Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të enjten ka prezantuar Bujar Osmanin si kandidat i kësaj partie në zgjedhjet presidenciale në Maqedonisë së Veriut që do të mbahen më 24 prill.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, nëpërmjet një video-mesazhi teksa ka bërë thirrje për “unitet” për t’i thënë sipas tij, “JO Rusisë, PO Evropës”.
Bujar Osmani aktualisht është ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i BDI-së.
“Bujari e ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ahmeti duke e cilësuar Rusinë si kërcënimin serioz për gjithë botën.
Kreu i BDI-së, gjithashtu, ka paraqitur kërkesën për instalimin edhe të postit të zëvendëspresidentit të Maqedonisë së Veriut, që, sipas tij, së bashku me presidentin, në të ardhmen të zgjidhen nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta.
Ahmeti ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet që Maqedonia e Veriut të ketë president konsensual.
“Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për president konsensual. Ky besim i juaji do të na mundësojë që me hapjen e Kushtetutës ta realizojmë edhe Marrëveshjen me Bullgarinë dhe ta zhbllokojmë integrimin evropian dhe kështu i themi Rusisë IK!”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshimi i Kushtetutës, sipas Ahmetit, duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj dhe zhbllokimin e procesit të integrimit në BE.
Ahmeti ka thënë se BDI-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të ardhshme, e cila nuk do të pranonte ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë s Veriut.
Kërkesa e BDI-së për zgjedhjen e presidentit në Kuvend është e njëjtë me atë të kandidatit të opozitës shqiptare, Arben Taravari, që u prezantua mbrëmjen e së mërkurës.
Veç kësaj, Taravari tha se ndryshimi duhet të përfshijë edhe heqjen e termit “20 për qind” për gjuhën shqipe apo ridefinimin e saj si “gjuhë shqipe”.
“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërën nga tri postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’u takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoni [të Veriut]”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare.
Deklaratat e përfaqësuesve politikë shqiptarë në pushtet dhe opozitë, pasojnë momentin kur Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet njoftoi të mërkurën se kryesia partiake ka vendosur që presidenti aktual, Stevo Pendarovski, të jetë kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.
Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE, njoftoi përmes një komunikate se deputetja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja që ka paraqitur kandidaturën për presidente.
Nëse ajo do të hyjë për herë të dytë në garën presidenciale, do të dihet pas konventës së partisë, më 2 mars.
Kandidaturën për president e ka paraqitur edhe partia E Majta, ndërsa këtë do ta bëjnë edhe disa partia tjera politike.
Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.
Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Tiranë dy shtetas të Kosovës, nën dyshimin për trafikim të armëve me vlerë rreth10 mijë euro.
Në njoftimin e policisë shqiptare thuhet se të dyshuarit, A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë, janë arrestuar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, nga njësiti për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë derisa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme,” thuhet mes tjerash në njoftim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar mesditën e sotme me urdhër të SPAK.
Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme po kryente hetime lidhur me disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.
Ndaj Veliajt është miratuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Gjithashtu mësohet se Gjykata ka miratuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxaj. Zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer disa herë kontrolle në ambientet e biznesit të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe vëllait të tij, Arbi Veliaj, transmeton A2CNN.
Një bjeshkatar nga Bullgaria, humbi jetën në afërsi të “Majës së Jezercës” në Shqipëri.
Viktima u gjet pa shenja jete nga ekipi i kërkim-shpëtimit të policisë së Shqipërisë, një ditë pas raportimit se ai dhe një bashkëkombës i tij, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë.
Dyshohet se gjatë ecjes bjeshkatare, 32 vjeçari kishte rrëshqitur nga një lartësi dhe si pasojë e ka humbur jetën.
“Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut. Turisti tjetër është larguar drejt Malit të Zi, në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.
Ky është rasti i dytë i vdekjes tragjike në këtë shteg brenda pak muajve, pasi më 30 mars, këtu humbi jetën edhe një bjeshkatare 43 vjeçare nga Kroacia.
Ndryshe, “Maja e Jezercës” është maja më e lartë e Bjeshkëve të Nemuna, e dyta më e larta në Shqipëri, me lartësi 2,694 metra mbi nivelin e detit. Nga bjeshkatarët alpinistë, shtegu drejt kësaj maje konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, sidomos gjatë sezonit të dimrit.