Connect with us

Ferizaj

Punëtori rrëzohet nga 8 metra, policia e “konverton” rastin në aksident trafiku

Published

on

Në moshën më të mirë të jetës, kur do të duhej të punonte dhe ta siguronte të ardhmen e vet dhe të familjes së tij,  32 vjeçari Mentor Ramadani nga fshati Komogllavë i Ferizajt, duhet të merret me shërimin e plagëve të veta dhe të kërkojë drejtësi nëpër gjykatat e Kosovës. Në vitin 2016, ai u aksidentua në Gjakovë, gjersa ishte punëtor i firmës ndërtimore “Euro Abi”, duke rënë nga 8 metra lartësi, me ç’rast kishte marrë lëndime permanente në njërën këmbë.  Ai atje po kryente punën e salduesit, ndërsa deklaron se aksidenti kishte ardhur si pasojë e mungesës së mjeteve të sigurisë në punë.

“Kur ja kemi filluar punës, atë ditë që edhe jam rrëzu unë, kemi qenë duke punuar në Gjakovë, duke  e mbuluar një objekt me panell, ka qenë duke rënë shi dhe borë nga pak, dhe gjatë punimit duke  e mbuluar objektin me panell i kemi pasur panellat lart diku mbi 20 metra, dhe njërën nga to duke e ngreh, jam rrëzu nga një lartësi mbi 8 metra, dhe aty më ka humbur vetëdija nuk e di sa, kur më ka dal vetëdija, i kam parë shokët  e punës dhe më pas ka ardhur emërgjenca më kanë dërgu në Gjakovë dhe më pas në Prishtinë. Këmbën e kam të lënduar më shumë, nga atëherë jam duke pasur problem, në këmbë i kam 14 shtrafa dhe pllaka, nuk e di sa do ti mbaj ato ndoshta edhe deri sa të është jeta, pa e pasur ndihmën e dikujt nuk mundem me lëvizë” – tha Ramadani.

    Krahas vështirësive gjatë shërimit dhe traumave të pësuara nga aksidenti, traumën më të madhe këtij të riu nga Komogllava ia kanë shkaktuar organet shtetërore të Kosovës, së pari policia në Gjakovë, e cila sipas fjalëve të viktimës,  kishte fshehur rastin, dhe së fundmi gjykata e Ferizajt,  e cila ia kishte përgjysmuar dëmshpërblimin e kërkuar për lëndim permanent gjatë  punës në ndërtimtari. Vëllau i Mentorit, thotë se ishte dëshmitar i këtyre padrejtësive që iu bënë familjes së tij.  

”Policia nuk e ka evidentur rastin në Gjakovë që ka ndodhur aksidenti i vëllaut, na u është dashur me i çu edhe inspektoratin për me lajmëru rastin, dhe me ardhë deri tek një arsyetim, se jo raport në lidhje me rastin e vëlluat. Në polici janë arsyetuar se kinse kanë hasur në një rast tjetër, kurse  vëllaut i ka ndodhur aksidenti në orën 15:00, ndërsa rasti tjetër ka qenë në ora 16:50, dhe kjo ka qenë vetëm me na largu. Më pas kam qenë mbi 50 herë në polici me kërku raportin, ka pasur shumë trysni, na thoshin se si mundem të kem raportin e e emërgjencës, çka po të duhet ty raporti i Policisë, ne i kemi dorëzuar mbi 200 fleta material në Polici në Gjakovë, ka pasur foto, video, raporte të mjekut dhe kur kemi shkuar në prokurori pas një muaji, rastin na e kanë cilësuar si aksident i kerrit, ndërsa kur e kemi parë nga e gjithë lënda kanë qenë vetëm 3 fleta aty nga e gjithë lënda që ua kemi dhënë. Prapë e kemi bërë kopje atë lëndë, e kemi lënë në Prokurori në Gjakovë, prapë nuk ka shkresa të lëndës. Këtu është dyshimi  maksimal pse kjo po bëhet, me u humb lënda nga Policia në Prokurori dhe nga Prokuroria në Gjykatë, këtu na jep dyshime se është duke u manipuluar ky proces” tha i vëllai, Ruzhdi Ramadani.

Pos fshehjes së lëndës nga organet e drejtësisë, në procesin e Mentorit, dyshohet se janë bërë edhe falsifikime të dokumenteve. Avokati mbrojtës Burhan Qosa, përfaqësues zyrtar i familjes Ramadani, tregon se pas disa viteve Gjykata mori një aktvendim që Mentori të dëmshperblet me një shumë prej diku rreth 56 mijë euro, që në muajt i bie 65 euro, dhe kjo shumë erdhi si pasojë e një kontrate të falsifikuar që u bë nga ana e firmës pas aksidentit, kinse ai kishte një kontratë me një pagë 250 euro e cila nuk përkon me pagën e një salduesi.

“Gjykata nuk e di me çfarë të drejte e ka pranuar si 250 euro pagën e Mentor Ramadanit, sepse janë bërë tri ekspertiza, njëra është 93 euro që i ka taku sipas ekspertizës, njëra 65 euro dhe Gjykata e ka miratuar vlerën prej 65 euro me një arsyetim, ju ka referu pagës 250 euro, a në realitet është vetë Gjykata që  e ka kuptu se kontratat janë bërë në kuptimin objektiv, ndërsa gjendja faktike është 600 euro,  duke e llogaritur pagën ditore 25 euro. Këtu besoj se Gjykata Themelore në Ferizaj ka gabuar, dhe shpresojmë  që ne do ta kuptojmë shpejtë prej Gjykatës Themelore që i ka ndërmarrë veprimet për me njoftu Prokurorinë themelore që me inicu procedurë ndaj pronarit të “Euro Abit”, që ka nënshkru në emër të Mentor Ramadanit, për dy vepra penale, për falsifikim nënshkrimi dhe për vepër penale vërtetim i përmbajtjes të pavërtetë,  sepse në ATK ai ka çuar një kontratë që nuk përkon me gjenden fatike,  dhe që filimisht nuk ka qenë e nënshkruar nga vetë pala dhe në anën tjetër nuk përkon as me elementin kryesor  të një kontrate për punë që është paga reale”, tha Qosaj.

Mentor Ramadani thotë se krahas lëndimit, dhembje të madhe pas aksidentit i ka shkaktuar edhe injorimi i plotë nga ana e ish-punëdhënësit të tij, i cili nuk ishte interesuar ta bëjë as edhe një telefonatë.

Pas përpjekjeve të vazhdueshme që për këtë rast të marrim prononcim nga përfaqësues të firmës “Euro Abi”, të njejtit na drejtuan tek avokati i tyre, i cili përmes telefonit tha se në vendimin e gjykatës për caktimin e dëmshpërblimit ndaj pales së dëmtuar, pala e paditur ka parashtuar ankesë. “Unë kam bërë ankesë, është në ankesë, nuk kam çka të them tjetër gjë, e ka edhe pala kundërshatare ankesën time,  unë e kuptoj atë person si njeri edhe unë kam dhimbje që i ka ndodhur rasti, unë jam palë e kompanisë dhe pa bisedu me kompaninë nuk mundem të dal të flas”, – tha avokati Abdylaziz Sadiku, që mbron kompaninë”Euro Abi” .

Avokati i Mentorit Ramadanit, paralajmëroi se pala e dëmtuar do të bëjë kallëzim penal nëse Gjykata Themelore e Ferizajt  nuk inicon procedurë ndaj pronarit të firmës “Euro Abi”, për veprat e dyshuara penale, falsifikim të nënshkrimit dhe vërtetim i  përmbajtjes së rreme.
Krahas procedures gjyqësore në Ferizaj, për të njejtin rast po mbahet edhe një gjykim tjetër në Gjakovë, në të cilin  firma e apostrofuar akuzohet për mosofrim të kushteve të punës, perkatësisht për mungesë të sigurisë në punë.

Mentor Ramadani pas lëndimit në punë.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Arrestohet një ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj

Published

on

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, ka arrestuar një ish zyrtar të gjendjes civile në Ferizaj, tani me pozitë tjetër, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se i dyshuari derisa ishte zyrtar i gjendjes civile deri në vitin 2019,   si ofiqar, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas turk në sistemin elektronik të gjendjes civile në komunën e Ferizajt, edhe pse i njëjti nuk i kishte plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, shtetasi turk ishte pajisur me letërnjoftim dhe me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

Sipas policisë, më 23.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit për intervistë në prezencë të avokatit mbrojtës kurse me aktvendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq personi me shtetësi turke i dyshuar për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” është ekstraduar në Turqi.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohet ferizajasi pasi kanosi një grua përmes rrjeteve sociale

Published

on

Një person është arrestuar nga Policia në Ferizaj, pasi i njëjti ka kanosur përmes rrjeteve sociale viktimën femër me të cilën kishte bashkëjetuar.

Rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 10:00, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar se përmes rrjeteve sociale, ishte kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar me të cilin kishte bashkëjetuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohet një person në Ferizaj – Policia i gjen 343 gram marihuanë në shtëpinë e tij

Published

on

Policia në Ferizaj të hënën ka arrestuar një person, pasi të njëjtit gjatë kontrollit në shtëpinë  e tij i është gjetur dhe konfiskuar 343 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Siç bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës, me vendin të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 343 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

Continue Reading

Trending