Gjykata Themelore në Ferizaj caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për dy zyrtarët e KEDS-it të cilët dyshohen për ryshfet.
Kjo pasi, gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën e Prokurorisë themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B dhe E.K. të cilët janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës, për pranim të ryshfetit.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt mes tjerash bëhet e ditur se të arrestuarit dyshohen për veprën penale pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t`i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër personave, me ç`rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës.