Connect with us

Kosovë

KE-ja konfirmon heqjen e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës

Published

on

Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.

Gjatë debatit që është zhvilluar për raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ai.

Gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian është shprehur keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik me të cilin u përball vendi gjatë gjithë vitit 2025.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se paraliza politike në të cilin ishte Kosova kishte pasoja edhe në procesin reformues.

“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka qartësisht fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, tha raportuesi Terras.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

Atëbotë pati edhe përplasje mes protestuesve serbë me forcat e sigurisë, përfshirë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian është përmendur edhe marrëveshja për zbatimin e Ligjit për të huajt.

“Fundjavën e kaluar në Prishtinë, falë lehtësimit të BE-së, u gjet një rrugë përpara për zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë. Ne i mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Kosova në lidhje me ruajtjen e sundimit të ligjit. Kjo do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të vazhdojnë të banojnë, studiojnë dhe punojnë në Kosovë ligjërisht, sipas ligjit të Kosovës”, deklaroi Anne Kempainen nga Shërbimi i Jashtëm Evropian.

Sipas përfaqësuesve evropianë, kjo marrëveshje është edhe një dëshmi se dialogu sjell rezultate.

Më 14 mars, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet, që ka nisur të zbatohet nga 15 marsi.

Ligjet për të huajt dhe për automjete nisën të zbatohen pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi kanë hyrë në fuqi plotësisht.

Ligji u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.

Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.

Këto lehtësira janë mirëpritur nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe nga Serbia.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Policia paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve të rrejshme

Published

on

Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës.

Një mesazh i tillë i rremë, kinse për konfiskim të pajisjeve kompjuterike dhe hetim lidhur me krimet për pornografi të fëmijëve me kërkesë për paraqitje para organeve të drejtësisë është hasur në qarkullim nga zyrtarët e policisë.  

Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t’iu përgjigjen kërkesave të tilla.

“Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

#

Continue Reading

Kosovë

Ndërroi jetë humanistja Flora Brovina

Published

on

Ka  ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare humanistja Flora Brovina.

E ndjera ishte aktiviste për të drejtat e njeriut, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ish e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Partisë Demokratike si dhe ishte nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Flora Brovina  u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj derisa  shkollimin e kreu në Prishtinë. Studimet për mjekësi i kreu në Beograd dhe Prishtinë ndërsa specializimin për pediatri e kreu në Zagreb.

Pas kthimit në Kosovë, ajo punoi si gazetare për gazetën “Rilindja”, përpara se të shërbente për shumë vite në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Në vitin 1992 ajo themeloi Lidhjen e Grave Shqiptare të Kosovës.

Si aktiviste, më 20 prill 1999,  Brovina Brovina u rrëmbye me forcë nga shtëpia e saj prej policisë civile serbe. Në dhjetor të po këtij viti, u transferua në një burg në Serbi dhe më pas u dënua me 12 vjet burg, por pas presionit ndërkombëtar u lirua në nëntor të vitit 2000.

Përveç mjekësisë dhe politikës, Flora Brovina ishte një poete e njohur dhe anëtare e komunitetit letrar. Poezia e saj shquhet për ndjeshmërinë lirike dhe temat e lidhura me fatin e gruas, amësinë, lirinë dhe vuajtjet e luftës. Veprat e saj “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995), janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, përfshirë botimet në anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht.

Për qëndresën dhe guximin e saj, asaj iu nda çmimi prestigjioz për lirinë e të shkruarit nga PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award në vitin 2000.

Flora Brovina ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mandate ndërmjet viteve 2001 dhe 2019.

Continue Reading

Kosovë

PDK-ja e kundërshton në Kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë së re

Published

on

Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kërkuar gjykatës më të lartë të vendit ta shqyrtojë nëse Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, duke thënë se ajo u votua nga një Kuvend i “pa konstituuar”.

Kuvendi i Kosovës e votoi Qeverinë e re duke e zgjedhur Albin Kurtin kryeministër për herë të katërt të dielën, pak orë pasi ishte konstituuar legjislatura e 11-të mes polemikave dhe akuzave për shkelje kushtetuese gjatë procesit.

Deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, iu drejtuan të martën Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për ta vlerësuar votimin, një ditë pasi i kërkuan asaj të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit.

“Sot e kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, sepse ne konsiderojmë sepse Kuvendi është konstituuar duke e shkelur Kushtetutën”, tha Gruda për media.

Ai nguli këmbë se “një Kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese” nuk mund ta zgjedhë një qeveri kushtetuese.

“Argumentet tona janë profesionale dhe deri në fund kushtetuese dhe jemi të bindur se do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi Gruda.

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë se në konstituimin e Kuvendit pati shkelje të Kushtetutës dhe se një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mundë ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.

Si u konstituua Kuvendi?

Kuvendi u shpall i konstituuar të dielën paradite, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe komuniteteve pakicë.

Kryetarja dhe nënkryetari i parë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ishin zgjedhur në seanca të mëparshme të mërkurën dhe premten, përkatësisht.

PDK-ja nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, kur LVV-ja nuk ia kishte votuar në seancën e të premtes.

LVV kishte thënë të shtunën vonë se do ta votonte Çitakun. Por, PDK nuk pranoi të merrte pjesë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, dhe e vazhdoi procesin.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Disa orë më vonë, Kuvendi u mblodh sërish dhe e zgjodhi Qeverinë e re, në një seancë të braktisur nga PDK, Aleanca dhe LDK.

PDK-ja argumenton se pushteti e shkeli Kushtetutën duke shpërfillur afatet kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

Ajo pretendon se është shkelur afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Një aktgjykim i vitit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.

Sipas Hasanit, konstituimi i Kuvendit të dielën “nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese” të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.

“Nuk do të ishte profesionale që gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës”, tha Hasani.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending