Në kuadër të projekteve të nënkalimeve që në Ferizaj njihen me emrin “Bashkimi i Qytetit”, më 1 nëntor të vitit 2018 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e nënkalimit për vetura dhe këmbësorë në fshatin Nikadin të Ferizajt.
Ky projekt i quajtur “LOT-II Ndërtimi i nënkalimit ne fshatin Nikadin te Xhamia” ishte nënshkruar në vlerën prej 671,148.68 euro dhe sipas kontratës parashihej që punët të fillonin dy ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe të përfundonin pas 2 vitesh, që i bie 1 nëntori i vitit 2020.
Nënkalimi në Nikadin u përurua tek më 22 tetor 2022, apo përafërsisht 2 vjet pasi që punimet është dashur të kryhen sipas kontratës bazë për këtë procedurë të prokurimit.
Për këtë çështje, Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, që në kohën e nënshkrimit të kontratës ishte njëri nga dy menaxherët e kontratës të emëruar për këtë projekt thotë se deri tek vonesat erdhi për shkak të autoritetit të hekurudhave, Infrakos-it.
“Fillimisht hekurudha na e ka dhënë pëlqimin për me i fillu punimet por për shkak të disa procedurave të hekurudhave na është kërku me u ndërru projekti dhe derisa është bërë revidimi dhe riprojektimi i këtij nënkalimi nuk kanë fillu punimet”.
Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt
Në analizën e dokumenteve të këtij projekti shohim se arsyet e vonesave janë më ndryshe se nga ajo çka ka deklaruar Hajdini.
Ndonëse kontrata parashihte fillimin e punëve dy ditë pas nënshkrimit të saj, pra më 3 nëntor 2018, sipas Ditarit Ndërtimor të këtij projekti, operatori ekonomik punimet i filloi tek më 11 mars të vitit 2019 kur edhe filluan me vëzhgimin e trasesë, matjen dhe incizimin gjeodezik për ndërtimin e kanalizimit.
Punimet sipas Ditarit Ndërtimor vazhduan deri më 22 mars të atij viti dhe aty u stopuan.
Sipas dokumenteve zyrtare të Komunës së Ferizajt, me operatorët ekonomik “Arlindi“ dhe “Infra-Plus”, më 1 nëntor 2020 nënshkroi marrëveshje mbi zgjatjen e afateve të periudhës së ekzekutimit të punëve deri në fundin e vitit 2021, me arsyetimin se mungonte leja e ndërtimit në pronën e hekurudhës, mungesa e mjeteve financiare dhe pandemia COVID-19.
Në këtë dokument asnjëherë nuk arsyetohet se pse punimet për këtë nënkalim u kryen vetëm për 11 ditë dhe ato nuk vazhduan më, teksa tek më vonë u kërkua shtyerja e afatit të punëve me arsyetimin e mungesës së lejes nga Infrakos-i.
Komuna e Ferizajt lidhi kontratë për fillimin e punimeve për këtë nënkalim nën hekurudhë pa pas pëlqimin përfundimtar nga pronari i hekurudhës “Infrakos”, punët vazhduan vetëm me kushtet teknike të ofruara nga këta të fundit edhe pse në këto kushte teknike thuhej se “Investuesi është i detyruar të hartoj elaboratin/projektin e vendkalimit për këmbësor nën hekurudhë dhe një kopje t’i dërgoj hekurudhave të Kosovës-Infrakos në Fushë Kosovë për revizionin dhe dhënien e pëlqimit përfundimtar”. Moskryerja e detyrimeve nga Komuna e Ferizajt solli edhe shtyrjen e punimeve për këtë projekt.
Pra, Komuna e Ferizajt është dashur që para se të filloj punimet për ndërtimin e këtij nënkalimi një herë t’ia dërgoj elaboratin/projektin Infrakos-it, i cili si pronar i hekurudhës nën të cilën është ndërtuar ky nënkalim t’i jep pëlqimin që të kryhen ato punime. Me neglizhencën e institucionit komunal dhe mosdërgimin me kohë të elaboratit rrjedhimisht mos marrjes me kohë të pëlqimit, punët aty filluan pa këtë leje gjë e cila solli vonesa.
Punimet rinisën tek më 12 korrik 2021 dhe vazhduan deri më 3 nëntor të po atij viti.
Më 22 dhjetor të vitit 2021, u bë një kërkesë e re për vazhdimin e kësaj kontrate, me arsyetimin se kishte mungesë të mjeteve financiare dhe se projekti duhet të harmonizohet me projektin e BERZH-it, andaj duhet kohë për përfundimin e punimeve edhe për një vit. Më 27 dhjetor të atij viti u mor vendimi që afati të shtyhet deri më 30 dhjetor të vitit 2022.
Për më tepër, pasi më 2021 ky projekt duhej të harmonizohej me projektin e BERZH-it, Komuna e Ferizajt u detyrua që të nënshkruaj aneks-kontratë me operatorët ekonomik për shkak të punëve shtesë që iu dolën.
Me aneks-kontratën e nënshkruar më 7 prill 2022 në vlerë prej 64,296.00 euro vlera totale e projektit të nënkalimit në Nikadin shkoi në 735,444.68 euro të taksapaguesve.
Ngjashëm si tek kontrata bazë edhe punët e dakorduara me aneks-kontratë nisën me vonesë. Punimet për nënkalimin do të duhej që të fillonin menjëherë që nga data e nënshkrimit, megjithatë sipas Ditarit Ndërtimor punimet aty rifilluan tek më 31 maj 2022, shkelje kjo e afatit kohor të dakorduar mes Komunës dhe operatorit ekonomik.
Në dokumentet e ofruara nga Komuna e Ferizajt për këtë projekt, nuk evidentohen askund vërejtje të lëshuara ndaj operatorit ekonomik për vonesat në kryerjen e punimeve.
Komuna e Ferizajt, si qasje në dokumente dha vetëm planin për menaxhimin e kontratës ku tregohen datat e kryerjes së punëve por jo edhe raportet e menaxherëve të kontratës ku do të duhej të ishin edhe vlerësimet e punimeve apo vërejtjet eventuale.
Për këtë procedurë të prokurimit kishte plot nëntë oferta nga operatorë të ndryshëm ekonomik, disa nga këto oferta më të lira se ajo e fituesit e disa më të shtrenjta.
Sipas raportit të vlerësimit të ofertave, oferta e grupit të Operatorëve Ekonomik “ARLINDI” SHPK; N.N. ” Infra – Plus” në vlerë prej 671,148.68 euro u shpall fituese si oferta më e lirë nga ato që u shpallën të përgjegjshme.
Më poshtë një tabelë ku shfaqen të gjitha ofertat e operatorëve ekonomik për këtë procedurë të prokurimit si dhe tregohet se a u shpall ajo ofertë e përgjegjshme apo jo nga komisioni vlerësues i ofertave.
Ministria e Infrastrukturës në bazë të një memorandumi bashkëpunimi që kishte lidhur në vitin 2018 me Komunën e Ferizajt, kryen pagesat për këtë aktivitet prokurimi. Kjo Ministri ka lëshuar gjithsej gjashtë urdhërpagesa për punët e kryera në këtë projekt, pagesa këto që kapin shifrën prej 735,444.68 euro.
Urdhërpagesat nga Ministria u lëshuan për punët të cilat u monitoruan nga Komuna e Ferizajt.
Për këtë projekt, Komuna e Ferizajt më 10 tetor 2022 bëri edhe pranimin teknik.
Komisioni për pranimin teknik pranoi punët si teknikisht në rregull dhe mori vendim që të jepet leja për përdorimin e projektit.
Mbi 700 mijë euro të taksapaguesve u dhanë për këtë projekt por në pjesën e nënkalimit për këmbësorë në pamjet e kohës me shi, uji nuk u drenua por mbeti mbi sipërfaqen e udhës nga ecin banorët e fshatit Nikadin.
Pamje e nënkalimit për këmbësorë ku shihet mbledhja e ujit nga të reshurat – Qershor 2023Pamja e pusetës tek nënkalimi për këmbësorë – Qershor 2023
Për problemet që pati ky nënkalim me mbledhjen e ujit, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini thotë se faji nuk ishte tek punimet.
“Për mbledhjen e ujrave kemi hasë në mbyllje të pusetave me dushk, gjë që ka ndiku që me pas në kohën kur ju e keni vizitu pak ujë në nënkalim por me intervenimin dhe pastrimin e pusetave gjithçka është në rregull, gypi aty është Φ1000 dhe nuk ka me pas kurrë problem“.
Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt
Nga fotografitë vërehet edhe tavani në gjendje jo të mirë.
Tavani i nënkalimit ka njolla në të që duken sikur kanë mbetur aty nga uji, rrjedhimisht reshjet e shiut.
Njollat në tavanin e nënkalimit për këmbësorë – Qershor 2023
Për këto pamje të tavanit, Hajdini thotë se ky nënkalim ka izolim funksional.
“Në tavan nuk kam vërejt asnjëherë lagështi, izolimin e ka të përfunduar, ky izolim ka qenë funksional dhe nuk ka pasur telashe por që do e shohim dhe shqyrtojmë se a ka nevojë për intervenime në të ardhmen por që s’besoj që ka nevojë“.
Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt
“Qyteti i nënkalimeve” po quhet shpesh Ferizaj, rrallë herë kthehen sytë të shikohen edhe punët e kryera në këto nënkalime.
Muri i kësaj pjese të nënkalimit për vetura, është në gjendjen siç shihet në fotografitë më poshtë.
Edhe tavani i nënkalimit për vetura, ngjashëm si ai për këmbësorë ka njolla të mbetura në të.
Gjendja e tavanit dhe murit anësor në nënkalimin për vetura – Qershor 2023Pamje e nënkalimit për vetura – Qershor 2023Pamja e murit anësor në nënkalimin për vetura – Korrik 2023
Drejtori i Infrastrukturës thotë se në këtë nënkalim nuk ka plasaritje në asnjë segment, teksa komentoi edhe fotografitë.
“Ajo është fuga e dilatimit të projektit ku bëhet ndërlidhja e vazhdimit të mureve, pra është fugë e dilatimit dhe nuk është plasaritje“.
Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt
Në përgjithësi, Hajdini thotë se si Komunë janë të kënaqur me punët e kryera tek nënkalimi në Nikadin.
“Punimet në këtë projekt kanë qenë të cilësisë së mirë, të lartë. Janë bërë të gjitha testet edhe siç i kanë kërkuar hekurudhat e Kosovës, të gjitha testet kanë dal mirë dhe projekti është funksional dhe shumë mirë“.
Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt
Mbi këtë nënkalim nuk kanë kaluar ende treni i udhëtarëve dhe ai i mallrave.
Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.
Policia Rajonale e Ferizajt gjatë muajit shkurt ka shqiptuar 330 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.
Policia bën thirrje tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik për përqendrim të plotë gjatë drejtimit të e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi sidomos përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, pasi edhe një çast pakujdesie mund të ketë shkaktojë pasoja serioze për jetën e njerëzve.
Gjykata Themelore në Ferizaj caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për dy zyrtarët e KEDS-it të cilët dyshohen për ryshfet.
Kjo pasi, gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën e Prokurorisë themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B dhe E.K. të cilët janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës, për pranim të ryshfetit.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt mes tjerash bëhet e ditur se të arrestuarit dyshohen për veprën penale pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t`i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër personave, me ç`rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës.
Policia në Ferizaj ka arrestuar një person të dyshuar për tentim të sulmit me thikë.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 10:10.
“ Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte tentuar ti sulmoj dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare.
Nga i dyshuari është sekuestruar mjeti i mprehtë thikë. Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari ndalohet në qendrën e mbajtjes” ka njoftuar policia.