Connect with us

Kosovë

Sveçla paralajmëron arrestimin e politikanit serb Arsenijeviq

Published

on

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të hënën se organet e rendit dhe drejtësisë janë në kërkim të politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, pasi policia gjeti armë në një pronë të tij në veri të vendit një ditë më parë.

Duke folur para një seancë konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Sveçla tha për gazetarë se Arsenijeviq “do të ndalet në momentin që futet në territorin e Kosovës”.

“Tri prona të tij dhe të familjes së tij janë bastisur dje. Ndër të tjera janë gjetur edhe pajisje për mining për kriptovaluta, që është shkelje doganore, një jelek antiplumb dhe gjëra të tjera, gjë që tregon se ai ka qenë i kyçur në krim për një kohë të gjatë”, tha Sveçla.

Ai tha se Arsenijeviq nuk ndodhet në Kosovë dhe se organet e rendit janë në kërkim të tij.

Më herët të hënën, Partia e Arsenijeviqit, Demokracia Serbe e pranoi se armët janë gjetur në tokën ku ndodhet shtëpia e pushimit e liderit të saj, megjithëse pretendon se ato janë “të kurdisura” nga autoritetet e Kosovës.

Kjo parti nuk dha asnjë dëshmi për ta mbështetur këtë pretendim.

Demokracia Serbe shtoi se në kohën e bastisjes të dielën, lideri i saj ndodhej në Serbi.

Të dielën në një postim në Facebook, Sveçla tha se armët e gjetura në pronën e Arsenijeviqit do të mjaftonin “për një njësit terrorist”.

Ai shtoi se gjatë bastisjeve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës – nën vëzhgimin e KFOR-it dhe EULEX-it – u gjetën raketahedhës, granata dore, tromblonë si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.

Autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Në maj, autoritetet thanë se kishin gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë aksionit u raportua se u sekuestruan sasi armatimi dhe pjesë të ndryshme të armëve.

\Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Ekzekutohen paratë për blerjen e librave

Published

on

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se sot janë ekzekutuar mjetet në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.

Në njoftimin e publikuar, MASH bëri të ditur se ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore si dhe ka zhvilluar negociata me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve finale të shitjes së teksteve shkollore. Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore.

Bazuar në çmimet e përcaktuara në katalog, ministri ka nxjerrë vendimin për vlerën e subvencionimit për secilën klasë. Vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe sipas klasave është si në vijim:

Klasat 1 dhe 2 – 60 euro;

Klasa 3 – 65 euro;

Klasa 4 – 70 euro;

Klasa 5 – 80 euro;

Klasat 6 dhe 7 – 90 euro;

Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.

MASh u bën thirrje prindërve që gjatë blerjes të sigurohen se tekstet shkollore po blihen me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar të MASh, i cili është i qasshëm online në webfaqen e Ministrisë.

Continue Reading

Kosovë

Dyshohet se në Burgun e Dubravës ndodhi dhunimi i një burri nga tre të tjerë

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast dhunimi të një burri nga tre të tjerë në Istog.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se sipas personit që ka raportuar rastin ndaj tij është ushtruar dhunë fizike dhe më pas është dhunuar seksualisht.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se rasti ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ndaj tre personave është iniciuar rasti për veprën penale të dhunimit.  

Istog / 25.08.2026 – 21:00.

“Është pranuar informata se ka ndodhur një rast dhunimi. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se tre te dyshuar meshkuj kosovarë, fillimisht kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe më pas e kanë dhunuar seksualisht. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës. Lidhur me rastin është informuar prokurori  me urdhër të cilit rasti është duke u hetuar.”

Continue Reading

Kosovë

Vritet një grua shtatzënë në Malishevë, bashkëshorti i saj dyshohet për vrasjen

Published

on

Një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për vrasjen, është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi më 24 gusht se gruaja ka pësuar plagë nga arma e zjarrit dhe së është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku më pas ka vdekur.

Bashkëshorti i saj është dërguar, po ashtu, për trajtim në QKUK dhe ndodhet në gjendjekritike për jetën.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se në çfarë rrethanash janë plagosur gruaja dhe bashkëshorti i saj, apo se kush ka shtënë me armë.

Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, bëri të ditur Prokuroria në Gjakovë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se “ky rast është një tjetër alarm i rëndë për të gjithë shoqërinë dhe për institucionet”.

“Nuk mjafton të reagojmë pasi të humbet një jetë. Duhet të parandalojmë dhunën përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme”, shkroi ajo në Facebook.

Si koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ajo kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar”.

Ndërkohë, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi në lidhje me ngjarjen, duke vlerësuar se çdo humbje e jetës së një gruaje në rrethana të dhunshme është alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë.

RRGK kërkoi “hetime të plota, të pavarura dhe të shpejta për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit, si dhe vendosjen e përgjegjësisë sipas ligjit”.

“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, garantimin e drejtësisë dhe parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Çdo neglizhencë institucionale mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në një reagim të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të grave, me bazë në Prishtinë.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Ekspertët e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë argumentuar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet personat me të kaluar kriminale.

Dënimet e lehta, sipas tyre, po i “trimërojnë” ata që të vazhdojnë veprimtarinë kriminale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending