Në teatrin e qytetit të Ferizajt sot u mbajt mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Gafurr Limani nga Komogllava, i cili pas një sëmundjeje, dje ndërroi jetë në moshën 45 vjeçare. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së në Ferizaj Rafiz Sejdiu, tha se ndarja nga jeta e Limanit është lajm i rëndë jo vetëm për familjen, por për të gjithë ata që e njohën atë.
“Në fillimet e organizimit të UÇK-së, Gafurri ishte veçse i formësuar si ushtar, dhe në qershor të 98-ës shkoi në Shqipëri ku u furnizua dhe iu bashkangjit grupit të komandant Ahmet Kaçikut, dhe u fut në Kosovë. Ofenziva e shtatorit në Jezerc apo siç njifet Epopeja e Jezercit, Gafurrin e gjeti në pikën një. Gafurri ishte gjithëherë në radhët e para të UÇK-së. Pas ofanzifes së shtatorit, Gafurri u largua përkohësisht nga Kosova, shkoi në Shqipëri, por edhe atje nuk qëndroi duarkryq, iu bashkangjit shokëve të UÇK-së që vepronin atje. Me formimin e brigadës 138, Gafurri u fut në radhët e saj, dhe ishte pjesëmarrës në të gjitha betejat e kësaj brgiade. Ju familjarë, të ndjeheni krenar që patët një djalë të tillë, aq sa ndjehemi edhe ne që patëm një ushtar dhe bashkëluftëtar të tillë” – tha në fjalën e tij rastit, Rafiz Sejdiu.
Bashkëluftëtari Ylber Hajredini, tha se i ndjeri ishte një ushtar me moral të lartë dhe një luftëtar i sypatrembur në çdo betejë.
“Sot ne humbëm një shok, ku me 28 qershor të 98-së, në pamundësi për tu inkaudruar në luftë përmes Kosovës shkuam në Shqipëri dhe u armatosëm. Ishte një rrugë e gjatë, dhe vizita e parë së bashku me të ishte tek komandant Ferri, dhe aty pamë që edhe në Jezerc lufta duhet të bëhet. Celulat e para të Jezercit ishin më 19 korrik 1998, dhe komandanti formoi celulat e para në Jezerc, ku ishim diku 35 ushtarë por më vonë u rrit. Gafurri do të jetë i paharrueshëm dhe një humbje shumë e madhe sepse ishte një moral për ushtarët e Jezercit” – tha bashkëluftetari Ylber Hajredini
Drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani, tha se ky veteran i UÇK-së dhe luftëtar i devotshëm, ishte edhe një punëtor i zellshëm.
“Ai nuk njifte mposhtje, nuk e njihte frikën e vdekjes, hareja dhe sharmi i tij e dallonin nga të tjerët. Ndonëse në gjendje të vështirë shëndetësore, ai insistonte të jetë i pranishëm në punë gjithnjë, dhe aty ku e kërkonte nevoja, e gjeje Gafurrin. Veç kësaj, ai kishte dëshirë të rrëfente ngjarje të luftës dhe vështirësive të jetës , kishte rrëfime të gjata dhe të dhimbshme, por na i thoshte gjithmonë me një delikatesë e më një humanizëm të mbrendshëm. Ai ishte i hareshëm, sidomos kur merrte udhëtime të gjata me artistë të Ferizajt. Ai ishte njeri i guximshëm, i pamposhtur, i cili fliste pa frikë edhe për vdekjen, të cilën gjë e konsideronte krejtësisht si një proces natyror”,- u shpreh drejtoresha Murati.
Në emër të familjes së veteranit të UÇK-së, porosinë për babanë e saj të ndjerë e dha e bija e tij, Blerina.
“Ne fëmijët dhe familja jemi krenarë që na mësove dhe na frymëzove se çka duhet bërë për lirinë e atdheut, dhe pastaj për ndërtimin e shtetit tonë. Ne do të jemi gjithmonë krenarë për veprat tua dhe të shokëve të tu”, – tha Blerina Limani, e bija e veteranit Gafurr Limani.
Veterani i UÇK-së, Gafurr Limani, u varros sot në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Komogllavë të Ferizajt.
Mbledhja komemorative për Gafurr Limanin. Ferizaj, 17 Prill 2019 (TV TEMA)
Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri të ditur se Policia e Kosovës gjatë aksionit të koduar “Kufiri 2”, ka sekuestruar 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë dhe ka ndaluar për 48 orë tre (3) persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Një person tjetër i dyshuar për përfshirje në rast gjendet në arrati, ndërsa, ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Rasti ka ndodhur të premten në autostradën “Arbën Xhaferi” në afërsi të fshatit Doganaj në Kaçanik.
Lidhur me këtë rast, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se gjatë operacionit një nga veturat e dyshuara ka tentuar të ikën nga Policia duke shkaktuar aksidente dhe policët janë detyruar të përdorin armët e zjarrit për ta ndaluar.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, personat e dyshuar në këtë rast janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dyshohet se të njëjtit kishin për qëllim transportin, shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike të llojit marihuanë, nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Republikës së Kosovës, e më pas në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Republikën e Turqisë, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Dy shoferë janë gjobitur nga Policia e Kosovës pasi u kapën duke bërë gara shpejtësie mbrëmë në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Ndaj shoferëve L.V. (23 vjeç) dhe T.P. (22 vjeç), të cilët drejtonin veturat e tipit BMW 318 dhe BMW 320, policia ka shqiptuar nga një gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative, si dhe masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit për një vit.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e 24 nëntorit 2026 , rreth orës 21:48.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se garat e shpejtësisë paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë si dhe një avokat nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Bashkëkryerja”.
Ata janë arrestuar mëngjesin e sotëm në një aksion të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kurse gjatë aksionit janë kontrolluar dy lokacione të ndryshme në Ferizaj.
Në njoftimin e Policisë thuhet se pas hetimeve të zhvilluara për një kohe, tre zyrtarët gjyqësor dhe avokati u arrestuan nën dyshimin se kanë ushtruar ndikim në proces-afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore dhe çështje të punësimit.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar katër telefona celulare, dy shtëpiza PC si dhe dokumentacion relevant për nevoja te hetimeve.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë.