Connect with us

Kosovë

Shkolla në Ditë Zie

Published

on

Në vend të gjallërisë dhe shpresës, sot klasën e IV 5 të shkollës fillore “Emin Duraku” e mbushi heshtja, pikëllimi, ndërsa në vend të librave, mbi bankën  e Yllit figuronin fotot e tij dhe ca lule të freskëta. Shokët dhe mësuesja e Yllit sot e ndalën mësimin, sepse sot po i thonë lamtumirën e fundit shokut dhe nxënësit që e deshtën shumë.  Shtimja sot po mban zi, pas tragjedisë së djeshme të komunikacionit në Koshare, me ç’rast u shua familja e re Ramadani nga ky qytet. Xhaxhai i Naimit, prindit të Yllit i cili poashtu humbi jetën në këtë tragjedi, e kujton çunin e vogël me shumë emocion:

“Po fëmijë ka qenë, i mirë, i vogël. Pe shoh që po mërziten për te. Kem meshkuj boll por po mërziten, në fotografi kur po e shohin po qajnë krejt. Çka me ba, kjo ka ndodhë, tash s’kem çka bëjmë”.

Edhe për stafin e shkollës, dita e sotme e punës ishte shumë e rëndë, thotë drejtori Fidan Shaqiri:

“Ylli ka qenë nxënës i klasës së katërt dhe informacioni i tillë i cili vjen për fëmijët i shqetëson të gjithë, pa dallim… Në fakt sot për shkak të ndjeshmërisë edhe për shkak të dhimbjes së madhe që nxënësit të cilët janë në klasë me Yllin t’i dërgojmë në shtëpi për shkak dhimbjes së fëmijëve për shokun e tyre. Jemi detyruar ta thërrasim mësuesen e klasës, mësuesen Ibadete dhe ajo t’i njoftojë prindërit që të vijnë t’i marrin fëmijët e tyre në mënyrë që të mos shkaktohet më tepër dhimbje”

Për viktimat e këtij aksidenti, familjarët po presin ngushëllime në këtë vend. Familjari Sali Ramadani e përshkruan momentin kur dëgjuan për tragjedinë që kishte ndodhur në familjen e tyre

“Nëpërmjet telefonit i kemi pa, e kemi njoftë kerrin, kemi shku i kemi pa. Na thojshin që dy kanë vdekë në vend, djali edhe nusja, po ata po më duket që të katërt kishin vdekë aty, në vend kishin mbetë. Veç motra e tij është në Spital hala, ajo është në gjendje të rëndë se nuk e kemi pa… Nuk është lehtë katër anëtarë të familjes me i hjekë, me mbyllë derën”.

Pas tragjedisë së djeshme, kryetari i Shtimes Naim Ismajli bëri thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.

“Tash na presin pushimet e verës, ngarkesa e rrugëve do të jenë të mëdha nga bashkatëdhetarët tanë. Ta shtojmë kujdesin në komunikacion. Të kontribuojmë që të respektohen rregulalt maksimalisht. Ta ruajmë jetën e secilit qytetar, sepse është e rëndësishme”

Ceremonia e varrimit të familjes së Naim Ramadanit u mbajt në ora 17:00 në varrezat e Komunës së Shtimes.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Ish-ministri Astrit Haraqija në mesin e 6 personave të arrestuar për narkotikë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se gjatë aksionit të koduar “Heshtja”, të zhvilluar të shtunën, më 14 nëntor , janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe substancë të panjohur, si dhe tableta të dyshuara të ekstazisë.

Para të gatshme në valuta të ndryshme, në vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, 6 vetura të markave luksoze të ndryshme, telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, pajisje për vëzhgim, ora luksoze dhe stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike, si dhe dokumente dhe shënime të ndryshme që do të trajtohen në kuadër të procedurave hetimore.

Aksioni u realizua në disa lokacione në rajonin e Prishtinës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

Continue Reading

Kosovë

Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, nominoi Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke ia dërguar emrin Senatit amerikan për konfirmim.

Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, më 10 nëntor.

Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Kush është Mikhail Bogachek?

Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.

OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.

Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.

Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.

Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.

Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.

Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.

Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.

Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.

Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.

SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Trending