Connect with us

Botë

Zvicra konfirmon shtyrjen e bisedimeve SHBA-Iran

Published

on

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në resortin malor të Burgenstokut nuk do të zhvillohen siç ishin planifikuar, tha Ministria e Jashtme zvicerane përmes një njoftimi të premten.

“Bisedimet e planifikuara mes SHBA-së, Iranit, Katarit dhe Pakistanit janë shtyrë”, u tha në njoftim.

“Zvicra mbetet e gatshme të lehtësojë këto bisedime. Puna përgatitore në Burgnstok po vazhdon. Aktualisht nuk mund të ofrohen informacione të tjera”, u shtua.

Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Zvicër, ku parashihej që të takohej me negociatorët iranianë për të nisur bisedimet për një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës.

Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance.

Duke përmendur çështje “logjistike”, Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka shtyrë udhëtimin e tij për në Zvicër për bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, që ishin paraparë të mbaheshin më 19 qershor.

Bisedimet e 19 qershorit u parapanë të nisnin dy ditë pasi presidentët e të dyja shteteve nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

“Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, raportoi AFP-ja në orët e vona të 18 qershorit.

“Deri tani, nënpresidenti nuk do të niset sonte. Presim me padurim që të fillojmë bisedimet teknike sa më shpejt të jetë e mundur”.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim raportoi se “asgjë nuk është konfirmuar” lidhur me udhëtimin e delegacionit të Teheranit në Zvicër.

Mediat iraniane cituan raportime të pakonfirmuara sipas të cilave Teherani ka shtyrë dërgimin e ekipit negociator për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, nënshkruan më 17 qershor një marrëveshje kornizë që synon t’i japë fund luftës gati katërmujore.

Sipas marrëveshjes fillestare, Teherani dhe Uashingtoni kanë 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e cila përfshin kufizime ndaj programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Republikës Islamike. Marrëveshja përfshin po ashtu kërkesën e Iranit që Izraeli të ndalë sulmet në Liban.

Në një konferencë për media më 18 qershor, nënpresidenti Vance u tha gazetarëve se afati 60-ditor për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis SHBA-së dhe Iranit kishte filluar tashmë.

“Mund të them se periudha 60-ditore zyrtarisht nis sot”, tha Vance.

Fillimisht ishte propozuar që ceremonia e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimt të mbahej më 19 qershor në Gjenevë, ku pritej që nënpresidenti amerikan, JD Vance, të merrte pjesë në emër të SHBA-së, së bashku me diplomatë të lartë nga të dy vendet.

Megjithatë, Trump dhe Pezeshkian nënshkruan papritur memorandumin e mirëkuptimit në mënyrë digjitale më 17 qershor.

Më pas, vëmendja u përqendrua te bisedimet teknike që pritet të zhvillohen në Gjenevë, ku negociatorët do të përpiqen ta shndërrojnë memorandumin e mirëkuptimit në një plan të detajuar zbatimi.

“Takimi këtë fundjavë në Zvicër do të jetë mjaft kritik”, tha një zyrtar i lartë amerikan, duke shtuar se çdo dështim i njërës palë për të përmbushur pritjet duhet të bëhet i dukshëm “brenda ditësh ose javësh, e jo muajsh”.

Lufta nisi pasi SHBA-ja dhe Izraeli filluan fushatën ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt. Më pas, palët arritën një armëpushim të brishtë në prill. Presidenti amerikan ka thënë se Irani nuk do të ketë një armë bërthamore, teksa së voni ka paralajmëruar se nëse Republika Islamike nuk “sillet mirë” ai mund të rinisë sulmet.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Trump falënderon Kosovën për kontributin me trupa në Bordin e Paqes

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën për kontributin e saj në Bordin e Paqes – nismës së udhëheqësit amerikan për arritjen e paqes në botë.

“Dua të falënderoj ato shtete që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa, e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, tha Trump gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit të tij, Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë edhe në kontekstin e ndaljes së një lufte, duke deklaruar se i kërcënoi këto dy shtete se do të ndalte tregtinë e tyre me SHBA-në nëse do të shpërthente lufta.

Edhe në të kaluarën, Trump ka përmendur ndaljen e një përplasjeje të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në misionin në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Më 7 shtator, Kosova u bë formalisht pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), pasi u nënshkrua marrëveshja formale për t’u bërë pjesë e kësaj force.

Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, u tha në deklaratën e Bordit të Paqes.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë miratimi nga Kuvendi për dërgimin e FSK-së jashtë vendit dhe marrëveshjes për anëtarësim në Bordin e Paqes, si dhe autorizimit për dërgimin e tyre në Gazë nga Presidenca.

Ndërkaq, në prill një ekip i FSK-së shkoi në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.

Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.

Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

Published

on

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.

Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.

Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.

Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.

Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.

Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending