Connect with us

Kosovë

Kosova sekuestron asete në vlerë prej 1 milion eurosh të një rrjeti të trafikimit të drogës

Published

on

Autoritetet e Kosovës njoftuan se më 30 qershor zhvilluan një operacion, në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare, duke sekuestruar asete në vlerë prej 1 milion eurosh.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se operacioni u realizua në kuadër të një hetimi për pastrimin transnacional të parave të nxjerra nga trafikimi i drogës. Në të u përfshin autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuara nga Europol dhe Eurojust.

Prokuroria Speciale tha se bazuar në analizat e materialit të sekuestruar nga autoritetet italiane, u bë e mundur që të identifikoheshin llogaritë bankare, interesat e biznesit, pasuritë e paluajtshme dhe automjetet me vlerë të lartë në pronësi të një çifti të martuar shtetas të Kosovës, që banojnë në Itali.

“Çifti, i cili është nën hetim penal në Itali me dyshimin për pastrim parash, u arrestua në Francë në shtator 2025. Policia kishte zbuluar më shumë se 56 kilogramë shufra ari dhe 2.5 milionë euro të fshehura brenda në ndarjeje të modifikuar të dy automjeteve”, u tha në njoftim.

Në njoftim u tha se në shtator të vitit të kaluar ishin sekuestruar të ardhura të tjera nga veprimet kriminale që kapnin vlerën e mbi 30 milionë eurove.

“Këto asete ishin të lidhura me një rrjet kriminal transnacional të angazhuar në pastrimin e të ardhurave të gjeneruara nga trafikimi i drogës në Francë nga individë të lidhur me grupe kriminale në Francë”, u tha në njoftimin e përbashkët të lëshuar nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.

Sipas autoriteteve, konvertimi i parave të gatshme në ar shërbeu për një qëllim të dyfishtë: fshehjen e origjinës së paligjshme të të ardhurave kriminale dhe lehtësimin e fshehjes dhe transportit të tyre ndërkufitar, veçanërisht në Kosovë, Turqi dhe Marok.

Në shtator të vitit 2025, autoritetet italiane dhe franceze kishin njoftuar se kishin shkatërruar një rrjet të udhëhequr nga sirianët të cilët u tha se pastronin para nga trafikimi i drogës në Itali dhe Francë, duke i shndërruar paratë e gatshme në shufra ari.

Ari më pas u transportua në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Turqi dhe Marok.

Në atë kohë, Italia arrestoi pesë persona dhe sekuestroi 17 milionë euro, ndërkaq edhe autoritetet franceze kishin kryer arrestime.

Sipas prokurorëve italianë, gjatë më shumë se gjashtë muajve, të dyshuarit mblodhën më shumë se 17 milionë euro nga fitimet e drogës, kryesisht në Francë, dhe transportuan paratë në automjete drejt një zone pranë Piedmontit në Itali, që gjendet në kufi me Francën.

“Aty, në bashkëpunim me tre biznese për shkrirjen e metaleve të çmuara në Piedmont dhe Lombardi, paratë u shndërruan në shufra dhe fleta ari në vlerën e njëjtë monetare”, u tha në njoftimin e prokurorëve italianë më 23 shtator 2025.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.

Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Continue Reading

Kosovë

Sot nga ora 16:00 mbahet marshi protestues “Jo në emrin tim!”

Published

on

Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.

Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.

#

Continue Reading

Trending