Connect with us

Verified

VERIFIED – Lajmet e rreme sfidojnë qeverisjen lokale – Episodi 6

Published

on

Raportimi për mënyrën e qeverisjes qendrore e lokale kërkon përgjegjësi të bazuar mbi të vërteta të palëkundshme. Pushteti komunal përballet me një mal lajmesh të rreme, që nuk sfidojnë vetëm autoritetin e kryetarëve të zgjedhur demokratikisht, por edhe krijojnë huti në mesin e qytetarëve të shoqërisë kosovare, të lidhur ngushtë me platforma sociale. Aty, ku bëhet lufta e madhe e fjalëve me të vërteta e të pavërteta të qëllimshme. Lajmet e rreme po cenojnë demokracinë lokale.

Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës:

“Patjetër që ka rrethana në të cilat gjendemi dhe që duhet me u marrë me to, veç po ju tregoj diçka: fake news ka pasë prejse ekziston njerëzimi. Tash, problemi me fake news sot është se i ka mbërri përmasat e rrjeteve sociale, masmediave, që domethënë se depërton shpejt dhe gjithkund, që është më sfiduese, mirëpo në shoqërinë tonë thashetheme, gënjeshtra dhe të pavërteta për dikë janë thënë edhe gojë më gojë gjithmonë. Tash është e vërtetë se është më sfiduese për shkak se merr përmasa pothuajse nacionale një fake news dhe zakonisht është më zor me luftu një lajm të pavërtetë kur e merr dheun sesa me ba diçka tjetër. Domethanë është sfiduese, është sfiduese për demokracinë, është sfiduese për punën e njerëzve dhe ndikon edhe në marrëdhëniet e njerëzve. Domethënë, kur shohim shpesh mllef dhe kacafytje, nëse gërmojmë pak ma thellë kemi me pa se ka nisë me një fake news, ose me një të pavërtetë dhe atëherë njerëzit ballafaqohen me tema, me të cilat njerëzit as në kushte ideale nuk duhet me u ballafaqu. Domethënë na kemi problem me vendosje të premisave të vërtetave edhe kur debatojnë në televizion, edhe kur debatojnë në parlament, edhe kur debatojmë mes vete, domethënë fake news e ka shkatërru këtë që të debatojnë racionalisht edhe për ose kundër një çështjeje për shkak se premisat bazë të asaj që është e vërtetë ose jo, i kemi të çoroditne.

Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës

Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit:

Duke qenë se po jetojmë në një botë virtuale, ku ballafaqohemi me rezultatet, por edhe me pasojat e zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, pak a shumë është bë si standard krijimi i lajmeve të rrejshme, apo lajmeve fake si i thonë, dhe oponentët politikë duke qenë jokorrektë, se Vetëvendosja karakterizohet me jokorrektësi, nuk kanë hezitu me kriju lajme të rreme, edhe me ja fut kot. Së pari kanë fillur me gjëra që nuk janë të vërteta, që nuk iu kanë dhezë, dhe kanë fillu me trillu gjana, me imagjinu palidhje dhe njeriu normal që kaniherë edhe e ninë veten keq. Mirëpo, në asi raste, reagimet e mia dhe të ekipit tim kanë qenë racionale e joemocionale, sepse reagimet emocionale ua mundësojnë atyre me i arrit qëllimet e veta, edhe ia mundësojnë edhe me na qitë keq. Kur jemi ballafaqu me lajme të tilla, së pari e kemi analizu a është, apo nuk është e vërtetë – zakonisht lajmet e tilla nuk janë të vërteta, sepse vetë fjala fake është e rreme – pastaj e kemi vlerësu a ia vlen, apo nuk ia vlen me reagu, pastaj nëse ia vlen me reagu, në çfarë forme duhet me reagu. Por, po e them edhe njëherë, Vetëvendosja kryesisht në skenën politike kosovare shërbehet me kësi metoda, sepse tenton të manipulojë opinionin publik, por fatmirësisht unë jam i lindun, i rritun, qytetar i vjetër i Prizrenit, jam marrë me shumë aktivitete dhe fatmirësisht qytetarët e Prizrenit më njohin, kështu që nuk iu ka dhezë, sepse përndryshe sikur t’iu kish dhezë, nashta nuk do t’i kishim fitu zgjedhjet.

Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit

Qemajl Aliu – Kryetar i Shtimes:

Unë nuk mendoj se ka pasur kandidat, e pastaj edhe kryetar komune që ka qenë më i shënjestruar i goditjeve të fake newsave, por edhe i vendosjes së nofkave. Gjatë fushatës më është bërë pikërisht me këto adresat, portaleve fake, por edhe adresave personale fake në rrjetet sociale, ku është goditja goxha shumë nën brez, deri në pikën ku ku unë nuk kam mujtë me imagjinu të goditet figura ime, familja ime, bashkëshortja ime deri në pikat që me vu në dyshim edhe kredibilitetin edhe moral, edhe kombëtar timin. Mendoj se njerëzit që ma kanë njohur, e kanë ditur dhe ndoshta pikërisht kjo e ka bërë edhe efektin e kundërt. Edhe beso se në disa raste unë mendoj se edhe më kanë ndihmu me kundërefekt, sepse për hir të së vërtetës ne jemi komunë e vogël, edhe jemi aq sa me njoftë njëri-tjetrin në aspektin e temave të mëdha dhe unë personalisht vij prej një familje me kontribut të çmuar edhe kombëtar, edhe profesional dhe ato tema që kanë dashur të më vishen nuk kanë të bëjnë fare. Madje, kjo ka ngjallur edhe kundërefekt te shumë njerëz që më kanë njohur edhe nga afër.  

Qemajl Aliu – Kryetar i Shtimes

Në të vërtetë, tre prej kryetarëve të intervistuar të komunave ndryshme të Kosovës janë përballur me lajme të rreme e fushata dezinformimi edhe gjatë fushatave zgjedhore.

Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit:

Kur të ka lajme tepër të rreme, ku pasojat mund të jenë shumë të mëdha, ne natyrisht se analizojnë mundësinë e demantimit. Edhe demantimi zakonisht bëhet me prezantimin e fakteve, në mënyrë që me tregu edhe realitetin, edhe të vërtetën, edhe me demasku atë tentativë të atij personi, apo atij grupacioni politik, apo individi, kushdo që do me ba atë punë. Ka pasur edhe asi raste, mirëpo më shumë i shohim si një tentativë e nivelit shumë të ulët që më shumë vjen nga dëshpërimi, apo nga pamundësia që ndryshe me u ballafaqu me ne, mirëpo… në shumicën e rasteve nuk u japim publicitet shumë të madh, mirëpo kur atakohemi me të pavërtetë kur ka raste, zakonisht e prezantojmë realitetin ashtu qysh është dhe ia lamë qytetarëve le ta vlerësojnë ata vetë.

Qemajl Aliu – Kryetar i Shtimes:

Po gjatë fushatës na jemi ballafaqu shumë, siç e dini, mirëpo ne jemi munduar nëpërmjet kontakteve që i kemi pasur direkte në publik me i demantu, herë pas here kemi dalë edhe me disa tekste në faqen time zyrtare, e kemi demantu atë që është thënë, por edhe në studiu televizive ku kam marrë pjesë gjatë debateve politike që i kemi pasë, si me thanë, gjatë fushatës. Pas marrjes së detyrës së nuk jemi shqetësu aq shumë, sepse e kuptuan qëllimin dhe gjendjen e vërtetë reale të këtyre edhe portaleve, por edhe profileve fake dhe nuk është se jemi fokusu shumë me u marrë me to.. Jemi marrë me to kryesisht kur përbaltja ka qenë tepër e madhe për tema që ne jemi detyru me dalë përmes argumenteve dhe kundërargumenteve. Disa herë i kemi adresuar te Komisioni i Pavarur për Media, por edhe te Këshilli për Media të Shkruara, poashtu kemi ba edhe denoncim në Stacionin policor në Shtime, fatkeqësisht nuk është se ka pasë ndonjë efikasitet, ashtu sikur edhe e ka meritu edhe tema. Zakonisht, në Komisionin e Pavarur për Media dhe në Këshillin për Media të Shkruara, ne kemi bërë ankesa kur këto media janë edhe legale – se fatkeqësisht përveç këtyre fake newsave dhe lajmeve fake, ka edhe media që kanë adresë, që kanë emër, që janë të regjistruara, e që shpeshherë influencohen nga këto fake news, edhe e marrin edhe si të vërtetë – por fatkeqësisht nuk ka pasur rezultate as nga këto këshille, por as nga Stacioni policor në Shtime.

Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës:

Pavarësisht se unë bëj pjesë në grupin e njerëzve  beson seqë në Kosovë ka politikanë të ndershëm, të cilët me nder e marrin punën e tyre, të zgjedhur në cilindo nivel, qoftë në nivelin lokal, apo nacional, përcepcioni global është se politikanët janë oportunistë, dhe për shkak të atij përcepcioni ne nuk guxojmë me ia dhanë vetes rolin me luftu fake newsin si fenomen në përgjithësi. Nuk guxojmë se nuk është kredibile, na duhet me gjet rrugë që është kredibile. Kjo është arsyeja se pse në demokracia janë jetike media e lirë dhe shoqëria civile. Janë jetike për shkak se duhet prapë me zbutë këtë përcepcion, sepse kur e merr një lajm, duhesh me marrë edhe prej një institucioni të pavarur. Tash çka bajmë na, tash detyrimisht edhe unë nëse del një lajm i rremë dhe i pavërtetë që ka të bëjë me punën time dhe të Komunës, unë duhet me reagu. Reagime janë përmes mediave elektronike, portaleve, televizioneve, por edhe përmes rrjeteve sociale, të cilat sot janë fakt i jetës, pavarësisht a na pëlqejnë a jo, janë fakt i jetës, fakt të cilin nuk mujmë me zhba. Domethanë edhe na i përdorim të gjitha metodat. Politika dhe fjala nuk janë bash krejt shkencë, janë edhe talent. Dikush ka ma shumë talent me përçu një mesazh, dikush nuk mundet. Është shkathtësi e patransferueshme. Nuk mundesh me mësu dikën qysh me ba, por të gjithë i përdorim mjetet, por i përdorim në raste tepër konkrete. Nëse unë sot nisi sot si kampanjë si politikan për me luftu fake newsin përmes mjetit të punës që e ndërtoj, krebiliteti vetvetiu, pavarësisht se çfarë jam unë në brendësi, është ma i  butë se një medium i pavarur, ose një organizatë e pavarur, domethanë duhet me pasë parasysh këtë pjesë.  

Lajmet e rreme po përbëjnë sprovë edhe për qeverisjen qendrore e lokale edhe në shtetet me demokraci të konsoliduar, por që po goditen nga fushata të ashpra të llojeve të ndryshme mediash. Kjo ka shtyrë media të mëdha e OJQ të njohura që të krijojnë platforma të veçanta për luftimin e lajmeve të rreme, meqë rregullimi ligjor konsiderohet goxha i ndjeshëm e shpesh kundërthënës.

Qemajl Aliu – Kryetar i Shtimes:

Fillimisht shënjestra ka qenë figura ime, personaliteti ime, e më vonë kanë ardhur duke i goditur pikërisht bashkëpunëtorët e mi më të zelllshëm, domethanë në ato drejtori që kanë punuar më së shumti, ata kanë qenë shënjestër, por pse jo, nuk i kanë kursyer edhe nëpunësit civilë, që kanë qenë profesionalë dhe që kanë bërë punë të mira në shërbim të të zhvillimit të projekteve të mira dhe në shërbim të qytetarëve. Domethanë, gjithmonë shënjestra e parë jam unë, por edhe bashkëpunëtorët e mi, qoftë politikë, qoftë të stafit politikë, por edhe të administratës, sepse puna e mirë dhe projektet e mira, që çdo ditë e më shumë po mirëpriten e po përkrahen nga qytetarët e komunës tonë, pa dallim gjeografik ose të bindjes politike, pikërisht ata po goditen nga këto fake news, por fatkeqësisht nganjëherë edhe nga media nacionale me qëllim a pa qëllim, me vetëdije a pa vetëdije, bien preh e këtyre lajmeve të rreme që burojnë prej atyre të qenurit fake.

Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit:

Fatmirësisht performanca jonë në rritje, sidomos në dy vitet e fundit, edhe rezultat tona në njëfarë mënyre edhe e devalvojnë çdo tentativë të krijimit të lajmeve të rrejshme. Ka shumë shpesh tentativë që përmes shkëputjes së detaleve nga tansia,  të tentojnë të krijojnë një pasqyrë të rrejshme. Edhe në asi raste, me ba me reagu me iu reagu me ni demant, në nifarë mënyre po ua rritu autoritetin, edhe vlerën, kështu që na nifarë mënyre na i kemi lanë të zhyten në atë far dyfytyrësinë e tyne që e kanë ku tentojnë me realizu objektiva dhe qëllime përmes lajmeve të rreme, duke dashtë me devalvu rezultatin e punës, i cili tashmë është evident në territorin e komunës së Prizrenit. Po du me ju përmend veç një rast – ky nuk është fake se këtë kryeministri e ka thanë vetë – “mos e votoni Shaqir shejtanin” në ni miting, ose në ni tubim të madh të Vetëvendosjes. “Mos e votoni Shaqir shejtanin”, kështu në thonjëza, është ni tentativë e mjerë e atij personi që i përdor këto fjalë, mirëpo nuk iu ka dhezë sepse reputacioni jem është shumë ma i madh sesa tentativat e tij të ulëta.

Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës:

Jo vetëm ne si shoqëri, jo vetëm komunat e Kosovës, jo Kosova, por edhe në gjithë botën është problem, edhe në krejt botën. I kanë gjetur disa mekanizma zbutës, si me thanë me mitigu problemin, kanë dalë disa media, disa organizata joqeveritare, të cilat posaçërisht merren me identifiku lajmet e rreme, dhe i keni parë që dalin me ato vulat “Fake” dhe e qesin të vërtetën, sepse shoqëritë duhet me nisë me u ballafaqu me këtë fenomen se me të vërtetë është i lodhshëm. Na lodhë si shoqëri, domethanë nuk e le debatin me u zhvillu. Do të thotë nëse dikush është duke e kry një punë A dhe dikush mendon se është keq, nuk e le me kry, atëherë nuk debatohet se a është mirë a keq ajo punë, por ma shumë debatohet për shkak të rrethanave që krijohen për shkak të të pavërtetave që janë servu lidhur me një çështje, sepse nuk po i thom lidhur me atë projekt.  Kështu që po, unë mendoj se duhet me pasë entuziastë në Kosovë, të cilët merren seriozisht me atë punë, sepse nëse dikush do me luftu fake news duke ba vetë fake, atëherë ban problem edhe ma të madh. Mirëpo, nëse ka njerëz të ndershëm e vullnetmirë, gra e burra, të cilët dojnë me u marrë me këto tema, ka hapësirë të palimitune me u marrë me këto tema, edhe ndërkohë njerëzit fillojnë me iu besu atyre platformave ose atyre njerëzve, edhe e kanë lehtë me e verifiku.  

Në Kosovë janë qindra portale e llogari virtuale me mijëra ndjekës që nuk kanë pronësi e autorësi të deklaruar e të regjistruar ligjërisht. Dhe pikërisht ato plasojnë akuza e njollosje figurash publike, pa ofruar kurrfarë faktesh për përmbajtjen e shkrimeve dhe postimeve publike.

Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit:

Çdo zhvillim i teknologjisë, i hovshëm, i ka anët e veta pozitive, sepse mundëson një komunikim ma të lehtë, mundëson shpërndarjen e informatave, mirëpo natyrisht për njerëzit e mbrapshtë – po e përdori këtë shprehje qëllimisht – është edhe një mundësi për me shpërnda lajme të rreme, edhe për mua kisha me qenë i logjikshëm tentimi që përmes legjislacionit, përmes sanksionimit të atyre personave që merren me këso gjana, në nifarë mënyre të parandalohet, ose të zvogëlohet sasia e lajmeve të rreme që dalin në opinionin publik, sepse, sipas mendimit tim të paktën, nuk mujmë me eliminu këtë dukuni. Por, ajo që mujmë me ba me ni qasje korrekte, me ni legjislacion konstruktiv, pozitiv, mujmë, duke i ndëshku ose sanksionu ata persona që merren me këso gjana, me pru në nivel ma të ulët ku nuk është pengesë për funksionimin normal të shoqërie të civilizune, kisha me thanë.

Qemajl Aliu – Kryetar i Shtimes:

Kjo është një betejë që nuk është thjesht personale. Nuk duhet të jetë e kryetarit të Komunës së Shtimes, por as e secilit kryetar veç e veç, mirëpo unë mendoj se këto argumente në Shtime, por edhe në secilin qytet, ndaj secilit personalitet publik, duhet të adresohen. Unë mendoj se ne si shoqëri duhet të reflektojmë. Mbajtja e përgjegjësisë së fjalës publike duhet të ekzistojë pavarësisht se kush është dhe nga kush del. Edhe duhet të sanksionohet nëse ajo është për qëllime goditëse, denigruese, edhe të krijimit të disa poenave politike. Për këtë, unë mendoj se duhet të krijohet legjislacioni i duhur, po edhe duhet të krijohen edhe mekanizma në mënyrë që këto rregulla dhe këtë legjislacion ta implementojmë ashtu qysh duhet. Secili prej nesh ka edhe përvojë, qoftë edhe të shkurtër të të jetuarit jashtë shteti – unë për vete kam ni përvojë edhe në Gjermani – dhe mbajtja e përgjegjësisë publike është e shenjtë. Ti mund të thuash gjithçka, por pastaj vijnë prapa sanksionet nëse ti ke tentu të shpifësh, ose të denigrosh, qoftë në adresë të individit, qoftë edhe ndaj një institucioni, dhe pastaj vijnë masat sanksionuese. Diçka e tillë në Republikën tonë nuk po ndodhë, edhe është mirë sa më shpejt  të dalim nga kjo situatë që jemi, sepse askush nuk ia ka borxh, në fund të fundit, askujt derisa unë personalisht jam përpjekur këto dyzetë vite të jetës time të eci për fije të perit në aspektin profesional, etik, kombëtar, por edhe njerëzor, edhe për pesë minuta, dikush që ka një mikrofon, ose dikush që e ka edhe një media pa adresë, madje një media fake, me hedhë baltë mbi personalitetin tim, por edhe të familjes time të ngushtë, por edhe të gjerë, domethënë, kjo është e dëmshme dhe nuk është aspak njerëzore dhe aspak etike.

Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës:

Unë nuk besoj se një legjislacion i tillë është tepër i komplikun, ose tepër kontravers, domethanë duhet vetëm me kualifiku shkrimin në rrjete sociale si fjalë e lirë fillimisht, por edhe fjala e lirë i ka, iu nënshtrohet disa kushteve. Nuk është fjalë e lirë me fy drejtpërdrejt dikë, qoftë si person, qoftë në baza gjinore, qoftë në baza religjioze, çkado. Domethënë, fillimisht konsiderohet si fjalë e lirë, e cila edhe penalizohet, edhe në Kosovë ni pjesë e legjislacionit edhe e rregullon. Nëse dikush e kërcënon dikë përmes Facebookut, ka pasoja ligjore. Çështja tjetër është me rregullu pronësinë e një profili. Kjo është pak më sfiduese për shkak se shumica dërmuese e fake news-it vjen prej profileve që janë të rrejshme, që janë fake, që iu themi ne, ose prej portaleve që nuk dihet se kush qëndron prapa. Rregullimi i kësaj pjese nuk është kaq i thjeshtë, sepse mundet me prek në disa aspekte kushtetuese, po iu thom, që kanë të bajnë me të drejtat e njeriut, me lirinë e fjalës, me privatësinë e me shumëçka tjetër, mirëpo po besoj duhet me provu me i pa vendet e tjera me pa se si kanë nisë me rregullu këtë çështje, sepse nëse dihet se secili profil në secilin rrjet social kë e ka pronar të vërtetë, ose se kush qëndron prapa, po besoj se deri në një masë reduktohet plasimi i lajmit të rrejshëm, fake newsit, veç ashtu.

Fuqizimi i sistemit të drejtësisë, sidomos në fushën e trajtimit të padive e akuzave për shpifje, do ta ndihmonte jashtëzakonisht shumë rolin dhe përgjegjësinë e fjalës publike.

Në dhjetor, iniciativa për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës u përdor nga disa media serbe për të plasuar tituj e lajme të rreme me pretendimin se institucionet e Kosovës kanë refuzuar kërkesat e serbëve lokalë me qëllim që të krijohen tensione në pjesën veriore të vendit.

Në analizën e hollësishme të Fitim Gashit në platformën “Sbunker” thuhet se autoritetet komunale krijuan paqartësi me mospranimin e peticioneve të qytetarëve serbë, porse disa media serbe e interpretuan qëllimshëm këtë si konfirmim të atij që e quajtën “terror ndaj serbëve”.

Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar pranimin e nismave serbe për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok. Mbajtja e zgjedhjeve në veri ishte një prej masave që Qeveria u pajtua t’i ndërmerrte me qëllim shtensionimin e situatës, shkruan Gashi në “Sbunker”.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified

VERIFIED – Kosovarët nuk i ‘’hanë’’ rrenat për BE-në – Episodi 10

Published

on

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë i kushton rëndësi të madhe identifikimit dhe luftimit të lajmeve të rreme në shtetin më të ri të Evropës. BE-ja ka misionin më të madh të jashtëm në Kosovë.

Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:

“Siç e dini, dezinformimi është vendosur lart në agjendën e BE-së. Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së ka Divizionin e Komunikimit Strategjik, i cili gjithashtu përfshin tri taskë-forca, njëra prej të cilëve është për Ballkanin Perëndimor dhe lidhet me dezinformimin. Andaj, çfarë ata bëjnë, identifikojnë, analizojnë dhe ngrehin vetëdijen për këtë fenomen dhe sesi shfaqet, përfshirë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe afërmendsh se ata krijojnë strategji sesi ta luftojnë dhe sesi të promovohen  interesat strategjike të BE-së në rajon, sikurse edhe vlerat e BE-së. Natyrisht se nuk bëhet vetëm kjo punë, sepse kanë bashkëpunim me shtetet anëtare të BE-së, me institucionet tjera të BE-së. Natyrisht me të gjithë ne në terren, ta zëmë me Zyrën e Misionit të BE-së në Kosovë. Ata bashkëpunojnë me shoqërinë civile, me mediat, me aktorë tjerë ndërkombëtarë,   me qëllim që të ketë një qasje mbarëshoqërore kundrejt kësaj çështjeje. Së fundmi, them afërsisht  një muaj më parë, kanë nxjerrë raportin e dytë për manipulimin e jashtëm informativ dhe për kërcënimet e ndërhyrjes. Është një raport fort interesant, përfshinë, në të vërtetë hartëzon aktorët, aktorët e huaj, të cilët manipulojnë informimin dhe me qëllimin strategjik që të ndjellin konfuzion dhe frikë”.

Ioanna Lachana – Shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë

Korrespodenti i Grupit KOHA në Bruksel thotë se Bashkimi Evropian është dëshmuar i suksesshëm në luftën kundëër lajmeve të rreme, megjithëse janë të përhershme përpjekjet për ta mjegulluar gjendjen reale.

Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:

“Sa i përket Bashkimit Evropian dhe mënyrës dhe mjeteve me të cilat po lufton, brenda BE-së ka struktura që merren me fushata kundër fushatave të dezinformimit. Ato janë të suksesshme në identifikimin e lajmeve të rreme, janë të suksesshme në identifikimin e fushatave të dezinformimit, identifikojnë edhe mediat që përhapin ato. Disa prej atyre mediave janë ndaluar dhe janë nën sanksione të Bashkimit Evropian, por  gjithsesi nuk është një detyrë e lehtë pasi që nuk është lehtë ta luftosh të pavërtetën se shpesh e pavërteta është shumë interesante dhe depërton në opinion. Thotë një fjalë popullore: Përderisa e vërteta i mbathë këpucët, rrenat tashmë i ka kaluar gjysmën e botës. Dhe me këtë parim Rusia po e bën propagandën e vet me një sukses të konsiderueshëm, do të thoja”.

Augustin Palokaj – Korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel

Sfidat me të cilat po përballen institucionet e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të ngjashme me ato me të cilat blloku evropian sprovohet edhe në skenën botërore, por ka edhe specifika të lidhura me zhvillimet lokale.

Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:

“Paj, sfidat me të cilat përballemi këtu, janë në të vërtetë sfida botërore. Janë botërore, janë përherë në ngritje dhe janë të ndërlikuara. Ta zëmë, derisa kishim këtë avancim dixhital dhe afërmendsh një ndryshim rrënjësor në spektrin mediatik, dhe natyrisht se kjo e demokratizoi pjesëmarrjen, solli edhe sfida. Tani po e shohim se këta aktorë dezinformimi po përdorin inteligjencën artificiale, po shohim video thellësisht të rreme, që të përmendim një shembull që ka qarkulluar me të madhe këtu në Kosovë; videoja e Elon Muskut, duke folur shqip goxha rrjedhshëm, madje larg më mirë se unë. Çështja është se ata e bëjnë këtë për të rrokur vëmendjen, e bëjnë këtë që të duken më të besueshëm. Çështja është çfarë bëjmë ne që ta luftojmë këtë; ne në Bashkimin Evropian në Kosovë e shohim këtë fenomen me një qasje gjithëpërfshirëse. Së pari, mundohemi ta kemi parasysh situatën e ngritjes së vetëdijes, bëjmë monitorim të gjerë të mediave, dëgjim të mediave sociale, dhe mu për këtë përdorim edhe burime njerëzore, por edhe një mjet të Inteligjencës Artificiale. Pos këtyre, me të detektuar se ka një kërcënim dezinformimi, rrekemi ta identifikojmë,   e analizojmë çfarë qëndron prapa tij dhe dalim me një strategji si ta luftojmë para se kjo narrativë të përhapet. Strategji shumë e rëndësishme për ta luftuar këtë dezinformim është edhe komunikimi proaktiv, sepse nëse bëni komunikim më proaktiv, lini më pak hapësirë për aktorët dezinformues që narrativi i tyre të marrë dheun. Dhe afërmendsh, sikur që e dini mirë, BE-ja mbështet edhe mediat me qëllim që të bëhen më të pavarur, sepse kështu minimizojmë, sidomos me mediat me të cilat punojmë, sepse e dimë se nëpërmjet mbështetjes nga BE-ja, ato bëhen më të pavarura dhe më profesionale, si dhe të mos ketë dezinformata prej anës së tyre. Natyrisht se ne jemi angazhuar edhe me veprime të edukimit medial me qëllim që ta luftojmë këtë fenomen. Sidoqoftë, BE-ja, e vetme, nuk mund ta luftojë këtë fenomen në Kosovë. Siç e thashë edhe më parë na duhet një qasje gjithëpërfshirëse e shoqërisë. Ne punojmë bashkë me partnerë ndërkombëtarë dhe lokalë, me shoqërinë civile, sepse secili prej tyre, secili prej atyre mbrojtësve, mund të shtojë diçka shumë të kuptimshme në këtë ekuacion që të mund ta luftojmë dezinformimin”.

Palokaj thotë se dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian nuk është shoqëruar me lajme të rreme me ndikim, por thotë se palët dhe ndërmjetësuesit duhet të tregohen më transparentë me opinionin publik.

Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:

“Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mendoj se ka dezinformim, as nga Bashkimi Evropian, por as nga Kosova dhe Serbia në mënyrë direkte, Problemi qëndron te moskomunikimi. Moskomunikimi nga ana e BE-së, sepse lehtësueist e Bashkimit Evropian nuk japin shumë detaje dhe nuk ndërhyjnë kur palët japin interpretime të ndryshme. Ndërsa, edhe Kosova, edhe Serbia shpesh japin interpretime të ndryshme, madje edhe të kudnërta të asaj çfarë ka ndodhur në dialog, dhe kështu krijohet një huti, por ky është rezultat i mungesës së komunikimit, e jo i ndonjë fushate të qëllimshme të dezinformimit”.

Shumë ligjërues të gazetarisë dhe komunikimit po kërkojnë futjen e edukimit medial në sistemin arsimor. Edhe BE-ja mendon se duhet të ketë më shumë fushata vetëdijesimin për rolin e edukimit medial, sidomos në mesin e të rinjve.

Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:

“Nuk është se ka një qëndrim zyrtar (të BE-së), por qëndrimi ynë është padyshim se duhet të ketë më shumë edukim medial këtu. Kjo nuk duhet të bëhet vetëm me të rinjtë, kjo lidhet gjithashtu me të gjithë, sepse gjatë gjithë jetës tonë jemi mësuar që ta marrim lajmin në një formë të caktuar. Brezat më të moshuar, ta zëmë, kishin disa burime lajmi. Më parë ishte më e lehtë që të kontrolloje dhe ta faktoje informacionin. Tani kur kemi një mal burimesh, duhet t’i edukojmë të gjithë se si duhet të informohemi, dhe që të faktojnë se lajmet që kanë marrë, janë lajme të vërteta. Kjo afërmendsh se lidhet më fort me brezat më të rinj, sepse siç e dimë, edukimi fillon prej moshës shumë të hershme dhe në momentin kur fëmijët mësohen prej moshës së hershme si të informohen, atëherë edukohen në aspektin mediatik prej një moshe shumë të hershme dhe do të jenë të zotë të ballafaqohen me sfidat me të cilat i kemi sot, shumë më lehtë se ne, që po mundohemi të rritemi bashkë me teknologjinë dhe që po mundohemi të përshtatemi me teknologjinë varësisht prej përparimit teknologjik”.

Qeveria e Kosovës ka nisur procesin e ndryshimeve ligjore për mediat që ofrojnë përmbajtje vizive. BE-ja i bën thirrje Qeverisë që çdo nisma ta harmonizojë me rregullativën evropiane meqë synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë

“Pra, Komisioni Evropian e ka spikatur shumë herë, herën e fundit edhe në raportin e fundit për Kosovën, se Ligji për Komisionin e Pavarur për Media duhet të jetë në përputhje të drejtpërdrejtë me Direktivën e BE-së për shërbimet vizuale. Afërmendsh se kjo duhet të bëhet në përputhje me lirinë e medias. Ne tashmë po e analizojmë këtë ligj si BE në Kosovë dhe do t’ua dorëzojmë komentet autoriteteve të Kosovës. Ne do të dëshironim që ky lobim të përshtatet në një procedurë të shpejtë,   transparente dhe të hapur në konsultim dhe pjesëmarrje të plotë të organizatave gazetareske dhe natyrisht me shoqërinë civile”.

Bashkimi Evropian është mbështetësi më i madh financiar i Kosovës dhe Brukseli zyrtar e ka mbështetur Kosovën edhe për identifikimin e lajmeve të rreme në kuadër të asaj që ekspertët e sigurisë dhe të marrëdhënieve me publikun e skoniderojnë luftë hibride.

Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:

“Pra, siç e dini, Misioni i BE-së në Kosovë është promotori më i madh i asistencës financiare këtu. Po jetësojmë një mori projektesh që synojnë më shumë transparencë mediatike, pluralizëm dhe edukim medial, veçanërisht vjet i kemi zbatuar dy projekte për të cilat jam fort krenare; njëri ka të bëjë me monitorimin e pronësisë së mediave, që hartëzon pronësinë e mediave në Kosovë. Andaj neve na duhet ta dimë se kush qëndron prapa përmbajtjes, si të presim që qytetarët të besojnë se lajmet janë të besueshme kur nuk e dimë se kush i prodhon. Një prej gjetjeve të këtij raporti është se ka njëfarë kontrolli mbi politikën redaktuese dhe se ai kontroll mund të jetë ose politik, ose, ta zëmë, ekonomik, që vjen prej bizneseve. Dhe në raportin që u publiku vjet – për të cilin ishte angazhuar BIRN-i, i cili u titullua “Tregimi i rrenave tona”, fokusohet në narrativin e dezinformimit që depërton në shoqërinë e Kosovës dhe në mesin e të gjitha komuniteteve të saj – njëra prej gjetjeve ishte se Kosova është e cenueshme nga faktorët e jashtëm edhe nga propaganda anti-perëndimore, anti-BE dhe anti-NATO. Ju e dini fort mirë se integrimi në BE mbështetet me të madhe në Kosovë, mbase mbi 90% e kosovarëve duan që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, megjithatë kjo narrativë vazhdon, kjo narrativë anti-BE. Madje mund të shpjerë drejt më pak reformave, më pak gatishmërisë për të ndjekur këtë shteg drejt BE-së, dhe narrativi tjetër është narrativi i rrezikshëm për një luftë të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E panevojshme për ta thënë se ky lloj dezinformimi është tepër i rrezikshëm dhe u hedh benzinë tensioneve. Dezinformimi është kërcënim për shoqërinë tonë, është kërcënim për demokracinë tonë. Ne duhet ta luftojmë këtë betejë, sepse është betejë për sigurinë dhe praktikisht kjo është beteja e ditëve tona”.

Pranverë e nxehtë Bashkimin Evropian, ku në qershor do të mbahen zgjedhjet e Parlamentit Evropian, si institucioni më i lartë legjislativ i bllokut. Debati pritet të jetë goxha i fortë për shkak të ndryshimeve politike që tashmë janë shënuar në disa shtete e që mund të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian.

Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:

“Nga ekstremi i djathtë dhe nga ekstremi i majtë, por edhe parti që janë në pushtet në disa vende të Bashkimit Evropian, ndonëse nuk janë shumë. Gjithsesi kjo është një vërejtje në prag të zgjedhjeve evropiane dhe prandaj BE-ja dhe vendet anëtare janë më vigjilente në këtë kohë në prag të atyre zgjedhjeve që zhvillohen në muajin qershor”.

Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë

“Sa për zgjedhjet evropiane, selia jonë qendrore, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së,  së bashku me Komisionin Evropian dhe me Parlamentin Evropian, po punojmë bashkërisht me qëllim që të ofrohen informacione të besueshme për këto zgjedhje për publikun më të gjerë, për evropianët, por natyrisht edhe për mbarë botën. Siç mbase ju e dini, ky proces zgjedhor është më i madhi në botë sivjet pas atij në Indi. Andaj, piketat janë të larta, andaj po zhvillohet një fushatë informimi, një fushatë proaktive informimi, titulluar “Use Your Vote” (Përdore votën), për t’iu kërkuar evropianëve që të dëshmojnë sesi vota e tyre mund të bëjë dallimin në procesin e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Pos kësaj, këtu, do të organizojmë disa aktivitete, bashkë me shtetet anëtare të BE-së, për të ngritur vetëdijen për këtë proces demokratik. Njëherësh, përderisa zgjedhjet janë parakusht i shteteve anëtare të BE-së që t’i organizojnë mbarësisht, BE-ja do të monitorojë edhe hapësirën informative për shkak të përpjekjeve të mundshme dezinformuese që t’i qesin hije këtij procesi dhe nëse vërejmë diçka të ngjashme, atëherë ne menjëherë do ta analizojmë dhe do t’i kundërvihemi menjëherë, sepse ne duam që evropianët të marrin informacione të besueshme për këtë proces demokratik. Siç e dini, BE-ja ka edhe rregullat e veta që gjithashtu ndihmojnë qytetarët evropianë të jenë të sigurt në mjedisin on-line. Kombinimi i gjithë kësaj do të zbatohet edhe këtu në Kosovë, me qëllim që të sigurohemi se qytetarët do të kenë informacionet e duhura për këtë proces të madh demokratik”.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin më pro-Bashkimit Evropian në mesin e shteteve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Palokaj thotë se lajmet e rreme kanë dështuar të kenë ndikim në mesin e kosovarëve kur vjen puna te orientimi i tyre pro-integrimit në BE.

Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:

“Kosova nuk është viktimë e ndonjë fushate kundër Bashkimit Evropian. Vetë faktui se qytetarët e Kosovës mbështesin me përqindje të madhe, ndoshta me përqindjen më të madhe jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën mbështesin integrimin në BE, dëshmon se nuk janë viktimë e ndonjë fushate kundër BE-së. Por, natyrisht kosovarët janë të zhgënjyer nganjëherë me faktin se Kosova po ngec në procesin e integrimeve evropiane. Dhe kanë një ndjenjë të padrejtësisë drejt Bashkimit Evropian për këtë çështje. Por kjo nuk është rezultat i ndonjë fushate të dezinformimit, qoftë nga mediat, qoftë nga ndonjë strukturë e caktuara politike, por është realitet. Mediat e Kosovës në përgjithësi kanë një qasje mjaft korrekte të raportimit të Bashkimit Evropian dhe raporteve politike për Kosovën. Edhe kur ka përplasje politike në relacionin BE-Kosovë, atëherë paraqesin pikëpamjet edhe të njërës, edhe të palës tjetër, por nuk kanë ndonjë tendencë për të krijuar ndonjë opinion negativ për Bashkimin Evropian dhe në këtë aspekt do të thosha se qytetarët e Kosovës janë relativisht në mënyrë reale të informuar për BE-në dhe nuk janë viktima të fushatave.

Continue Reading

Verified

Promo – Verified – Episodi 10

Published

on

Continue Reading

Verified

VERIFIED – Përmbajtja e paredaktuar e mediave sociale, shqetësuese për shoqërinë – Episodi 9

Published

on

Organizatat joqeveritare, sidomos ato që organizojnë aktivitete profesionale e rekreative për persona me aftësi të kufizuara, thonë se bashkëpunimi me media gjithnjë ka qenë kritik për të ngritur vetëdijen kolektive për rëndësinë e integrimit të këtyre personave.

Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:

“Prej themelimit të tij domethanë ka pasur një raport të mirë me media. Vazhdimisht mediat kanë qenë ato që e kanë përcjellë çdo iniciativë, apo fushatë, aktivitet që është bërë në kuadër të aktiviteteve që bën Handikos-i. Deri më tash, nuk di që domethanë kemi pasur ndonjë kërkesë, apo diçka mediat lokale nuk na janë përgjigjur pozitivisht. Sa i përket përcjelljes së aktiviteteve tonë çfarëdo natyre qofshin”.

Enver Kosumi – Drejtor i Handikos Ferizaj

Megjithatë, ky bashkëpunim kërkon edhe kujdesin e veçantë të organizatave joqeveritare dhe mediave që të mos shkelen të drejtat themelore të personave që janë pjesë e aktiviteteve.

Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:

“Hendikos ka qenë në partneritet me ‘Save the Children’ qysh nga themelimi i tij dhe ‘Save the Children’ që strikt i zbaton dhe në kuadër të atyre politikave, edhe Handikos-i iu ka përshtat dhe çdo përfitues i joni që i merr shërbimet iu ka përshtat atyre. Paraprakisht informohet dhe nënshkruan deklarata të pranimit apo të mospranimit të publikimit qoftë të fëmijës, qoftë të rriturit me aftësi të kufizuar në kuadër të aktiviteteve që ne kërkojmë ose që i organizojmë. Parim i Handikos-it është ana pozitive e çdokujt, duke mos e atakuar atë pjesën e aftësisë së kufizuar në rend të parë, mirëpo gjithmonë fokusi jonë është te ana pozitive e përfituesit tonë, qoftë fëmijë, qoftë i rritur me aftësi të kufizuar. kështu që deri më tani është parim, thashë edhe ma herët, është parim i Handikos-it i njoftojmë se në kuadër të këtij aktiviteti ka me pasë edhe media, edhe personat që nuk e kanë të nënshkruar deklaratën, ose tërhiqen, ose në njëfarë forme largohen nga aktiviteti derisa të filmohet ajo pjesë. Domethanë në momentin që përfundojnë incizimet dhe fotografitë, atëherë fillojnë të jenë pjesë e aktivitetit”.

Por mediat sociale dhe ndikimi i përmbajtjeve, në shumicën e rasteve pa u redaktuar, po cenon shëndetin mendor të gjithë shoqërisë. Fëmijët, cak më i lehtë.

Hatixhe Misini, sociologe:

“Ndikimi i rrjeteve sociale ka ndikuar negativisht në komunikimin e drejtpërdrejtë. Thjesht sot i shohim gjithandej që komunikimi bëhet vetëm online. Madje shpesh me shaka e themi se edhe nëse dy fëmijë i ke në shtëpi, kjo ndodhë që i shohim se ata flasin me  telefon dhe jodrejtpërdrejt. Komunikimi drejtpërdrejt, me farefisin, me miqtë, me familjen, me rrethin  definitivsht është shumë i rrallë dhe kjo ndikon negativisht  natyrisht dhe ne po i shohim fëmijët edhe me simptome të ndryshme në shëndetin e tyre. Thjesht shëndeti mendor është aspekt tjetër që mund të flasin profesionistët, por megjithatë izolimi në dhomë me telefon thjesht, mungesa e apetitit për t’u ushqyer, mungesa e dëshirës nganjëherë edhe për të ardhur edhe në shkollë, domosdoshmërisht na ka çuar të hulumtojnë që faktori numër një është komunikimi në rrjete sociale”.

Hatixhe Misini – Sociologe

Por shtrirja dhe ndikimi i madh i rrjeteve sociale ka vështirësuar edhe rolin e familjeve dhe institucioneve për shkak se të rinjtë, sidomos fëmijët e vegjël, mund të jenë cak i abuzimeve të ndryshme në kohën kur ata brendësojnë vlerat, shpesh të përcaktuara nga faktorë të panjohur.

Hatixhe Misini, sociologe:

“Përdorim ii internetit është bërë një shprehi e pashmangshme në ditët e sotme. Ky ndikim i pavëmendshëm si duket ka përfshirë krejt njerëzit, anembanë globit dhe më së shumti që po pësojnë janë të rinjtë, moshat e reja. Thjesht ju e dini se adoleshenca është një periudhë, ku fëmijët, të rinjtë janë në gjetje të vetvetes, janë në krijimin e personalitetit të tyre, identitetit të tyre, dhe kur në të kaluarën ata përfshinin në këtë qëllim familjet, shkollën, bashkëmoshatarët, sot fatkeqësisht ata përfshijnë edhe hapësirat kibernetike. Aty, ku nuk mund ta gjejnë veten, madje nganjëherë edhe e humbin atë. Natyrisht se nëse flasin veçanërisht për këtë grupmoshë, veçanërisht për të rinjtë, është definitivisht potenicalisht ka efekte të dëmshme, sepse si në sjellje, si në shëndetin e tyre, rrjetet sociale kanë ndikuar që ata të mos ta kenë një jetë normale, ashtu sikur se e kemi pasur ne dikur pranë librit, pranë lojës në oborr dhe pranë miqve, dajallarëve dhe axhallarëve. Thjesht ky ndikim ka të bëjë që sidomos moshat e reja, tashmë siç e dimë janë të izoluar pranë një ekrani dixhital dhe kjo është një sfidë shumë, shumë e madhe për familjet. Besoni që unë pasi që punoj edhe në shkollë, jam në kontakt të vazhdueshëm edhe me prindërit dhe gjithmonë e thonë atë që puna më e vështirë sot është për të rritur një fëmijë larg ekranit dixhital”.

Psikologia thotë se ka forma të ndryshme të bullizimit, që i thyen shpirtërisht fëmijët që kalojnë kohë të gjatë në rrjetet sociale.

Selvete Abdullahu, psikologe:

“Në fakt edhe bullizimi është shumë i theksuar përmes mjeteve sociale se ekzistojnë forma të ndryshme të bullizimit, Për shembull është bullizimi fizik, ku zakonisht ose bullizimi po e marr si formë bullizimin e parë verbal që është përmes bisedave me konotacion negativ, përmes fyerjeve, ofendimeve, përmes uljes poshtë, përmes uljes së vetëbesimit të viktimës. Mandej, fillon në rrjete sociale, mandej fillon edhe në formën live kur shihen dy persona, e zgjasin atë pjesë të konfliktit, të themi në fillim të konfliktit dhe nxitjes, dhe tani fillon edhe një dhunë fizike, një bullizim fizike. Mandej duke e rrahur ose goditur viktimën. Poashtu fillon edhe bullizimi tjetër. Format e bullizimit elektronik që janë kur dy persona marrin pjesë, ose bullizimi tjetër që është bullizimi social, duke formua grupe, duke e ndarë prej grupit personin. Në fakt, të rinjtë, ose të miturit nuk e ndjejnë sesa e lëndjnë personin tërtër, duke përdorur fuqinë e tyre në këtë rast si djem të fortë, ose si vajza të forta, nuk e dinë sesa është lënduese, sesa është demotivuese për viktimën bullizimi dhe format tjera të bullizimit”.

Selvete Abdullahu – Psikologe

Sociologia Misini thotë se as familja e as shoqëria ende nuk ka një qasje të duhur për t’u përballur me pajisjet që po rrezikon të neutralizojë tërësisht kufirin ndërmjet reales dhe imagjinares.

Hatixhe Misini, sociologe:

“Një trajnim i duhur do të ishte edhe për vetë prindërit, sepse jemi në një qorrsokak, një sfidë e madh ekur askush nuk di të na orientojë se kur ta kapim telefonin dhe kur ta lëmë atë. Vërtetë është sfiduese siç e thashë. Prindërit po provojnë të zhvillojnë lloj-lloj metodologjie për t’i rritur fëmijët, por po e kanë të vështirë për t’i lënë një orë ose dy orë larg telefonit. Definitivisht jo vetëm fëmijët, për këtë gjendje siç ka ardhur, për këtë hapësirë kibernetike, për këtë jetë dixhitale siç po i themi, vërtetë është sfiduee edhe për të mëdhenjtë, sidomos për të rinjtë. Po them për fëmijët sepse janë të vegjël, ende nuk janë të pjekur dhe definitvisht nuk dinë ta ndajnë realitetin nga fantazia”.

Selvete Abdullahu, psikologe:

“Mësimdhënësit duhet të jenë shumë motivues, sidomos ta të ciklit të ulët, sepse janë hapat e parë të fëmijëve drejt zhvillimit të tyre fizik, psiqik, emocional, të mësimnxënies, prandaj është shumë esenciale mësimdhënësit të jenë ndëshkues aty ku duhet të jenë ndëshkues, por jo në forma të rënda, por ndëshkues me notë, ose me notë sjelljes, ose me diçka, por edhe të jenë shumë motivues, të ndajnë drejtësi, të kenë rolin jo vetëm si të mësimdhënësit, por edhe si të prindërit, por edhe si të psikologut. Të përdorin metoda, metoda që i parandalon ata fëmijë që janë më hiperaktivë, më ngucakeq, që nuk janë të interesuar fort për mësim, por edhe t’i motivojnë fëmijët që janë më të interesuar për mësim, që janë më të qetë, që dinë të menaxhojnë veten. Domethanë ta kenë një menaxhim sa më të mirë të klasës, por tash s’mund t’i përgjithësojmë të gjithë. Nuk janë kategori e njëjtë, sepse varet edh eprej personalitetit, karakterit të mësimdhënies, prej gjendjes së tij psiqike, emocionale, por zakonisht mësimdhënësi çështjet, problemet, por edhe çështjet e tjera jashtë shkollës duhet t’i lërë në shtëpi, ose në shoqëri, ose ku i ka. Ndërsa në shkollë duhet të përkushtohet 100 për qind nxënësve dhe të jetë shumë gjykues i mirë”.

Kosumi mendon se edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duhet t’i trajnojë gazetarët që të kenë kujdes me mënyrën sesi i paraqesin personat me aftësi të kufizuara.

Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:

“Deri tash, domethanë, ne si Handikos e kemi një faqe që e menaxhojmë ne vetë dhe kryesisht informatat që i japim, aktivitetet që i publikojmë, gjithçka, nuk ka ndodhur me shkëput diçka prej kontekstit, qoftë, pozitiv, po se po, por jo në aspektin negativ. PO vërehet një tendencë e madhe e shfrytëzimit e personave në fjalë, për shembull, personave me aftësi të kufizuar, rasteve të margjinalizuar, duke i intervistuar në mënyrën joadekuate dhe jodinjitoze. Unë e kuptoj se edhe bamirësia e ka anën e vet pozitive, mirëpo bamirësia nuk do të thotë duhet patjetër ta qesim anën negative të personit që e merr atë ndihmë. nëse dikujt tentojmë t’i bëjmë me i ba mirë, atëherë duhet ta bëjmë me dinjitet, pa e publikuar shumë, pa e dhanë aspektin, pa e prek integritetin e tij personal se Ferizaj dhe krejt Kosova është shumë e vogël, për shembull, me përballu gjithë këtë fluks të informatave që po jepen kohëe të fundit nëpër rrjetet sociale apo në platformat mediatike.

Besoj se Asociacioni i gazetarëve duhet të nxjerrë një kod më specifik, ku duhet të paktën të mos i jepet gjithkujt e drejta me dalë në shesh, qoftë kudo që të jetë, për shembull, edhe me ataku një person i cili nuk është i gatshëm me u përgjigj në do pyetje dhe me shkëput prej kontekstit se po e dimë se në çfarë jemi duke jetuar ku bullizmi është në kupën ma të naltë për momentin në Kosovë, dhe mundet me ardhë deri te më e keqja, ndoshta edhe deri te vetëvrasje nëse arrin dikush të bullizohet, apo të merr jehonë aq të madhe prje një informate që ai i jep ndoshta pa vetëdije, apo me ndonjë gjendje jo të vetëdijshme plotësisht”.

Hatixhe Misini, sociologe:

“Edhe gazetarët, sikur të gjitha profesionet e fushat, i ka edhe limitet, por i ka edhe përgjegjësitë e punës që i bën në terren, qoftë edhe brenda nëpër institucione. Natyrisht se këto ndikojnë. Pa marrëveshjen e prindit, pa verifikimin e fakteve, gjithmonë ne jemi të prirë të hulumtojmë më tutje dhe të mos ekspozojmë gjëra që nuk na takojnë dhe që nuk janë në përgjegjësinë tonë. Natyrisht se këto janë të dëmshme për shoqërinë, si për ata që i prek personalisht”.

Psikologia paralajmëron prindërit dhe institucionet për pasojat negative të rrjeteve sociale në mesin e fëmijëve.

Selvete Abdullahu, psikologe:

“Emocionalisht, psiqikisht, fizikisht është shumë e rëndë për një fëmijë që ka qenë viktimë e një bullizimi të tillë, pa marrë parasysh cilës formë të bullizimit. Normalisht, thashë edhe më herët, është një pjesë demotivuese, është një pjesë që e shkëput, ia ul vetëbesimin, ia ul forcën e brendshme të atij fëmije, sepse është shumë e rëndë për një fëmijë qysh në moshë të re me u ngelizhu prej shokëve dhe shoqeve, me u nënçmu. Ai mendon se për shembull diçka nuk shkon mirë me të. Në fakt nuk ka asnjë arsye të veçantë që ai fëmijë me u bullizu. Në raste të tilla, fëmijët zakonisht duhet të flasin me prindërit, të shprehen lirshëm me prindërit, ose të kenë ndonjë shok më të fuqishëm më afër që i mbron interesat e tij, nuk e le me shkelë fëmijën, seps enë këtë rast të bullizimi se nëse një fëmijë fillon të bullizohet, ai fëmijë normalisht që nuk është i qetë. I bie vetëbesimi dhe ai fëmijë, pasojat e atij bullizimi, kanë me ndjekë edhe një periudhë shumë më të gajtë gjatë jetës së tij”.

Hatixhe Misini, sociologe:

“Problemi nuk është te rrjetet sociale, problemi është te varësia, ngecja në to dhe mosekulibirimi i jetës tonë me jetën sociale. Prandaj ne e dimë se edhe MInistria e Arsimit ka bërë strategji dhe udhëzime administrative. Ne në shkollë fillore në Ferizaj e kemi të ndaluar telefonin në shkollë. Kjo është mënyra e vetme sesi mund ta parandalojmë nje ekspozim të tillë në telefon, apo diçka që mund të ndodhë prej telefonit. Natyrisht kjo iu mbetet vetëm familjeve. Do t’iu kisha bërë thirrje, sikur se iu bëjmë thirrje edhe çdo ditë në shkollë që familjet janë ato të cilat duhet me domosdoshmëri të ndikojnë, ta shtrojnë ndikimin te fëmijët e tyre që telefonin ta kenë më pak në dorë, sepse absolutisht është diçka e pamundur që telefoni të hiqet nga dora dhe fëmijët tanë të mos jenë të përfshirë nëpër rrjete sociale”.

Por rasti i fushatës së suksesshme në rrjete sociale i dy vajzave nga Hani i Elezit në Gjermani për mbledhjen e fondeve për mbështetjen e ndërtimit të qendrës me bazë në komunitet në Ferizaj, është një prej shembujve sesi mund të përdoren për mirë mediat sociale.

Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:

“Po ajo u kanë një storie e suksesit shumë e mirë, domethanë, ata njerëz pa e përdorur aspektin e mëshirës, domethanë kanë arritur që nëpërmjet një platforme online të mbledhjes së fondeve, me kriju një shikueshmëri aq të madhe, saqë brenda 20 ditësh kanë arritur t’i tubojnë 20 mijë euro për m’i sjellë për ndërtimin e një qendre, qendrës së Handikos-it këtu në Ferizaj”.

Por për shembuj të tillë frymëzues duhet të ketë më shumë emisione dhe hapësira promovimi, thotë drejtori i Handikosit dhe  psikologia Abdullahu.

Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:

“Mediat, rrjetet sociale përveç aspektin personal që mundesh me përdorë, mund të përdoren edhe për gjëra të mira, domethanë për avancimin dhe afirmimin e njohurive, të arriturve. Thjesht në kuptimin e fjalës se rrjetet sociale duhet ta kenë prioritet domethanë paraqitjen e gjendjes pozitive, të shoqërisë dhe të aktiviteteve që mbahen dhe në asnjë rrethanë domethanë nuk duhet të shfrytëzohen fatkeqësia e dikujt tjetër për me arritë ti një qëllim tanin, qoftë human, qoftë material të individëve që i menaxhojnë këto rrjetet sociale”.

Selvete Abdullahu, psikologe:

“Është shumë e rëndësishme me u mbajtë fushata sensibilizuese, emisione me profesionistë të fushës, me i tregu… me u mbajtë projekte ose programe, ose orë nëpër shkolla për dukuritë negative në shoqëri, duke fillu prej bullizimit, prej ndikimit të rrjeteve sociale, efektet negative të rrjeteve sociale dhe shumë tema të tjera”.

Edhe në këtë emision ju sjellim një lajm të rremë, që është përgënjeshtruar nga platforma për verifikimin e fakteve “hibrid.info”.

Portali informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe “Gazeta-Shqip.com” më 18 shkurt ka publikuar një artikull me titullin “TRONDITËSE! 46-vjeçari masakron babanë me sharrë elektrike dhe lajmëron policinë: E vrava…”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja.

Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Greqi.

Nisur nga fakti që ky portal informativ është i regjistruar në Shqipëri dhe përmbajtjet e publikuara nga ky portal janë në gjuhën shqipe, titulli në fjalë, lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë nga vendet shqip-folëse.

Për të vërtetuar edhe më tej faktin se ngjarja ka ndodhur në Greqi, hibrid.info ka gjetur artikullin origjinal të publikuar nga mediumet greke “protothema.gr” dhe “hellaspostsen.com”.

Në artikullin e publikuar me datë 18 shkurt nga këto mediume bëhet e ditur se në qytetin Teskala të Greqisë, një 46 vjeçar ka vrarë babanë e tij me një sharrë elektrike.

Continue Reading

Trending