Connect with us

Kosovë

Krejt çfarë dihet për vrasjen e Liridonës

Published

on

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se seanca e parë për tre të dyshuarit është caktuar për 3 dhjetor, në orën 9:30.

“Murseli e ka porositur vrasjen”

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

“Do ta zhvarrosim trupin”

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.

Mllef, posaçërisht, ka nxitur fakti se Naim Murseli është parë duke marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes.

Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se familjarë të Liridonës, synojnë ta zhvarrosin trupin e së ndjerës nga Gjakova, ku është varrosur, pas dyshimeve se bashkëshorti ka dorë në vrasjen e saj.

Liridona Ademaj, jo Murseli

Në reagime e sipër në rrjete sociale, disa kanë kërkuar që Liridona të njihet me mbiemrin e vajzërisë, Ademaj, dhe jo Murseli, të familjes së burrit.

Disa janë shprehur të alarmuar me dhunën kundër grave, disa i kanë vënë fajin mendësisë patriarkale për raportimet sistematike për dhunë, dhe kanë kërkuar më shumë siguri për gratë.

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, më 3 dhjetor është thirrur një protestë pas vrasjes së Liridonës.

Në orën 11:30 është planifikuar të mbahet një marsh drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë, me thirrjet ndal femicidin.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave, apo normave të dëmshme shoqërore.

Në periudhën janar-nëntor, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”.

Në aktivitetin e mbajtur më 27 nëntor, të titulluar “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.

Vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë tri gra – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.

Në periudhën 2010-2022 në këtë shtet janë vrarë 50 gra.

Në Kosovë, rastet e dhunës në familje mund të raportohen në numrin 0800 19 999.

Linja telefonike e Mbrojtësve të Viktimave është 0800 11 112

/REL/

Kosovë

Çitaku e quan vendimin e speciales të turpshëm dhe të papranueshëm

Published

on

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur të turpshëm e të papranueshëm vendimin e Dhomave të Specializuara për dënimet ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin për pengim të drejtësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se vendimi i sotëm vetëm sa e ka thelluar mosbesimin në drejtësinë e administruar nga kjo gjykatë. Sipas saj, drejtësia nuk mund të ketë standarde të ndryshme për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.

“Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë. Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate”, ka thënë ajo duke shtuar se padrejtësisë do t’i përgjigjemi me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar.

“Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund”, ka shkruar Çitaku.

#

Continue Reading

Kosovë

Specialja dënon Thaçin me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë

Published

on

Gjykata Speciale në Hagë shpalli sot aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Hajredin Kuçit dhe Fadil Fazliut, në rastin për pengim të drejtësisë.

Në seancën që nisi sot në orën 10:00, gjykatësi Christopher Gosnell lexoi përmbledhjen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim pasi u  shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj. Të dy këta do të lirohen pasi koha e tyre e kaluar në paraburgim tejkaloi dënimin e shqiptuar.

Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht dhe dënimi ndaj tij nuk të ekzekutohet nëse Kuçi nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës prej 1 viti.

Ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe do të lirohet menjëherë.

Continue Reading

Kosovë

Ish-ministri Astrit Haraqija në mesin e 6 personave të arrestuar për narkotikë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se gjatë aksionit të koduar “Heshtja”, të zhvilluar të shtunën, më 14 nëntor , janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe substancë të panjohur, si dhe tableta të dyshuara të ekstazisë.

Para të gatshme në valuta të ndryshme, në vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, 6 vetura të markave luksoze të ndryshme, telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, pajisje për vëzhgim, ora luksoze dhe stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike, si dhe dokumente dhe shënime të ndryshme që do të trajtohen në kuadër të procedurave hetimore.

Aksioni u realizua në disa lokacione në rajonin e Prishtinës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

Continue Reading

Trending