Connect with us

Kosovë

Në përfundim të samitit të Bërdo-Brionit presidenti slloven kërkon nga BE liberalizimin e vizave për Kosovën

Published

on

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022.

Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Bërdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.

Kjo thirrje, tha ai, është edhe pjesë e konkluzioneve që u miratuan pas samitit.

Përveç Pahorit, nikoqir i ngjarjes, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Pahor tha se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor.

Ky proces konsiderohet si “kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”.

“I bëjmë thirrje BE-së që të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike. Ne konfirmojmë angazhimin tonë për dialog – si mënyra e vetme për kapërcimin e dallimeve”, thuhet, po ashtu, në konkluzione.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se në takim nuk është biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Unë e mbështes njohjen e Kosovës. Të gjitha vendet që nuk e kanë bërë këtë, duhet ta bëjnë, por në këtë [samit] nuk ishte rasti për të”, tha Millanoviq.

Ai, po ashtu, tha se do të bëjë gjithçka të mundur që Procesi Bërdo-Brioni të vazhdojë, pasi Pahor përfundon mandatin e dytë presidencial këtë vit.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE./REL

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Ilir e Rrahim Abdullahu dënohen me nga 18 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës

Published

on

Ilir dhe Rrahim Abdullahu janë dënuar me nga 18 vjet burgim për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza.

Aktgjykimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se Ilir Abdullahut i vazhdohet masa e paraburgimit, ndërsa Rrahim Abdullahut i caktohet paraburgimi. Të dyja masat do të jenë në fuqi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Në shpalljen e aktgjykimit, Rrahim Abdullahu nuk ishte prezent në sallë, ndërsa i pranishëm ishte i bashkëakuzuari i tij, Ilir Abdullahu.

Polici Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për këtë rast, më herët është dënuar edhe Arben Berisha me 35 vjet burgim për kryerje të vrasjes, ndërsa Enver Sekiraqa, për nxitje të vrasjes, është dënuar me 25 vjet burgim.

Sekiraqa ndodhet në arrati që nga 17 maji 2024, kur ishte liruar nga paraburgimi pas ndryshimit të masës së sigurisë.

Continue Reading

Kosovë

Një shtetas i Kosovës ekstradohet në SHBA për krime kibernetike

Published

on

Një shtetas i Kosovës është ekstraduar  për në SHBA, pasi që i njëjti kërkohej nga autoritetet amerikane për përfshirje në veprat penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.

I dyshuari iu dorëzua mëngjesin e sotëm njësisë U. S. Marshall të SHBA-së, në ANP “Adem Jashari”, bëri të ditur Policia.

Në njoftim nuk u dhanë informacione për identitetin, moshën apo hollësi tjera për personin e ekstraduar.

Por, Policia e Kosovës tha se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të krimit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit

Continue Reading

Kosovë

Çitaku e quan vendimin e speciales të turpshëm dhe të papranueshëm

Published

on

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur të turpshëm e të papranueshëm vendimin e Dhomave të Specializuara për dënimet ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin për pengim të drejtësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se vendimi i sotëm vetëm sa e ka thelluar mosbesimin në drejtësinë e administruar nga kjo gjykatë. Sipas saj, drejtësia nuk mund të ketë standarde të ndryshme për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.

“Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë. Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate”, ka thënë ajo duke shtuar se padrejtësisë do t’i përgjigjemi me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar.

“Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund”, ka shkruar Çitaku.

#

Continue Reading

Trending