Drejtoria e Arsimit në Ferizaj, ka filluar renovimin e disa shkollave fillore dhe të mesme në këtë komunë. Drejtori i Arsimit Afrim Llabjani, tha se riparimi i disa prej shkollave ka qenë mëse i nevojshëm, sepse në shumicën prej tyre shpesh janë rrezikuar edhe nxënësit.
“Komuna e Ferizajt ka paraparë që këtë vit të riparohen disa nga shkollat të cilat kanë qenë në një gjendje jo të mirë sa i përket çatisë së këtyre shkollave dhe posa ka përfunduar viti shkollor ne i kemi kontraktuar operatorët ekonomik të cilët i kanë fituar këto tendere që të fillojnë punimet në shkollat që duhet të rindërtohen, kështu që ne kemi filluar në shkollën “Pjetër Bogdani”, ”Çesk Zadeja”, pastaj është shkollën “Jeronim de Rada” dhe shkollën “Bilall Shala” në fashtin Lloshkobare, kemi parë që gjendja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e keqe, gjatë çdo kohe me shi ka pas pikime në këto shkolla dhe kemi pasur dëmtime në këto shkollë dhe kështu që e kemi parë si urgjente të intervenohet në to dhe tani më me ndërrimin e tyre që po bëhet do t’i eliminojmë këto dobësi dhe do të krijojmë kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor”, tha Llabjani.
Llabjani tha se intervenimet nëpër shkolla do të përfundojnë me kohë në mënyrë që të mos ketë pengesa në fillimin e vitit të ri shkollor.
“Gjithsesi që do të fillojnë me kohë, për këtë arsye ne kemi insistuar që të fillohet më herët në mënyrë që me 1 shtator të jemi të gatshëm për të filluar procesin mësimor në këto shkolla, po ashtu ne tani do të fillojmë edhe me mirëmbajtjen verore të shkollave ku do të bëhet lyerja e tyre, do të bëhet rregullimi, pastrimi i shkollave në mënyrë që me 1 shtator ne të jemi të gatshëm për të filluar”, tha ai.
Drejtori Llabjani tha se përveç këtyre katër shkollave, renovime do të ketë edhe në katër shkolla të tjera, të cilat do të financohen nga programi i efiçiencës.
Në gjendje jo të mirë është edhe objekti i shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica”, i përuruar dy vite më parë, por sipas Llabjanit aty nuk mund të intervenohet pasi ende nuk është bërë pranimi teknik.