Connect with us

Kosovë

PDK-ja i kërkon Kushtetueses të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë, i ka kërkuar të hënën Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit të ri derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.

Kuvendi i Kosovës u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.

Dy deputetë të kësaj partie, Arian Tahiri, Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu, e dërguan ankesën në emër të partisë të hënën në mëngjes.

Duke folur për media pas dorëzimit të ankesës, Tahiri tha se “është e rëndësishme që të vendoset masë e përkohshme fillimisht, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme e situata ma të rënda në kuptim juridik dhe institucional”.

“Sepse, edhe Qeveria që është zgjedhur nga ky Kuvend, i cili nuk është i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri ta votojë qeverinë, mundet të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, tha Tahiri.

Gruda tha se “ne deri tani kemi hezituar t’i drejtohemi Kushtetueses, por meqë situata ka dalë jashtë kontrollit, pushteti është plotësisht janë Kushtetutës, neve nuk na ka mbetur rrugë tjetër përveç se t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta shkelë çdo afat dhe të përfitojë nga këto shkelje”, theksoi ai.

Ata thanë se u ankuan për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke thënë se pushteti shkeli Kushtetutën duke shpërfillur afatet kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Sipas një aktgjykimi të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.

Pak orë pas konstituimit, Kuvendi i ri e zgjodhi edhe Qeverinë e re, në një seancë të braktisur nga PDK, Aleanca dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Gruda theksoi se PDK do të ankohet në Kushtetuese të martën për mënyrën e formimit të Qeverisë së re.

“Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Kuvendi t’i zgjedhë organet qendrore të vendit duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese”, shtoi ai.

Si u konstituua Kuvendi?

Kuvendi u shpall i konstituuar të dielën paradite, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.

Kryetarja dhe nënkryetari i parë nga LVV-ja ishin zgjedhur në një seancë të mëparshme të premten.

PDK-ja nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, kur LVV-ja nuk ia kishte votuar në seancën e të premtes.

LVV kishte thënë të shtunën vonë se do ta votonte Çitakun. Por, PDK nuk pranoi të merrte pjesë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, dhe e vazhdoi procesin.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.

Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.

Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Suspendohen 11 zyrtarë policorë, kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit të Zekajt

Published

on

Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Kështu, Këshilli Prokurorial i ka suspenduar sot nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj si dhe prokuroren e rastit të Zekajt,  Arlinda Nallbani Gacaferrin.

Ndaj tyre, Këshilli Prokurorial ka vendosur të iniciohen procedura disiplinore. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë Valbona Disha-Haxhosaj për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë .

Kurse, Policia e Kosovës njoftoi se janë pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt. Ndaj tyre është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës me rekomandimin e të cilit, nga detyra u pezulluan ushtruesi i detyrës së drejtorit Rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandanti, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim të Policisë.

Continue Reading

Kosovë

Me kërkesa për dorëheqje dhe përgjegjësi penale mbahet protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka filluar protesta e organizuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nga ish-kunati i saj.

Me pankartat dhe thirrjet ““Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe familjarët e të ndjerës, marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës me kërkesë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjithë zinxhirin institucional që nuk trajtuan si duhet rastin e Arlinda Zekajt.

Para Ministrisë së Drejtësisë ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka publikuar një video të arrestimit të Albert Sylës, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit.

Continue Reading

Kosovë

Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Qartazi ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt qartazi shihet se ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mbajtur më 28 tetor, Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe”.

“Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.

Në orët e vona të 27 tetorit, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan dorasin e dyshuar, kunatin e Zekajt.

Ajo u vra pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi kishte raportuar në polici dhunë në familje nga ish-bashkëshorti i saj.

Kurti tha se në Kosovë, drejtësia “fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia ka dalë në krahun e të fortit”. Sipas tij, drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër.

“Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha ai.

Kurti kujtoi se për rastin e Zekajt, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë afat deri nesër në orën 18:00 të paraqesin raportet e tyre të detajuara mbi evidencat dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.

Gjatë ditës, është thirrur një protestë për vrasjen e Zekajt, e cila është gruaja e tetë që vritet gjatë këtij viti.

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Ajo i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.

Autoritetet më vonë kishin lëshuar urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.

Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.

Dy ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj përmes një letre i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.

Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending