Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kundërshtuar vendimin dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në mesin e pjesëmarrësve në protestë janë edhe familjarët ish-udhëheqësve të UÇK-së, personalitete publike, politikanë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës, përfshirë Ramush Haradinajn.
“Jo në emrin tim!” ishte thirrja e përbashkët e të gjithë folësve në protestë, me të cilën kundërshtohet dhe refuzohet aktgjykimi i Speciales i dhënë nën siglën “Në emër të popullit të Kosovës”.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi nga institucionet e shtetit të marrin parasysh kërkesat e protestuesve kurse nga gjykata ka kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dënues të Speciales. Ai gjithashtu kërkoi nga kryeministri Albin Kurti të shkarkojë ministren e drejtësisë Donika Gërvalla për shkak, siç u shpreh ai, mos reagimit të saj në vendimin e speciales dhe pretendimit për dorëzimin e dokumentacionit në Hagë nga ana e saj.
Gucati shprehu kërkesën për sqarim edhe nga ish-ministri Liburn Aliu.
“Ne sot na befason që ende institucionet nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë për çlirimtarët, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlament, i themi Albin Kurtit që këta njerëz t’i përjashtojë nga Qeveria. Njerëz që bashkëpunojnë me armikun, janë armiq të vendit dhe kombit dhe ne nuk i duam në mesin tonë”, ka thënë Gucati.
Në fund të protestës, organizatorët kërkuan nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e të pandehurve si dhe angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtar në mbrojtje të UÇK-së.