Video-analizë e procesit gjyqësor në
Ferizaj (I) – Peticioni i fshehur
Duke parë interesimin
e madh të opinionit për rrjedhën dhe epilogun e gjykimit që po mbahet në
Gjykatën Themelore të Ferizajt, në të cilin ish-drejtori i urbanizmit të Ferizajt,
Faik Grainca, së bashku me dy qytetarë të tjerë po gjykohen për keqpërdorim të
detyrës zyrtare dhe falsifikim, Televizoni TEMA fillon një seri të video klipeve
të shkurta, ku bëhet krahasimi i dëshmive të dëshmitarëve që ata i kanë dhënë
pranë kësaj gjykate në lidhje me një çështje specifike.
Sa për rikujtim, gjatë vitit 2017, Komuna e Ferizajt pat zhvilluar procesin e hartimit dhe miratimit të Planit Zhvillimor Komunal, gjatë të cilit pat shumë ankesa, parregullsi dhe një kallëzim penal ndaj ish-drejtorit Grainca dhe 13 anëtarëve të Komisionit për Shqyrtim të ankesave.
Ata u patën hetuar nga hetuesia e Ferizajt për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e shqyrtimit të ankesave dhe aprovimin e një peticioni të dyshimtë , ndërsa më vonë u ngrit aktakuzë ndaj ish-drejtorit dhe dy qytetarëve të tjerë. Anëtarët e komisionit janë ftuar si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor nga ana e prokurorit të shtetit.
Gjatë intervistimit të dëshmitarëve, është zbuluar se një peticion
i disa qytetarëve që jetojnë në anën e majtë të rrugës “Astrit Bytyqi”, ku ata
kërkuan që shtëpitë e tyre të mbesin në zonë të ndërtimit të ulët, nuk figuron në raportin final zyrtar të
nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit për shqyrtim.
Në video-analizën e parë, do të mund të shihni krahasimin e përgjigjeve të dëshmitarëve lidhur me peticionin e dorëzuar në komunën e Ferizajt më 14 Prill 2017, i cili ishte protokoluar me numër 01-016/01-0036867/17. Vlen të theksohet se në raportin zyrtar të komisionit të shqyrtimit të ankesave thuhet se ishin shqyrtuar 114 kërkesa të qytetarëve, ku prej tyre 7 ishin peticione. Peticioni në fokus, i cili ishte ndër të parët që u dorëzuan për shqyrtim, nuk përmendet fare në raportin zyrtar të komunës.
Pra kini vëmendjen, bëhet fjalë për dëshmitë e anëtarëve të të njejtit komision, të cilët me nënshkrimin e tyre, në raportin dhe procesverbalin e datuar 9 Gusht 2017, kanë vërtetuar se kanë shqyrtuar të gjitha ankesat dhe peticionet e qytetarëve në lidhje me propozimin për PZHK-ne të ri të Ferizajt.
Pas shikimit të video analizës(I), një shikues i rëndomtë mund të parashtrojë pyetje, të cilat besojmë
se Prokurori i shtetit dhe Trupi gjykues do tu gjejnë pergjegje:
A ka pasur vërtetë shqyrtim dhe rishqyrtim të peticioneve të qytetarëve, siç thuhet në raportin final të komisionit komunal për shqyrtim të ankesave ne PZHK?
A kanë marrë pjesë vërtetë të gjithë anëtarët e komisionit në fazën e shqyrtimit të ankesave dhe peticioneve , apo ky proces është kryer vetëm nga një grup i ngushtë i njerëzve nga ky komision?
Si mund të ndodh që një apo më shumë anëtarë të komisionit të nënshkruajnë një raport apo procesverbal të shqyrtimit/rishqyrtimit , nëse vërtetë nuk kanë marrë pjesë në atë proces?
A mos kanë qenë një apo më shumë anëtarë të komisionit viktima të prezentimit të rrejshëm të përmbajtjes së një dokumenti zyrtar në formë raporti, të cilin pastaj e kanë nënshkruar, duke besuar se po nënshkruajnë diçka tjetër?
A po shihen elemente për ndjekje penale të një apo më shumë anëtarëve të komisionit, të cilët fillimisht ishin të përfshirë në kallëzim penal nga hetuesia e Ferizajt, por që më vonë ishin liruar nga aktakuza?
Cili është motivi i vërtetë i fshehjes së peticionit të tetë, dhe kush e fshehu atë?
Policia në Ferizaj ka njoftuar se 5 persona janë dërguar në mbajtje kurse një tjetër është dërguar për trajtim në QKUK, si pasojë e pjesëmarrjes në rrahje që ndodhi pas një mosmarrëveshjeje në orët e hershme të së martës.
Sipas policisë, në rrahjen e dhunshme ishin përfshirë pesë meshkuj kosovarë dhe një shtetas i huaj derisa në vendngjarje është sekuestruar një kaçavidë.
Tre nga të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor në Ferizaj, ndërsa njëri nga ta është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.
Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”. Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuar janë intervistuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari që gjendet në QKUK nuk është intervistuar për arsye të gjendjes shëndetësore.
Në aksidentin tragjik të komunikacionit, që ndodhi ditë më parë në afërsi të Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari, humbën jetën Tahir Tahiri, 61 vjeç, Gentian Tahiri, 34 vjeç dhe Laurent Aliu, 16 vjeç, që të tre nga lagjja Nuhaj e fshatit Komogllavë të Ferizajt.
Identiteti i të ndjerëve u bë i ditur në njoftimin mortor të publikuar në faqen e fshatit Komogllavë, ku më tej thuhet se data dhe koha e ceremonisë së varrimit do të bëhet e ditur sapo të merren vendimet përkatëse.
Të ndjerët humbën jetën teksa po ktheheshin nga Kosova drejt vendit ku jetonin në Gjermani.
Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona në Ferizaj, nën dyshimin për blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe mbajtjen në pronësi të paautorizuar të armës.
Të dyshuarit u arrestuan të enjten, rreth orës 18:30, në Ferizaj derisa gjatë kontrollit u janë gjetur dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike, përfshirë 485.27 gramë marihuanë, 181.7 gramë hashash dhe 2.1 gramë kokainë, para të gatshme, një pistoletë me gaz me një karikator dhe tri boca gazi.
Me vendim të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit, pas intervistimit nga Policia, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ferizaj 06.08.2026 – 18:30.
“Janë ndaluar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, gjatë kontrollimit tek personat e dyshuar janë gjetur dhe konfiskuar: substancë e llojit Marihuanë rreth 485.27 gramë, substancë e dyshuar e llojit Hashash e gjetur në dy pjesë me peshë 181.7 gramë , substancë e dyshuar e llojit Kokainë 2.1 gramë, para të gatshme. një pistoletë me gaz me një karikator dhe tri boca gazi. Paketime të zbrazëta të qeseve të najlonit, dy peshore njëra digjitale dhe tjetra me tërheqje, dy mulli (grindera) për bluarje, tetë telefona celularë të llojeve të ndryshme, një DVR i kamerave. Me vendim të Prokurorit tre personat e dyshuar pas intervistimit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, bëri të ditur Policia në raportin 24 orësh.