Connect with us

Lajme

Senatorja amerikane: Serbia të bashkëpunojë për hetimin e sulmit në Banjskë

Published

on

Senatorja e Shteteve të Bashkuara, Jeanne Shaheen, tha të premten se shpreson se Serbia do të bashkëpunojë për hetimin e sulmit të shtatorit ndaj Policisë së Kosovës dhe se përgjegjësit do të sillen para drejtësisë.

Shaheen tha se “ne jemi këtu për ta mbështetur Kosovën”, duke iu referuar vizitës së saj dhe senatorit Peter Welch në Prishtinë të premten, ku u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vizita e Shaheen dhe Welch në Prishtinë vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.

Duke folur rreth kësaj ngjarjeje, Shaheen, e cila është senatore e Nju Hampshir që nga viti 2009, tha: “Kjo na tregon, po ashtu, se për paqe dhe stabilitet afatgjatë këtu në Kosovë, është një mundësi për të vazhduar me mbështetjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuar për gjetjen e një bashkëjetese paqësore dhe afatgjate me Serbinë.”

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë.

Presidentja Osmani tha pas takimit se me senatorët bisedoi për ngjarjet e 24 shtatorit kryesisht, duke e akuzuar Serbinë se po “synon ta destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor duke vepruar si satelit i Rusisë”. Ajo tha se gjëja më e rëndësishme tani për ta “parandaluar Serbinë nga kryerja e akteve të tilla të agresionit në të ardhmen, është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit dhe t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që ata të përballen me sistemin tonë të drejtësisë”. /REL/

Kosovë

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Mbrojta paralajmëron apelim të vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Avokatët mbrojtës të ish-drejtuesve të UÇK-së kanë paralajmëruar se do të apelojnë menjëherë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata u shprehën thellësisht të befasuar dhe të indinjuar me dënimet e dhëna, pasi sipas tyre, trupi gjykues nuk i morri parasysh të dhënat, faktet dhe dëshmitarët e ekipeve mbrojtëse.

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.

Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.

“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit duke bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.

Dënimet e shqiptuara sot nga specialja me të madhe u kundërshtuan nga qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit ligjor të të akuzuarve, krerët e institucioneve dhe të partive politike, duke e vlerësuar vendimin dënues si goditje të rëndë për Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare.

Continue Reading

Kosovë

Policia paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve të rrejshme

Published

on

Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës.

Një mesazh i tillë i rremë, kinse për konfiskim të pajisjeve kompjuterike dhe hetim lidhur me krimet për pornografi të fëmijëve me kërkesë për paraqitje para organeve të drejtësisë është hasur në qarkullim nga zyrtarët e policisë.  

Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t’iu përgjigjen kërkesave të tilla.

“Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

#

Continue Reading

Trending