Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar për ndalimin e një personi me inicialet B.T. lidhur me rastin që ka ndodhur dje rreth orës 15:50, në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, ku humbi jetën një punëtor derisa po punonte në një objekt ndërtimi. Viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Sipas prokurorisë, i arrestuari B.T. është ndaluar nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Njoftimi i Prokurorisë:
Ndalohet një person për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”
Ferizaj, 13 Tetor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar me iniciale B.T., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, rreth orës 15:50:, ku, një person, i cili po kryente punime në një objekt ndërtimi, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokurori i shtetit, pas daljes në vendin e ngjarjes, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore.