Connect with us

Kosovë

Mbrojtja e Thaçit në Hagë: Dëshmitarët e kanë bërë vetë publike ftesën për dëshmi

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit nisi të hënën të marrë në pyetje dëshmitarin e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

Dëshmitari, i cili kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si i ftuari i parë i Prokurorisë në këtë rast, u mor në pyetje nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon. Në gjykatore u bë e ditur se ai është pjesë e stafit të Prokurorisë.

Seanca, që nisi në orën 9:30, herë pas here kaloi në pjesë të mbyllura për publikun.

Gjatë seancës, Menegon u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në rastin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar.

Si shembull ajo përmendi Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, për të cilin tha se kishte deklaruar vetë në media se ishte ftuar për të dëshmuar në Hagë.

Dëshmitari i Prokurorisë tha se Remi nuk ishte vendosur nën masa mbrojtëse, pasi është figurë publike dhe ka folur më herët publikisht për këto çështje.

Në seancën e 27 shkurtit, i pyetur për procedurat, ai kishte thënë se dëshmitarët zakonisht udhëtojnë për në Hagë 7–10 ditë para datës së dëshmisë, për t’u përgatitur duke analizuar deklaratat e mëhershme dhe materiale të tjera. Sipas tij, dëshmitarët kanë të drejtë të korrigjojnë ose ndryshojnë dëshminë e tyre.

Sipas aktakuzës, për disa muaj gjatë vitit 2023, të akuzuarit kanë ndërhyrë në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në seancën paraprake, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në deklaratën hyrëse, Prokuroria ka thënë se Thaçi ka udhëhequr tri grupe në përpjekje për të ndikuar dëshmitarë të caktuar në rastin e parë kundër tij.

Ajo ka deklaruar se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime të realizuara në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku pretendohet se Thaçi udhëzon të akuzuarit që të ndikojnë që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe të mbrojtur, të ndryshojnë dëshminë e tyre.

Prokuroria ka thënë gjithashtu se te disa nga të akuzuarit janë gjetur materiale që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.

Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Në këtë rast, nga java e kaluar, janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse, gjatë të cilave mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që të katërtit të shpallen fajtorë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

Njoftimi i sotëm vjen në ditën kur Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë, ndërsa pritet edhe një protestë që do të adresojë, sipas organizatorëve, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohen dy persona dhe konfiskohen mbi 50 kg marihuanë

Published

on

Pas hetimeve disa mujore lidhur me rastin e koduar “MALI”, Policia e Kosovës ka arrestuar personat me inicialet B.A.(1988) dhe S.H. (1974),  të dyshuar për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe ka konfiskuar 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Sipas njoftimit, arrestimi ka ndodhur më 16.10.2026 në Gjilan.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë zhvilluar nën dyshimin se persona të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’, gjegjësisht janë duke bërë përgatitjet për transport jashtë vendi të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objekte përcjellëse. Gjatë kontrollit, në njërën prej veturave (në bagazh) është gjetur dhe konfiskuar substancë,- dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me vlerë në tregun vendor rreth 80,000 (tetëdhjetë mijë) euro.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë:

• 53 kilogramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë;

• 2 telefona mobil dhe

• 2 automjete me targa vendore.

Operacioni është mbështetur në terren nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) – Gjilan, si dhe nga Njësia e Forenzikës Rajonale Gjilan, e cila ka bërë fotografimin, evidentimin dhe tërheqjen e dëshmive nga vendi i ngjarjes.”

Të dyshuarit pas intervistimit në prezencë të avokateve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria interviston Gani Gecin dhe Lirim Mehmetajn

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka intervistuar Gani Gecin në cilësinë e të dyshuarit dhe Lirim Mehmetajn në cilësinë e të dëmtuarit lidhur me rastin e dyshimit për kanosje.  

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

#

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending