Connect with us

Kosovë

Senatorja Joni Ernst në Kosovë, Kurti kërkon prani të përhershme amerikane në Bondsteel

Published

on

Senatorja amerikane Joni Ernst po qëndron për vizitë në Kosovë, ku më 11 gusht është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.

Haxhiu tha se me senatoren republikane nga Ajova ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Haxhiu shkroi në Facebook se Ernst është një mike e dëshmuar e Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ernst po e viziton Kosovën në një kohë të ngërçit institucional, pasi partitë politike dështuan ta konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të qershorit, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa vendi ka një ushtruese të detyrës së presidentes dhe një kryeministër në detyrë.

Deri në publikimin e këtij lajmi, senatorja Ernst nuk kishte bërë deklarata publike për përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Haxhiu njoftoi se e ka dekoruar Ernstin me Medaljen Presidenciale të Meritave për, siç tha, kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan.

Gjatë vizitës, Ernst u takua edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti e informoi senatoren për zhvillimet ekonomike dhe situatën e sigurisë në Kosovë, ndërsa ritheksoi qëndrimin e Qeverisë se Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në një prani të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.

Sipas Kurtit, një prani e tillë do të kontribuonte në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe do të shërbente si bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.

Kurti dhe Ernst diskutuan gjithashtu për situatën politike në Kosovë dhe, sipas njoftimit, për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve ndërmjet partive parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.

Gjatë së martës, Ernst vizitoi edhe selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Camp Film City në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i misionit, Ulutash.

KFOR-i njoftoi për takimin, por nuk dha hollësi për temat e diskutuara.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar një ditë më herët për mbërritjen e Ernstit në Kosovë. Sipas Ambasadës, ajo mori pjesë në takime në selinë diplomatike amerikane dhe vizitoi Manastirin e Graçanicës, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjatë vizitës në Graçanicë, Ernst u takua edhe me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, sipas njoftimit të Dioqezës Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.

Dioqeza tha se Teodosije i ka shprehur senatores shqetësime lidhur me pozitën e komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe me zhvillimet e fundit të sigurisë.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe për fillimin e integrimit gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, si dhe për situatën në urën mbi Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, si dhe “integrimin gradual” të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Teodosije ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në këto zona, duke argumentuar se niveli i besimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve mbetet i ulët.

Ernst e kishte vizituar Kosovën edhe në vitin 2021. Në një intervistë të atëhershme për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte shprehur mbështetje për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt një ushtrie, për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo kishte paralajmëruar gjithashtu për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Kosovë

Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, ish-partnerit të së ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra me 18 maj të vitit 2011.

Aktakuza në mungesë është ngritur më 22 tetor të këtij viti, pasi i akuzuari ndodhej në Spanjë e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj autoritetet e kishin të pamundur ekstradimin e tij.

Sipas aktakuzës, fillimisht viktima ka raportuar tek autoritetet se nga ish-bashkëjetuesi me të cilin kishte një fëmijë, për dy vite kishte përjetuar maltretim fizik dhe psikik.

Më pas, sipas pretendimeve të viktimës, për shkak të kërcënimeve nga i akuzuari ajo kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë urdhër për mbrojtje emergjente. Edhe pse Gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve, kjo kërkesë e viktimës nuk u realizua asnjëherë.

Pas 22 ditësh, saktësisht më 18.05.2011, Dijana Kastrati pretendohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga tashmë i akuzuari Adnan Jashari.

Afërsisht një vit pas rastit, prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me mos veprimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për vendosjen e urdhrit për mbrojtje emergjente, vajzës së tyre i është cenuar e drejta themelore për jetë.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Komunale në Prishtinë kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente. 

Më pas, Gjykata e Apelit e Kosovës vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, si kompensim për dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore.

Continue Reading

Kosovë

Tre të arrestuar në Kosovë në aksionin ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime

Published

on

Tre persona u arrestuan në Kosovë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar kriminal, që u premtonte njerëzve fitime të shpejta përmes platformave të rreme të investimeve në internet.

Skema dyshohet se ka pasur viktima në të paktën 50 vende, ndërsa humbjet financiare të identifikuara nga hetuesit tejkalojnë katër milionë euro, sipas agjencisë evropiane të policisë, Europol.

Në Kosovë, Policia bastisi më 3 nëntor pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit të organizuar kriminal, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Operacioni përfshiu edhe Shqipërinë, Qipron, Finlandën, Gjermaninë, Izraelin dhe Maqedoninë e Veriut.

Në total, autoritetet kontrolluan 17 lokacione dhe sekuestruan mbi 100 serverë, si dhe prova e pasuri të tjera.

Europol-i raportoi, gjithashtu, për shtatë persona të arrestuar me qëllim ekstradimin në Gjermani, por nga njoftimet zyrtare nuk është e qartë nëse në këtë numër përfshihen edhe tre personat e arrestuar në Kosovë.

Si funksiononte mashtrimi?

Gjithçka niste me një reklamë në internet që premtonte fitime të mëdha dhe të shpejta nga investimet në kriptovaluta, aksione apo valuta të huaja.

Personat që shfaqnin interes, drejtoheshin në platforma që dukeshin si faqe të ligjshme investimesh.

Të dhënat e tyre personale më pas u shiteshin grupeve kriminale që operonin qendra të thirrjeve.

Prej aty, persona që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë, i kontaktonin dhe i bindnin të investonin.

“Viktimat fillimisht nxiteshin të transferonin një shumë të vogël. Më pas, llogaritë e tyre në internet shfaqnin fitime fiktive, duke krijuar përshtypjen se platforma ishte e besueshme dhe investimi i suksesshëm”, shpjegon Europol-i.

Të bindur se po fitonin, viktimat nxiteshin të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha, shpesh nën presion të vazhdueshëm psikologjik.

Problemi shfaqej kur kërkonin t’i tërhiqnin paratë.

Operatorët gjenin arsyetime për t’i shtyrë pagesat, derisa në fund ndërprisnin çdo kontakt.

Çfarë lidhjeje kishte Kosova me rrjetin?

Hetuesit dyshojnë se pas platformave mashtruese qëndronte një kompani që vepronte nga Qiproja dhe Izraeli dhe që furnizonte grupe kriminale me faqe të rreme për tregtim financiar.

Kompania dyshohet se u ofronte grupeve të tjera infrastrukturën teknologjike për kryerjen e mashtrimeve, sipas një modeli të njohur si ‘crime-as-a-service’, apo ofrimi i shërbimeve për veprimtari kriminale.

Hetuesit identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kompanisë, të lidhur me qendra të thirrjeve që dyshohet se përdoreshin për mashtrime në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Përmasat e veprimtarisë së dyshuar në Kosovë mbeten të paqarta.

Autoritetet nuk kanë treguar se sa persona mund të jenë mashtruar nga qendrat e thirrjeve që vepronin në vend, as sa para mund të jenë përfituar përmes tyre.

Hetimi nisi nga ankesa e një çifti gjerman

Rrjeti nisi të zbulohej në vitin 2022, kur një çift në Gjermani raportoi se nuk po arrinte t’i tërhiqte paratë e investuara përmes një platforme tregtimi në internet.

Ankesa çoi në një hetim që gradualisht zbuloi lidhje mes grupeve të dyshuara kriminale në disa shtete.

Operacioni i parë ndërkombëtar, i zhvilluar po atë vit, rezultoi me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e provave.

Analiza e materialeve ndihmoi hetuesit të identifikonin shtatë të dyshuar të tjerë, përfshirë persona që dyshohet se drejtonin qendra të thirrjeve.

Një operacion i dytë, në vitin 2025, solli arrestime të tjera dhe sekuestrimin e parave dhe provave, të cilat i çuan hetuesit te kompania që dyshohet se siguronte infrastrukturën teknologjike për mashtrimet.

Hetimi katërvjeçar u drejtua nga Prokuroria Publike e Itzehoes në Gjermani.

Operacioni i 3 nëntorit u mbështet nga Europol-i dhe Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, Eurojust, që ndihmuan në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve mes vendeve të përfshira.

Ekspertë të Europol-it u dërguan edhe në Kosovë dhe Shqipëri për të ndihmuar në analizimin e provave digjitale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending