Connect with us

Ferizaj

Me mbi 700 mijë euro punë dhe dy vjet vonesa, uji mbetet mbi nënkalim

Published

on

Autor: Shqipron Xhema

Në kuadër të projekteve të nënkalimeve që në Ferizaj njihen me emrin “Bashkimi i Qytetit”, më 1 nëntor të vitit 2018 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e nënkalimit për vetura dhe këmbësorë në fshatin Nikadin të Ferizajt.

Ky projekt i quajtur “LOT-II Ndërtimi i nënkalimit ne fshatin Nikadin te Xhamia” ishte nënshkruar në vlerën prej 671,148.68 euro dhe sipas kontratës parashihej që punët të fillonin dy ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe të përfundonin pas 2 vitesh, që i bie 1 nëntori i vitit 2020.

Nënkalimi në Nikadin u përurua tek më 22 tetor 2022, apo përafërsisht 2 vjet pasi që punimet është dashur të kryhen sipas kontratës bazë për këtë procedurë të prokurimit.

Për këtë çështje, Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, që në kohën e nënshkrimit të kontratës ishte njëri nga dy menaxherët e kontratës të emëruar për këtë projekt thotë se deri tek vonesat erdhi për shkak të autoritetit të hekurudhave, Infrakos-it.

“Fillimisht hekurudha na e ka dhënë pëlqimin për me i fillu punimet por për shkak të disa procedurave të hekurudhave na është kërku me u ndërru projekti dhe derisa është bërë revidimi dhe riprojektimi i këtij nënkalimi nuk kanë fillu punimet”.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Në analizën e dokumenteve të këtij projekti shohim se arsyet e vonesave janë më ndryshe se nga ajo çka ka deklaruar Hajdini.

Ndonëse kontrata parashihte fillimin e punëve dy ditë pas nënshkrimit të saj, pra më 3 nëntor 2018, sipas Ditarit Ndërtimor të këtij projekti, operatori ekonomik punimet i filloi tek më 11 mars të vitit 2019 kur edhe filluan me vëzhgimin e trasesë, matjen dhe incizimin gjeodezik për ndërtimin e kanalizimit.

Punimet sipas Ditarit Ndërtimor vazhduan deri më 22 mars të atij viti dhe aty u stopuan.

Sipas dokumenteve zyrtare të Komunës së Ferizajt, me operatorët ekonomik “Arlindi“ dhe “Infra-Plus”, më 1 nëntor 2020 nënshkroi marrëveshje mbi zgjatjen e afateve të periudhës së ekzekutimit të punëve deri në fundin e vitit 2021, me arsyetimin se mungonte leja e ndërtimit në pronën e hekurudhës, mungesa e mjeteve financiare dhe pandemia COVID-19.

Në këtë dokument asnjëherë nuk arsyetohet se pse punimet për këtë nënkalim u kryen vetëm për 11 ditë dhe ato nuk vazhduan më, teksa tek më vonë u kërkua shtyerja e afatit të punëve me arsyetimin e mungesës së lejes nga Infrakos-i.

Komuna e Ferizajt lidhi kontratë për fillimin e punimeve për këtë nënkalim nën hekurudhë pa pas pëlqimin përfundimtar nga pronari i hekurudhës “Infrakos”,  punët vazhduan vetëm me kushtet teknike të ofruara nga këta të fundit edhe pse në këto kushte teknike thuhej se “Investuesi është i detyruar të hartoj elaboratin/projektin e vendkalimit për këmbësor nën hekurudhë dhe një kopje t’i dërgoj hekurudhave të Kosovës-Infrakos në Fushë Kosovë për revizionin dhe dhënien e pëlqimit përfundimtar”. Moskryerja e detyrimeve nga Komuna e Ferizajt solli edhe shtyrjen e punimeve për këtë projekt.

Pra, Komuna e Ferizajt është dashur që para se të filloj punimet për ndërtimin e këtij nënkalimi një herë t’ia dërgoj elaboratin/projektin Infrakos-it, i cili si pronar i hekurudhës nën të cilën është ndërtuar ky nënkalim t’i jep pëlqimin që të kryhen ato punime. Me neglizhencën e institucionit komunal dhe mosdërgimin me kohë të elaboratit rrjedhimisht mos marrjes me kohë të pëlqimit, punët aty filluan pa këtë leje gjë e cila solli vonesa.

Punimet rinisën tek më 12 korrik 2021 dhe vazhduan deri më 3 nëntor të po atij viti.

Më 22 dhjetor të vitit 2021, u bë një kërkesë e re për vazhdimin e kësaj kontrate, me arsyetimin se kishte mungesë të mjeteve financiare dhe se projekti duhet të harmonizohet me projektin e BERZH-it, andaj duhet kohë për përfundimin e punimeve edhe për një vit. Më 27 dhjetor të atij viti u mor vendimi që afati të shtyhet deri më 30 dhjetor të vitit 2022.

Për më tepër, pasi më 2021 ky projekt duhej të harmonizohej me projektin e BERZH-it, Komuna e Ferizajt u detyrua që të nënshkruaj aneks-kontratë me operatorët ekonomik për shkak të punëve shtesë që iu dolën.

Me aneks-kontratën e nënshkruar më 7 prill 2022 në vlerë prej 64,296.00 euro vlera totale e projektit të nënkalimit në Nikadin shkoi në 735,444.68 euro të taksapaguesve.

Ngjashëm si tek kontrata bazë edhe punët e dakorduara me aneks-kontratë nisën me vonesë. Punimet për nënkalimin do të duhej që të fillonin menjëherë që nga data e nënshkrimit, megjithatë sipas Ditarit Ndërtimor punimet aty rifilluan tek më 31 maj 2022, shkelje kjo e afatit kohor të dakorduar mes Komunës dhe operatorit ekonomik.

Në dokumentet e ofruara nga Komuna e Ferizajt për këtë projekt, nuk evidentohen askund vërejtje të lëshuara ndaj operatorit ekonomik për vonesat në kryerjen e punimeve.

Komuna e Ferizajt, si qasje në dokumente dha vetëm planin për menaxhimin e kontratës ku tregohen datat e kryerjes së punëve por jo edhe raportet e menaxherëve të kontratës ku do të duhej të ishin edhe vlerësimet e punimeve apo vërejtjet eventuale.

Për këtë procedurë të prokurimit kishte plot nëntë oferta nga operatorë të ndryshëm ekonomik, disa nga këto oferta më të lira se ajo e fituesit e disa më të shtrenjta.

Sipas raportit të vlerësimit të ofertave, oferta e grupit të Operatorëve Ekonomik “ARLINDI” SHPK; N.N. ” Infra – Plus” në vlerë prej 671,148.68 euro u shpall fituese si oferta më e lirë nga ato që u shpallën të përgjegjshme.

Më poshtë një tabelë ku shfaqen të gjitha ofertat e operatorëve ekonomik për këtë procedurë të prokurimit si dhe tregohet se a u shpall ajo ofertë e përgjegjshme apo jo nga komisioni vlerësues i ofertave.

Ministria e Infrastrukturës në bazë të një memorandumi bashkëpunimi që kishte lidhur në vitin 2018 me Komunën e Ferizajt, kryen pagesat për këtë aktivitet prokurimi. Kjo Ministri ka lëshuar gjithsej gjashtë urdhërpagesa për punët e kryera në këtë projekt, pagesa këto që kapin shifrën prej 735,444.68 euro.

Urdhërpagesat nga Ministria u lëshuan për punët të cilat u monitoruan nga Komuna e Ferizajt.

Për këtë projekt, Komuna e Ferizajt më 10 tetor 2022 bëri edhe pranimin teknik.

Komisioni për pranimin teknik pranoi punët si teknikisht në rregull dhe mori vendim që të jepet leja për përdorimin e projektit.

Mbi 700 mijë euro të taksapaguesve u dhanë për këtë projekt por në pjesën e nënkalimit për këmbësorë në pamjet e kohës me shi, uji nuk u drenua por mbeti mbi sipërfaqen e udhës nga ecin banorët e fshatit Nikadin.

Pamje e nënkalimit për këmbësorë ku shihet mbledhja e ujit nga të reshurat – Qershor 2023
Pamja e pusetës tek nënkalimi për këmbësorë – Qershor 2023

Për problemet që pati ky nënkalim me mbledhjen e ujit, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini thotë se faji nuk ishte tek punimet.

Për mbledhjen e ujrave kemi hasë në mbyllje të pusetave me dushk, gjë që ka ndiku që me pas në kohën kur ju e keni vizitu pak ujë në nënkalim por me intervenimin dhe pastrimin e pusetave gjithçka është në rregull, gypi aty është Φ1000 dhe nuk ka me pas kurrë problem“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Nga fotografitë vërehet edhe tavani në gjendje jo të mirë.

Tavani i nënkalimit ka njolla në të që duken sikur kanë mbetur aty nga uji, rrjedhimisht reshjet e shiut.

Njollat në tavanin e nënkalimit për këmbësorë – Qershor 2023

Për këto pamje të tavanit, Hajdini thotë se ky nënkalim ka izolim funksional.

Në tavan nuk kam vërejt asnjëherë lagështi, izolimin e ka të përfunduar, ky izolim ka qenë funksional dhe nuk ka pasur telashe por që do e shohim dhe shqyrtojmë se a ka nevojë për intervenime në të ardhmen por që s’besoj që ka nevojë“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

“Qyteti i nënkalimeve” po quhet shpesh Ferizaj, rrallë herë kthehen sytë të shikohen edhe punët e kryera në këto nënkalime.

Muri i kësaj pjese të nënkalimit për vetura, është në gjendjen siç shihet në fotografitë më poshtë.

Edhe tavani i nënkalimit për vetura, ngjashëm si ai për këmbësorë ka njolla të mbetura në të.

Gjendja e tavanit dhe murit anësor në nënkalimin për vetura – Qershor 2023
Pamje e nënkalimit për vetura – Qershor 2023
Pamja e murit anësor në nënkalimin për vetura – Korrik 2023

Drejtori i Infrastrukturës thotë se në këtë nënkalim nuk ka plasaritje në asnjë segment, teksa komentoi edhe fotografitë.

Ajo është fuga e dilatimit të projektit ku bëhet ndërlidhja e vazhdimit të mureve, pra është fugë e dilatimit dhe nuk është plasaritje“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Në përgjithësi, Hajdini thotë se si Komunë janë të kënaqur me punët e kryera tek nënkalimi në Nikadin.

Punimet në këtë projekt kanë qenë të cilësisë së mirë, të lartë. Janë bërë të gjitha testet edhe siç i kanë kërkuar hekurudhat e Kosovës, të gjitha testet kanë dal mirë dhe projekti është funksional dhe shumë mirë“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Mbi këtë nënkalim nuk kanë kaluar ende treni i udhëtarëve dhe ai i mallrave.

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarve për vrasjen e policit Lika

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj të martën u ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarve H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.

Ata akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Ndërkaq dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit R.B, si i dyshuar kryesor për këtë vrasje.

Sipas Prokurorisë, R.B. e ka përcjellë gjatë natës policin Muhamed Lika deri tek hyrja e banesës dhe pasi është nisur shkallëve, i dyshuari ka shtënë në drejtim të policit. Në vend të ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri R.B. dyshohet se ka ikur në drejtim të një lokali ku ka takuar R.M., që dyshohet se po e priste dhe bashkë më pas kanë ikur.

Gjithashtu, nga incizimet prej vendit të ngjarjes dhe kamerave të sigurisë përreth janë kuptuar lëvizjet e të dyshuarve para, gjatë dhe pas aktit.

Që të gjashtë të dyshuarit u arrestuan të hënën gjatë një operacioni të gjerë policor në Kaçanik dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë. Po të njëjtën ditë, policia kreu bastisje në 9 lokacione në Kaçanik dhe në një fshat të Klinës, duke sekuestruar dy vetura, telefona mobilë, disa laptop, një armë zyrtare, maska, tyta armesh dhe fishekë.

Continue Reading

Ferizaj

Kërkohet paraburgim ndaj 6 të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Published

on

Prokuroria Themelore ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G nga Kaçaniku, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë”, të zyrtarit policor Muhamed Lika.  

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin Muhamed Lika ,me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.

Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit,  viktima Muhamed Lika, ka ndërruar jetë.

Me këtë, në bashkëkryerje, të pandehurit do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë”nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 06/L-074.

Të pandehurit që nga data 22 Prill 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Continue Reading

Ferizaj

Mbledhja komemorative për gazetarin Sylejman Shaqiri mbahet sot nga ora 14:00 në teatrin “Adriana” në Ferizaj

Published

on

Lajmi u bë i njohur nga familjarët përmes rrjeteve sociale.

Shaqiri ka qenë një figurë e rëndësishme në gazetarinë kosovare për dekada me radhë. Karrierën e tij e nisi në fillim të viteve ’80 në Radio Ferizaj, ku ushtroi detyrën e kryeredaktorit dhe drejtorit.

Më pas, ai vazhdoi punën në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP) si gazetar dhe redaktor përgjegjës.

Pas mbylljes së dhunshme të RTP-së në vitet ’90, Shaqiri dha kontribut të rëndësishëm në informimin e popullatës në Kosovë përmes valëve të radio Zagrebit dhe Radio Tiranës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shaqiri vazhdoi me angazhim në gazetari, fillimisht në Radio Ferizaj dhe Radio Tema, e më pas  mori pozita udhëheqëse në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), përfshirë atë të drejtorit të përgjithshëm.

Shaqiri lë pas një trashëgimi të rëndësishme profesionale dhe një kontribut të pazëvendësueshëm për gazetarinë në vend.

Në nderim jetës dhe veprës së tij, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj, do të mbajnë sot (19.04.2025) mbledhje komemorative me fillim nga 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Continue Reading

Trending