Në moshën më të mirë të jetës, kur do të duhej të punonte dhe ta siguronte të ardhmen e vet dhe të familjes së tij, 32 vjeçari Mentor Ramadani nga fshati Komogllavë i Ferizajt, duhet të merret me shërimin e plagëve të veta dhe të kërkojë drejtësi nëpër gjykatat e Kosovës. Në vitin 2016, ai u aksidentua në Gjakovë, gjersa ishte punëtor i firmës ndërtimore “Euro Abi”, duke rënë nga 8 metra lartësi, me ç’rast kishte marrë lëndime permanente në njërën këmbë. Ai atje po kryente punën e salduesit, ndërsa deklaron se aksidenti kishte ardhur si pasojë e mungesës së mjeteve të sigurisë në punë.
“Kur ja kemi filluar punës, atë ditë që edhe jam rrëzu unë, kemi qenë duke punuar në Gjakovë, duke e mbuluar një objekt me panell, ka qenë duke rënë shi dhe borë nga pak, dhe gjatë punimit duke e mbuluar objektin me panell i kemi pasur panellat lart diku mbi 20 metra, dhe njërën nga to duke e ngreh, jam rrëzu nga një lartësi mbi 8 metra, dhe aty më ka humbur vetëdija nuk e di sa, kur më ka dal vetëdija, i kam parë shokët e punës dhe më pas ka ardhur emërgjenca më kanë dërgu në Gjakovë dhe më pas në Prishtinë. Këmbën e kam të lënduar më shumë, nga atëherë jam duke pasur problem, në këmbë i kam 14 shtrafa dhe pllaka, nuk e di sa do ti mbaj ato ndoshta edhe deri sa të është jeta, pa e pasur ndihmën e dikujt nuk mundem me lëvizë” – tha Ramadani.
Krahas
vështirësive gjatë shërimit dhe traumave të pësuara nga aksidenti, traumën më
të madhe këtij të riu nga Komogllava ia kanë shkaktuar organet shtetërore të Kosovës,
së pari policia në Gjakovë, e cila sipas fjalëve të viktimës, kishte fshehur rastin, dhe së fundmi gjykata e
Ferizajt, e cila ia kishte përgjysmuar dëmshpërblimin
e kërkuar për lëndim permanent gjatë punës në ndërtimtari. Vëllau i Mentorit, thotë
se ishte dëshmitar i këtyre padrejtësive që iu bënë familjes së tij.
”Policia nuk e ka evidentur rastin në Gjakovë që ka ndodhur aksidenti i vëllaut, na u është dashur me i çu edhe inspektoratin për me lajmëru rastin, dhe me ardhë deri tek një arsyetim, se jo raport në lidhje me rastin e vëlluat. Në polici janë arsyetuar se kinse kanë hasur në një rast tjetër, kurse vëllaut i ka ndodhur aksidenti në orën 15:00, ndërsa rasti tjetër ka qenë në ora 16:50, dhe kjo ka qenë vetëm me na largu. Më pas kam qenë mbi 50 herë në polici me kërku raportin, ka pasur shumë trysni, na thoshin se si mundem të kem raportin e e emërgjencës, çka po të duhet ty raporti i Policisë, ne i kemi dorëzuar mbi 200 fleta material në Polici në Gjakovë, ka pasur foto, video, raporte të mjekut dhe kur kemi shkuar në prokurori pas një muaji, rastin na e kanë cilësuar si aksident i kerrit, ndërsa kur e kemi parë nga e gjithë lënda kanë qenë vetëm 3 fleta aty nga e gjithë lënda që ua kemi dhënë. Prapë e kemi bërë kopje atë lëndë, e kemi lënë në Prokurori në Gjakovë, prapë nuk ka shkresa të lëndës. Këtu është dyshimi maksimal pse kjo po bëhet, me u humb lënda nga Policia në Prokurori dhe nga Prokuroria në Gjykatë, këtu na jep dyshime se është duke u manipuluar ky proces” tha i vëllai, Ruzhdi Ramadani.
Pos fshehjes së lëndës nga organet e drejtësisë, në procesin e Mentorit, dyshohet se janë bërë edhe falsifikime të dokumenteve. Avokati mbrojtës Burhan Qosa, përfaqësues zyrtar i familjes Ramadani, tregon se pas disa viteve Gjykata mori një aktvendim që Mentori të dëmshperblet me një shumë prej diku rreth 56 mijë euro, që në muajt i bie 65 euro, dhe kjo shumë erdhi si pasojë e një kontrate të falsifikuar që u bë nga ana e firmës pas aksidentit, kinse ai kishte një kontratë me një pagë 250 euro e cila nuk përkon me pagën e një salduesi.
“Gjykata nuk e di me çfarë të drejte e ka pranuar si 250 euro pagën e Mentor Ramadanit, sepse janë bërë tri ekspertiza, njëra është 93 euro që i ka taku sipas ekspertizës, njëra 65 euro dhe Gjykata e ka miratuar vlerën prej 65 euro me një arsyetim, ju ka referu pagës 250 euro, a në realitet është vetë Gjykata që e ka kuptu se kontratat janë bërë në kuptimin objektiv, ndërsa gjendja faktike është 600 euro, duke e llogaritur pagën ditore 25 euro. Këtu besoj se Gjykata Themelore në Ferizaj ka gabuar, dhe shpresojmë që ne do ta kuptojmë shpejtë prej Gjykatës Themelore që i ka ndërmarrë veprimet për me njoftu Prokurorinë themelore që me inicu procedurë ndaj pronarit të “Euro Abit”, që ka nënshkru në emër të Mentor Ramadanit, për dy vepra penale, për falsifikim nënshkrimi dhe për vepër penale vërtetim i përmbajtjes të pavërtetë, sepse në ATK ai ka çuar një kontratë që nuk përkon me gjenden fatike, dhe që filimisht nuk ka qenë e nënshkruar nga vetë pala dhe në anën tjetër nuk përkon as me elementin kryesor të një kontrate për punë që është paga reale”, tha Qosaj.
Mentor Ramadani thotë se krahas lëndimit, dhembje të madhe pas aksidentit i ka shkaktuar edhe injorimi i plotë nga ana e ish-punëdhënësit të tij, i cili nuk ishte interesuar ta bëjë as edhe një telefonatë.
Pas përpjekjeve të vazhdueshme që për këtë rast të marrim prononcim nga përfaqësues të firmës “Euro Abi”, të njejtit na drejtuan tek avokati i tyre, i cili përmes telefonit tha se në vendimin e gjykatës për caktimin e dëmshpërblimit ndaj pales së dëmtuar, pala e paditur ka parashtuar ankesë. “Unë kam bërë ankesë, është në ankesë, nuk kam çka të them tjetër gjë, e ka edhe pala kundërshatare ankesën time, unë e kuptoj atë person si njeri edhe unë kam dhimbje që i ka ndodhur rasti, unë jam palë e kompanisë dhe pa bisedu me kompaninë nuk mundem të dal të flas”, – tha avokati Abdylaziz Sadiku, që mbron kompaninë”Euro Abi” .
Avokati i Mentorit Ramadanit, paralajmëroi se pala e dëmtuar do të bëjë kallëzim penal nëse Gjykata Themelore e Ferizajt nuk inicon procedurë ndaj pronarit të firmës “Euro Abi”, për veprat e dyshuara penale, falsifikim të nënshkrimit dhe vërtetim i përmbajtjes së rreme. Krahas procedures gjyqësore në Ferizaj, për të njejtin rast po mbahet edhe një gjykim tjetër në Gjakovë, në të cilin firma e apostrofuar akuzohet për mosofrim të kushteve të punës, perkatësisht për mungesë të sigurisë në punë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është gjetur ferizajasi i raportuar i zhdukur më 10 nëntor 2026.
Sipas njoftimit, personi i zhdukur është gjetur në Prishtinë, në gjendje të mirë shëndetësore.
“Me datën 11.11.2026, në stacionin policor në Ferizaj është raportuar zhdukja e personit M. O.(31 vjeç), i cili, sipas familjarëve, ishte larguar nga shtëpia me datën 10.11.2026 dhe nuk ishte kthyer.
Pas katër ditësh kërkimi, më 15.11.2026, rreth orës 01:30, personi i raportuar i zhdukur është gjetur në Prishtinë, në gjendje të mirë shëndetësore dhe më pas është kthyer në shtëpi.
Për rastin është njoftuar Sektori Rajonal i Hetimeve dhe prokurori i rastit, të cilët po e trajtojnë rastin,” thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar për ndalimin e një personi me inicialet B.T. lidhur me rastin që ka ndodhur dje rreth orës 15:50, në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, ku humbi jetën një punëtor derisa po punonte në një objekt ndërtimi. Viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Sipas prokurorisë, i arrestuari B.T. është ndaluar nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Njoftimi i Prokurorisë:
Ndalohet një person për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”
Ferizaj, 13 Tetor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar me iniciale B.T., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, rreth orës 15:50:, ku, një person, i cili po kryente punime në një objekt ndërtimi, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokurori i shtetit, pas daljes në vendin e ngjarjes, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore.