Connect with us

Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

Gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë Kosovën janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje, shkruan TV TEMA.

Të pesë rastet e dhunës në familje, janë raste kur bashkëshorti ka sulmuar bashkëshorten e tij, derisa në një rast përveç bashkëshortes, i dyshuari ka sulmuar edhe vajzën e tij.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh tregon se në tre nga pesë rastet, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Sipas këtij raporti, po ashtu në tre nga këto pesë raste, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

Raportet e plota të Policisë:

Prishtinë, 27.07.2022-10:40. Viktima femër  kosovare ka njoftuar  se pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull  kosovar ka sulmuar fizikisht. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

 Gllogoc, 27.07.2022-15:30. Viktima femër  kosovare ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga djali i saj, i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është intervistuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje. 

Gjilan, 26.07.2022-10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. 

Prizren, 27.07.2022-19:34. Viktima femër  kosovare ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Rasti nën hetime.

Pejë,  27.07.2022-20:59 .Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij,  viktimat femra kosovare. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit  dërgohet në mbajtje.

Kosovë

Policia paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve të rrejshme

Published

on

Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës.

Një mesazh i tillë i rremë, kinse për konfiskim të pajisjeve kompjuterike dhe hetim lidhur me krimet për pornografi të fëmijëve me kërkesë për paraqitje para organeve të drejtësisë është hasur në qarkullim nga zyrtarët e policisë.  

Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t’iu përgjigjen kërkesave të tilla.

“Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

#

Continue Reading

Kosovë

Ndërroi jetë humanistja Flora Brovina

Published

on

Ka  ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare humanistja Flora Brovina.

E ndjera ishte aktiviste për të drejtat e njeriut, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ish e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Partisë Demokratike si dhe ishte nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Flora Brovina  u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj derisa  shkollimin e kreu në Prishtinë. Studimet për mjekësi i kreu në Beograd dhe Prishtinë ndërsa specializimin për pediatri e kreu në Zagreb.

Pas kthimit në Kosovë, ajo punoi si gazetare për gazetën “Rilindja”, përpara se të shërbente për shumë vite në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Në vitin 1992 ajo themeloi Lidhjen e Grave Shqiptare të Kosovës.

Si aktiviste, më 20 prill 1999,  Brovina Brovina u rrëmbye me forcë nga shtëpia e saj prej policisë civile serbe. Në dhjetor të po këtij viti, u transferua në një burg në Serbi dhe më pas u dënua me 12 vjet burg, por pas presionit ndërkombëtar u lirua në nëntor të vitit 2000.

Përveç mjekësisë dhe politikës, Flora Brovina ishte një poete e njohur dhe anëtare e komunitetit letrar. Poezia e saj shquhet për ndjeshmërinë lirike dhe temat e lidhura me fatin e gruas, amësinë, lirinë dhe vuajtjet e luftës. Veprat e saj “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995), janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, përfshirë botimet në anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht.

Për qëndresën dhe guximin e saj, asaj iu nda çmimi prestigjioz për lirinë e të shkruarit nga PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award në vitin 2000.

Flora Brovina ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mandate ndërmjet viteve 2001 dhe 2019.

Continue Reading

Kosovë

PDK-ja e kundërshton në Kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë së re

Published

on

Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kërkuar gjykatës më të lartë të vendit ta shqyrtojë nëse Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, duke thënë se ajo u votua nga një Kuvend i “pa konstituuar”.

Kuvendi i Kosovës e votoi Qeverinë e re duke e zgjedhur Albin Kurtin kryeministër për herë të katërt të dielën, pak orë pasi ishte konstituuar legjislatura e 11-të mes polemikave dhe akuzave për shkelje kushtetuese gjatë procesit.

Deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, iu drejtuan të martën Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për ta vlerësuar votimin, një ditë pasi i kërkuan asaj të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit.

“Sot e kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, sepse ne konsiderojmë sepse Kuvendi është konstituuar duke e shkelur Kushtetutën”, tha Gruda për media.

Ai nguli këmbë se “një Kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese” nuk mund ta zgjedhë një qeveri kushtetuese.

“Argumentet tona janë profesionale dhe deri në fund kushtetuese dhe jemi të bindur se do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi Gruda.

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë se në konstituimin e Kuvendit pati shkelje të Kushtetutës dhe se një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mundë ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.

Si u konstituua Kuvendi?

Kuvendi u shpall i konstituuar të dielën paradite, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe komuniteteve pakicë.

Kryetarja dhe nënkryetari i parë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ishin zgjedhur në seanca të mëparshme të mërkurën dhe premten, përkatësisht.

PDK-ja nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, kur LVV-ja nuk ia kishte votuar në seancën e të premtes.

LVV kishte thënë të shtunën vonë se do ta votonte Çitakun. Por, PDK nuk pranoi të merrte pjesë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, dhe e vazhdoi procesin.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Disa orë më vonë, Kuvendi u mblodh sërish dhe e zgjodhi Qeverinë e re, në një seancë të braktisur nga PDK, Aleanca dhe LDK.

PDK-ja argumenton se pushteti e shkeli Kushtetutën duke shpërfillur afatet kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

Ajo pretendon se është shkelur afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Një aktgjykim i vitit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.

Sipas Hasanit, konstituimi i Kuvendit të dielën “nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese” të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.

“Nuk do të ishte profesionale që gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës”, tha Hasani.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending