Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë që vepron në kuadër të MTI-së, kanë shpërndarë mirënjohje për top-ndërmarrjet më konkurruese të vitit 2019. E, në mesin e ndërmarrjeve me performancën më të mirë u shpërblyen edhe dy biznese nga Ferizaj, “FerPlast” dhe “PrimOil”.
Për ndërmarrjen “FerPlast”,
kjo është hera e dytë që zgjedhet top-ndërmarrja e vitit. Pronari i saj Bashkim
Krasniqi, tha se kjo nënkupton se janë duke
e ruajtur primatin.
“Ne për herë të dytë po përzgjedhemi që do të thotë se çdo kohë jemi
më mirë, ne nuk do t’i ndalim prodhimet e tona dhe do të rrisim edhe numrin e
punëtorëve për t’u përzgjedhur përsëri në vitet e ardhshme. Ne jemi zgjedhë sot
një ndër kompanitë top në regjionin e Ferizajt, si kompani prodhuese, si kompani
për rritjen e numrit të punëtorëve, për shkak të eksportit në vendet e Evropës dhe si prodhues vendor”, tha Krasniqi.
Kurse, pronari i ndërmarrjes ”PrimOil”, Imri Haliti, tha se në vazhdimësi i kanë dhënë rëndësi të veçantë prodhimit të vajrave dhe ky mund iu shpërblye duke u përzgjedhur si top-ndërmarrje e vitit në vend.
“Ne mendojmë se për këtë përzgjedhje në mesin e kompanive top në
vend është marrë për bazë eksporti dhe numri në rritje i punëtorëve. Ne jemi
duke i dhënë prioritet prodhimit të vajrave motorike dhe industriale, mendoj që
do të ketë rritje të eksportit edhe në vitet e ardhshme”, tha Haliti.
Pronarët e dy top-ndërmarrjeve të
vitit 2019 në Ferizaj, Krasniqi dhe Haliti, thanë se kjo i motivon të punojnë
edhe më shumë.
“Ky çmim është motivim për ne që të punojmë më mirë, që të jemi në trend
me kompanitë e tjera në Evropë”, tha Krasniqi.
“Ne mendojmë që do të rrisim edhe më shumë si numrin e punëtorëve ashtu edhe prodhimin, do
të vazhdojmë me këtë trend, por edhe më mirë besoj se do të bëhemi”, tha Haliti.
Përzgjedhja e ndërmarrjeve është bërë
duke u bazuar në veprimtaritë e kompanive, në kriteret e punësimit, në kontributet
tatimore, në eksport, e të tjera.