Connect with us

Kosovë

Ndërroi jetë humanistja Flora Brovina

Published

on

Ka  ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare humanistja Flora Brovina.

E ndjera ishte aktiviste për të drejtat e njeriut, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ish e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Partisë Demokratike si dhe ishte nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Flora Brovina  u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj derisa  shkollimin e kreu në Prishtinë. Studimet për mjekësi i kreu në Beograd dhe Prishtinë ndërsa specializimin për pediatri e kreu në Zagreb.

Pas kthimit në Kosovë, ajo punoi si gazetare për gazetën “Rilindja”, përpara se të shërbente për shumë vite në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Në vitin 1992 ajo themeloi Lidhjen e Grave Shqiptare të Kosovës.

Si aktiviste, më 20 prill 1999,  Brovina Brovina u rrëmbye me forcë nga shtëpia e saj prej policisë civile serbe. Në dhjetor të po këtij viti, u transferua në një burg në Serbi dhe më pas u dënua me 12 vjet burg, por pas presionit ndërkombëtar u lirua në nëntor të vitit 2000.

Përveç mjekësisë dhe politikës, Flora Brovina ishte një poete e njohur dhe anëtare e komunitetit letrar. Poezia e saj shquhet për ndjeshmërinë lirike dhe temat e lidhura me fatin e gruas, amësinë, lirinë dhe vuajtjet e luftës. Veprat e saj “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995), janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, përfshirë botimet në anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht.

Për qëndresën dhe guximin e saj, asaj iu nda çmimi prestigjioz për lirinë e të shkruarit nga PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award në vitin 2000.

Flora Brovina ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mandate ndërmjet viteve 2001 dhe 2019.

Kosovë

Gazmend Hoxha jep dorëheqje si Drejtor i Policisë

Published

on

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje pesë ditë pas rastit të vrasjes së Arlinda Zemajt.

Dorëheqja e Hoxhës vjen një ditë pasi Policia e Kosovës pezulloi nga puna 11 zyrtarë të saj derisa ka filluar hetimin për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në njoftimin e kryeministrit Albin Kurti bëhet e ditur se ka pranuar kërkesën e Gazmend Hoxhës për lirimin nga detyra , derisa me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për ushtrues detyre të Drejtorit të Policisë është caktuar Fehmi Hoti.

Gazmend Hoxha ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, kurse policisë iu bashkua në vitin 2000 prej kur edhe ushtroi disa pozita të rëndësishme drejtuese.

Continue Reading

Kosovë

Suspendohen 11 zyrtarë policorë, kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit të Zekajt

Published

on

Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Kështu, Këshilli Prokurorial i ka suspenduar sot nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj si dhe prokuroren e rastit të Zekajt,  Arlinda Nallbani Gacaferrin.

Ndaj tyre, Këshilli Prokurorial ka vendosur të iniciohen procedura disiplinore. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë Valbona Disha-Haxhosaj për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë .

Kurse, Policia e Kosovës njoftoi se janë pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt. Ndaj tyre është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës me rekomandimin e të cilit, nga detyra u pezulluan ushtruesi i detyrës së drejtorit Rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandanti, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim të Policisë.

Continue Reading

Kosovë

Me kërkesa për dorëheqje dhe përgjegjësi penale mbahet protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka filluar protesta e organizuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nga ish-kunati i saj.

Me pankartat dhe thirrjet ““Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe familjarët e të ndjerës, marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës me kërkesë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjithë zinxhirin institucional që nuk trajtuan si duhet rastin e Arlinda Zekajt.

Para Ministrisë së Drejtësisë ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka publikuar një video të arrestimit të Albert Sylës, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit.

Continue Reading

Trending