Connect with us

Kosovë

Hapet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për biznese

Published

on

Ministria e Ekonomisë të mërkurën ka lansuar subvencionimin për pajisje efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme financuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Masat që janë prezantuar përfshijnë:Pompë termike;Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket);Stufa individuale me biomasë.

Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është 20% e vlerës investive, apo deri në 2000 €. Kurse, për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 25% e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.

Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është 20% e vlerës investive, apo deri në 1000€.

Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është njëze25% e vlerës investive dhe deri në 1000 €.

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet 40% e vlerës investive, dhe deri në 2000 €.

Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 45% e vlerës investive dhe deri në 2000 €. Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 40% e vlerës investive dhe deri në 500€.

Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 45% e vlerës investive dhe deri në 500€. Aplikimi për subvencionim është  e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 21 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”.

 Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 10 janar 2024.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun:

me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/11/1Draft-final-21-11-2023-NMVM-Thirrja-per-Pajisje-ngrohese-eficiente.docx

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Kosovë

Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, ish-partnerit të së ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra me 18 maj të vitit 2011.

Aktakuza në mungesë është ngritur më 22 tetor të këtij viti, pasi i akuzuari ndodhej në Spanjë e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj autoritetet e kishin të pamundur ekstradimin e tij.

Sipas aktakuzës, fillimisht viktima ka raportuar tek autoritetet se nga ish-bashkëjetuesi me të cilin kishte një fëmijë, për dy vite kishte përjetuar maltretim fizik dhe psikik.

Më pas, sipas pretendimeve të viktimës, për shkak të kërcënimeve nga i akuzuari ajo kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë urdhër për mbrojtje emergjente. Edhe pse Gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve, kjo kërkesë e viktimës nuk u realizua asnjëherë.

Pas 22 ditësh, saktësisht më 18.05.2011, Dijana Kastrati pretendohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga tashmë i akuzuari Adnan Jashari.

Afërsisht një vit pas rastit, prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me mos veprimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për vendosjen e urdhrit për mbrojtje emergjente, vajzës së tyre i është cenuar e drejta themelore për jetë.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Komunale në Prishtinë kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente. 

Më pas, Gjykata e Apelit e Kosovës vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, si kompensim për dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore.

Continue Reading

Kosovë

Tre të arrestuar në Kosovë në aksionin ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime

Published

on

Tre persona u arrestuan në Kosovë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar kriminal, që u premtonte njerëzve fitime të shpejta përmes platformave të rreme të investimeve në internet.

Skema dyshohet se ka pasur viktima në të paktën 50 vende, ndërsa humbjet financiare të identifikuara nga hetuesit tejkalojnë katër milionë euro, sipas agjencisë evropiane të policisë, Europol.

Në Kosovë, Policia bastisi më 3 nëntor pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit të organizuar kriminal, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Operacioni përfshiu edhe Shqipërinë, Qipron, Finlandën, Gjermaninë, Izraelin dhe Maqedoninë e Veriut.

Në total, autoritetet kontrolluan 17 lokacione dhe sekuestruan mbi 100 serverë, si dhe prova e pasuri të tjera.

Europol-i raportoi, gjithashtu, për shtatë persona të arrestuar me qëllim ekstradimin në Gjermani, por nga njoftimet zyrtare nuk është e qartë nëse në këtë numër përfshihen edhe tre personat e arrestuar në Kosovë.

Si funksiononte mashtrimi?

Gjithçka niste me një reklamë në internet që premtonte fitime të mëdha dhe të shpejta nga investimet në kriptovaluta, aksione apo valuta të huaja.

Personat që shfaqnin interes, drejtoheshin në platforma që dukeshin si faqe të ligjshme investimesh.

Të dhënat e tyre personale më pas u shiteshin grupeve kriminale që operonin qendra të thirrjeve.

Prej aty, persona që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë, i kontaktonin dhe i bindnin të investonin.

“Viktimat fillimisht nxiteshin të transferonin një shumë të vogël. Më pas, llogaritë e tyre në internet shfaqnin fitime fiktive, duke krijuar përshtypjen se platforma ishte e besueshme dhe investimi i suksesshëm”, shpjegon Europol-i.

Të bindur se po fitonin, viktimat nxiteshin të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha, shpesh nën presion të vazhdueshëm psikologjik.

Problemi shfaqej kur kërkonin t’i tërhiqnin paratë.

Operatorët gjenin arsyetime për t’i shtyrë pagesat, derisa në fund ndërprisnin çdo kontakt.

Çfarë lidhjeje kishte Kosova me rrjetin?

Hetuesit dyshojnë se pas platformave mashtruese qëndronte një kompani që vepronte nga Qiproja dhe Izraeli dhe që furnizonte grupe kriminale me faqe të rreme për tregtim financiar.

Kompania dyshohet se u ofronte grupeve të tjera infrastrukturën teknologjike për kryerjen e mashtrimeve, sipas një modeli të njohur si ‘crime-as-a-service’, apo ofrimi i shërbimeve për veprimtari kriminale.

Hetuesit identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kompanisë, të lidhur me qendra të thirrjeve që dyshohet se përdoreshin për mashtrime në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Përmasat e veprimtarisë së dyshuar në Kosovë mbeten të paqarta.

Autoritetet nuk kanë treguar se sa persona mund të jenë mashtruar nga qendrat e thirrjeve që vepronin në vend, as sa para mund të jenë përfituar përmes tyre.

Hetimi nisi nga ankesa e një çifti gjerman

Rrjeti nisi të zbulohej në vitin 2022, kur një çift në Gjermani raportoi se nuk po arrinte t’i tërhiqte paratë e investuara përmes një platforme tregtimi në internet.

Ankesa çoi në një hetim që gradualisht zbuloi lidhje mes grupeve të dyshuara kriminale në disa shtete.

Operacioni i parë ndërkombëtar, i zhvilluar po atë vit, rezultoi me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e provave.

Analiza e materialeve ndihmoi hetuesit të identifikonin shtatë të dyshuar të tjerë, përfshirë persona që dyshohet se drejtonin qendra të thirrjeve.

Një operacion i dytë, në vitin 2025, solli arrestime të tjera dhe sekuestrimin e parave dhe provave, të cilat i çuan hetuesit te kompania që dyshohet se siguronte infrastrukturën teknologjike për mashtrimet.

Hetimi katërvjeçar u drejtua nga Prokuroria Publike e Itzehoes në Gjermani.

Operacioni i 3 nëntorit u mbështet nga Europol-i dhe Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, Eurojust, që ndihmuan në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve mes vendeve të përfshira.

Ekspertë të Europol-it u dërguan edhe në Kosovë dhe Shqipëri për të ndihmuar në analizimin e provave digjitale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending