Connect with us

Kosovë

Tifozët “Kuqezi” kundërshtojnë organizimin e Evropianit Shqipëri-Serbi

Published

on

Kandidatura e përbashkët e Federatës Shqiptare dhe asaj Serbe të futbollit për organizimin e Euro 2027 për futbollistët deri në 21 vjet, ka nxitur reagimin kundërshtues të tifozëve të Kombëtares së Shqipërisë “Kuqezi”.

Pas një deklarate kundër kësaj nisme, të publikuar më 9 maj në rrjetin social facebook, Tifozët Kuqezi, kundërshtimin e tyre sot e shprehën edhe përmes një aksioni simbolik duke hedhur ngjyrë të kuqe në portën hyrëse të FSHF-së, derisa në rrethoja kanë vendosur fotografi të krimeve të Serbisë në Kosovë.

Ky aksion i Tifozëve Kuqezi u përcoll edhe me një deklaratë kundërshtuese të këtij organizimi të përbashkët mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet t’ia rregullojë imazhin një populli barbar e gjenocidal.

Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit, me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që depërtuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, shkruan në postimin e Tifozëve Kuqezi.

Kosovë

Në Zubin Potok identifikohen mbetje kockore të së paku 23 personave

Published

on

Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore thanë se në Zubin Potok, në lokacionet ku dyshohet se ka varre masive, bazuar në vlerësimet preliminare janë identifikuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve.

“Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”, u tha në njoftim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Vogël, mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Motra e Adem Ademit – mjekut, që është në mesin e të zhdukurve të këtij grupi – pas nisjes së gërmimeve në Zubin Potok i tha Radios Evropa e Lirë se beson se aty mund të jenë të varrosur pjesëtarët e grupit të vëllait të saj.

“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha Lutfije Ademi – Vokshi.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe janë zhvilluar në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.

Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Më 15 gusht, autoritetet kishin njoftuar se në Kalludër ishin gjetur mbetje eshtërore të të paktën tre personave.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Të tre ndodhen në paraburgim. Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

Published

on

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohet një person në Merdar nën dyshimin për spiunazh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Kosovës, Fehim Sali, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Sipas njoftimit të Sistemi Prokurorial të Kosovës, arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdar të Podujevës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar identitetin e të dyshuarit, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb brenda Kosovës.

Sali ishte edhe pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK) brenda Presidencës së Kosovës, i emëruar më 2022.

Ky Këshill ka mandat dy vjeçar, ndërsa Sali nuk ka figuruar pjesë e Këshillit aktual.

Policia dhe Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë detaje se për çfarë aktivitetesh saktësisht dyshohet ai dhe as nëse rasti lidhet me ndonjë shërbim të huaj të inteligjencës.

Prokuroria Speciale tha se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Në Kosovë, spiunazhi përfshin aktivitetet sekrete të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet vepër e rëndë penale dhe, në rast të shpalljes fajtor, mund të dënohet me të paktën pesë vjet burgim.

Ky arrestim vjen në një periudhë kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa raste hetimore dhe arrestime nën dyshimet për spiunazh në favor të inteligjencës serbe.

Në raste të mëparshme janë arrestuar persona nga komunitete të ndryshme në Kosovë, nën dyshimet se kanë mbledhur apo përcjellë informacione për shërbimet serbe të inteligjencës.

Ekspertë të sigurisë kanë vlerësuar se spiunazhi paraqet kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës. Sipas tyre, veprimtari të tilla mund të ndikojnë në sigurinë e brendshme, të destabilizojnë institucionet dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse rasti i F.S. është i ndërlidhur me ndonjë prej rasteve të mëparshme të spiunazhit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending