Connect with us

Arbëri

Zëri ynë i përbashkët dëgjohet përtej Shqipërisë e Kosovës

Published

on

U.D. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës dyditore në Republikën e Shqipërisë, sot mbajti fjalim para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Osmani kërkoi nga deputëtet shqiptarë që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë, sepse siç u shpreh ajo, vetëm zëri ynë i përbashkët dëgjohet “përtej Kosovës e Shqipërisë”.

U.D. Presidentja e Kosovës, poashtu iu bëri thirrje Shqipërisë dhe Kosovës që ti largojnë barrierat ndërmjet dyja vendeve, duke përmendur ndër të tjera edhe “Traun” e vendosur në Rrugën e Kombit.

Në vazhdim po e publikojmë fjalimin e UD Presidentes Vjosa Osmani:

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Ruçi!

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të këtij kuvendi, përfaqësues të medieve;

Fort të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Jam tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, t’u drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur, e nëpërmjet tyre, bashkëkombësve të mi gjithandej botës!

Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor.

Është, pra, nder i madh për mua t’ju drejtohem dhe t’ju flas sikur i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë aq shumë dashuri.

Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike,vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!

Të dashur qytetarë!

Sot, kur unë gjendem para jush, hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore,për shkak të rrënjëve etnike, po thellohen dhe komunikimi ynë po na ofron më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, janë shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës dhe duke dhënë e marrë me njëra tjetrën në procesin e integrimeve europiane, duke e njohur dhe respektuar njëra-tjetrën.

Por, sot, kur unë jam para jush duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin e sakrificën e brezave për këtë ditë. Duhet të kujtojmë se këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë, gjaku i derdhur i mbi 13.000 të vrarëve, shumica nga ta gra, pleq e fëmijë, nga të cilët mbi 1.600 ende të pagjetur dhe i mbi 1.133 fëmijëve, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, emrat e të cilëve qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë. Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne ia njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë në vendimet tona.

Të dashura deputete e deputetë!

Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah.

Këtë rrugëtim ne e bëmëbashkëme miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës qënga dita e parë e çlirimit.

Të dashur qytetarë!

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë, dhe si Presidente në detyrë e Republikës, unëdua t’i thërras sidomos të rinjtë e vendeve tona, e sidomos vajzat e gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen: të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë ato do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës e të bizneseve. Sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova e Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës së tyre, që e përbëjnë gratë. Të rinjtë tanë, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë kapitali ynë më i çmuar. Ata janë ambasadorët tanë në botë, me të cilët po krenohemi çdo ditë e më shumë.Andaj, është obligim i yni që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të tillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.

Prandaj, ftoj përfaqësuesit politikë, ata që sot janë në këtë dhomë, sikur edhe ata që janë jashtë saj, që ta kultivojnëkëtë besim. Si të përzgjedhur të popullit ata duhet të kujdesen që vullneti i tyre të realizohet, që Shqipëria të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, qëqëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Është thelbësore që institucionet tona dhe politikbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të Shqipërisë sonë!

Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës.

Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë,

Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh.

Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdokund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim.

E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull poashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet.

Ky kapitull po ashtu na mëson, se rinia briliante shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, e çdo kund  tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh.

Detyra jonë është të punojmë, që ata vendin e tyre ta shohin si vend që nuk e meriton braktisjen, por si vend që e meriton gjithë kontributin e dashurinë e tyre. Prandaj të punojmë bashkë të gjithë, që si dy shtete sovrane, me dy flamuj por me nje shpirt që nuk ka mundur askush t’a mposhtë ndonjëherë, të dëshmojmë par botës mbarë, se ne, ilirët e lashtë e evropianët më të rinj, populli më paqedashës, me pro-evropian e më pro-amerikan në botë, mund dhe do t’ia dalë. T’i kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyer shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimeve evropiane, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi në mes të dy vendeve tona është kundrejt frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë! Eruditi jonë i madh, Konica e përmbledhë më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën “Abania”.

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kishte thënë Konica.

Prandaj, ju ftoj që të punojmë që edhe flamuri i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombete Bashkuara e në NATO, krahas atij të Shqipërisë, e të ecim me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Bashkëkombas të dashur,

Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur.

Në fund, më lejoni t’ju falënderoj sërish për mikpritjen, në shtëpinë tonë të përbashkët dhe t’ju ritheksoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës gjithë dashurinë që ndiejmë për Shqipërinë, për motrat e vëllezërit shqiptarë dhe gatishmërinë tonë që me vullnet e me punë t’i çojmë përpara dy shtetet tona.

Ju faleminderit! “

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Arbëri

Gjyqtari i Apelit në Tiranë qëllohet për vdekje në sallën e gjyqit

Published

on

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, është qëlluar për vdekje ditën e sotme brenda sallës së gjyqit, ndërsa dy persona të tjerë që ishin palë në proces, Rakip Kurtaj, 65 vjeç dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç, atë e bir, mbetën të plagosur.

I arrestuar është 30-vjeçari, Elvis Shkambi.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se ngjarja ndodhi mesditën e sotme gjatë një procesi gjyqësor për çështje prone.

Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.

Grupi hetimor vijon veprimet nën drejtimin e Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Continue Reading

Arbëri

Osmani akuzon Vuçiqin se tentoi ta prishte takimin e Bërdo-Brionit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.

Pas samitit, Osmani tha për transmetuesin publik shqiptar se Vuçiq, iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.

“…natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, tha Osmani, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte shkelur ligjin ndërkombëtar.

Serbia refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron shtetin pjesë të saj.

Gjatë samitit, sipas Osmanit, Vuçiq u ankua edhe për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur në mars të këtij viti.

“Ai [Vuçiq] mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat se gjatë takimit në Durrës kishte pasur përplasje me Osmanin kur u diskutua për integritetin territorial, që sipas tij, çdokush e interpreton siç do.

 “Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Të rrotullohet stomaku dhe të gjithë e dëgjojnë dhe tundin kokën… Prandaj, unë ja kujtova ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, i urova që të ketë më shumë turizëm në jetën e saj dhe kjo ishte”, tha Vuçiq.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të hënën në Durrës të Shqipërisë për Samitin rajonal Bërdo-Brioni, duke zhvilluar bisedime për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur në hapje të seancës plenare të këtij tubimi, presidenti i Shqipërisë si mikpritës i ngjarjes, Bajram Begaj, tha se Tirana e mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian.

“Për, ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE. Duhet të vazhdojmë t’i shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Bërdo-Brionit”, tha Begaj.

Tema e samitit të sivjetshëm ishte “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Takimi u përqendrua në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.

Derisa Kosova ngel vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria ka shënuar përparim të madh kohëve të fundit duke i hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim, me vendet e tjera që kanë ngecur në këtë pikë.

Pas samitit, Osmani tha se procesi i anëtarësimit në BE nuk bazohet në merita, sepse, po të ishte kështu, tha ajo, Kosova “do të ecte shumë përpara dhe tani do të ishim shumë afër anëtarësimit. Por, fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”.

Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, të gjitha vendet e rajonit i kanë pranuar mjetet e para, ndërsa Kosova dhe Bosnja ende jo.

Kosovës po i kushton mungesa e një Kuvendi të ri, pas zgjedhjeve të shkurtit, pasi i duhet ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme fillimisht, ndërsa Bosnja s’e ka dorëzuar ende agjendën e kërkuar të reformave tek autoritetet evropiane.

Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani në këtë samit, ku morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska-Davkova.

Samiti u zhvillua në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, u trajtuan edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Ky samit gjithashtu i solli Osmanin dhe Vuçiqin përballë për herë të parë pas një shkëmbimi akuzash ndaj njëri-tjetrit kohëve të fundit në lidhje me sigurinë në rajon.

Osmani tha në fundjavë se “thirrjet e pamatura” të presidentit serb për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.

Reagimi i Osmanit erdhi pasi Vuçiq tha të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

Edhe Vuçiq po i referohej komenteve të mëparshme të presidentes kosovare kur foli për luftën, pasi javën e kaluar në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani i kishte bërë thirrje Evropës t’i parandalojë “taktikat agresive dhe destabilizuese” të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

Takimi po organizohet nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit, nën udhëheqjen e presidentit shqiptar Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.

Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji

Published

on

Është ndarë nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji.

Sipas mediave shqiptare,  Zheji vdiq pas një sulmi kardiak derisa ishte me pushime me familjen në Sarandë.

Në raportin e cituar të Policisë së Shqipërisë, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në afërsi të një restoranti në rrugën “Butrinti” pasditen e së shtunës. Sipas Policisë, Zheji vdiq gjatë rrugës për në spital.

Artur Zheji ishte një nga figurat më të njohura të medias shqiptare, i angazhuar për dekada si gazetar, analist dhe drejtues emisionesh politike.

Që nga viti 2017, ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë, i cili transmetohej në televizionin ABC News.

Ai u lind më 29 gusht 1961 dhe ishte i biri i autorit Petro Zheji e aktores Besa Imami.

Continue Reading

Trending