel siç më paraqet aktakuza e Prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëz, në një popull që refuzoi që të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, 75 vjeç, e akuzoi Gjykatën Speciale se ia ka mohuar të drejtat e tij duke e mbajtur në paraburgim nga viti 2020.

“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fundin e fazës së jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha ai.

“Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt, pa ia rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time”.

Krasniqi i mohoi akuzat e Prokurorisë lidhur me të, duke thënë se i janë veshur role, autoritet dhe përgjegjësi “që nuk i kam pasur kurrë”.

“Kjo është shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e Prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush”, tha Krasniqi.

“Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që m’u atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO-ja dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë përkrah terroristëve”, nënvizoi ai.

Ai nguli këmbë se veprimet e tij dhe ato të UÇK-së, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, i “dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar”.

“Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht”, përfundoi ai.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Katër të plagosur pas të shtënave në Podujevë

Published

on

Katër persona janë plagosur në Podujevë pas një përleshjeje të armatosur në qendër të këtij qyteti, thanë autoritetet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se motivi i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje paraprake, ndërsa të dyshuarit kanë lidhje familjare.

“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare [nip dhe dajë], ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Tre nga të plagosurit ishin të përfshirë në të shtënat me armë zjarri, ndërkaq një tjetër ishte kalimtar rasti.

Të përfshirët në përleshjen e armatosur dyshohen për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, tha organ i ndjekjes.

Të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konfirmoi më herët gjatë ditës Enis Pllana nga Policia e Kosovës.

Ata kanë pësuar plagë të rënda, por gjendja e tyre shëndetësore “është stabile për momentin”, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

Të shtënat u raportuan në orën 13:30 të së enjtes.

Policia e Kosovës tha se po ndërmerre veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Në Kosovë llogaritet se në duart e qytetarëve janë mijëra armë zjarri pa leje.

Ekspertët kanë argumentuar se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Regjistrohet një tërmet prej 3.8 ballësh në kufirin Kosovë – Serbi

Published

on

Mëngjesin e sotëm është regjistruar një tërmet prej 3.8 ballësh në kufirin Kosovë – Serbi.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiano-Mesdhetare për Sizmologji, epiqendra e tërmetit të regjistruar në ora 09:46,  ishte 9 kilometra në jug të Leskocit dhe në thellësi 5 kilometra.

Lëkundjet janë ndier në shumë qytete në Serbi dhe Kosovë. Deri tani nuk është raportuar për dëme materiale.

Continue Reading

Kosovë

Gjykata shqipton dëbim, ndalim hyrjeje në Kosovë dhe gjoba për të ndaluarit në Gazimestan

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.

Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.

Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, por para gjykatës u proceduan 36 prej tyre. Ata janë kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit dhe të ndaluarve u ishin konfiskuar dokumentet personale deri në shpalljen e aktgjykimit.

Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.

Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.

Ajo theksoi se Policia e Kosovës, para fillimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, i kishte paralajmëruar të pranishmit se ishte e ndaluar shfaqja e çdo simboli që nxit “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.

Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikologjikisht dhe fizikisht” nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i hetojnë këto pretendime, ato sipas detyrës zyrtare, megjithëse thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me ngjarjet në Gazimestan.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka dënuar ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke e vlerësuar këtë si një “akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending