Connect with us

Botë

Zvicra përballë sfidës së identifikimit të viktimave të zjarrit

Published

on

Hetuesit në Zvicër më 2 janar do të nisin detyrën e vështirë të identifikimit të trupave të djegur në zjarrin që përfshiu një bar të mbushur me njerëz që la të vrarë afër 40 persona në një ndej për Vitin e Ri në resortin e skijimit në Crans-Montana.

Sipas zyrtarëve zviceranë, për shkak të djegies së rëndë që kanë pësuar shumica e viktimave që gjendeshin në barin Le Constellation, mund të duhen disa ditë që të identifikohen të gjithë viktimat e zjarrit.

Si pasojë e zjarrit janë lënduar më shumë se 100 të tjerë, shumë nga të cilët janë në gjendje të rëndë.

“Detyra e parë është të identifikojmë të gjitha trupat”, tha kryetari i Crans-Montanas, Nicolas Feraud, gjatë një konference për media të enjten mbrëma. Sipas tij, ky proces mund të marrë disa ditë.

Mathias Reynard, kreu i qeverisë së kantonit të Valaisit, tha se ekspertët po përdorin mostra dentare dhe të ADN-së për identifikimin e viktimave.

“E gjithë kjo punë duhet të bëhet sepse informacioni është aq i tmerrshëm dhe i ndjeshëm, sa që asgjë nuk mund t’u thuhet familjeve pa qenë 100 për qind të sigurt”, tha ai.

Italia dhe Franca janë ndër vendet që kanë njoftuar se disa nga shtetasit e tyre rezultojnë të zhdukur, ndërsa ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, do ta vizitojë Crans-Montana të premten, tha ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado.

Australia tha po ashtu se një shtetas i saj është lënduar.

Zyrtarët zviceranë kanë thënë se afër 40 persona janë vrarë, por Italia ka thënë se numri i viktimave është 47, bazuar në informacionet e marra nga autoritetet zvicerane.

Policë dhe një autoambulancë shihen në vendin ku shpërtheu zjarri në Zvicër.

Cornado tha se tashmë janë identifikuar të gjithë përveç pesë prej 112 të plagosurve. Ai shtoi se gjashtë shtetas italianë rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa 13 të tjerë janë të shtruar në spital. Tre italianë janë riatdhesuar të enjten dhe edhe tre të tjerë do të kthehen në shtetin e tyre të premten.

Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin. Autoritetet thanë se duket se ngjarja ishte një aksident, e jo një sulm.

Rrëfimet e disa të mbijetuarve dhe videove të publikuara në rrjetet sociale kanë sugjeruar se tavani i bodrumit të lokalit mund të ketë marrë flakë kur qirinjtë me shkëndija iu afruan afër. Për shkak të zjarrit, autoritetet në Zvicër kanë shpallur pesë ditë zie.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Trump falënderon Kosovën për kontributin me trupa në Bordin e Paqes

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën për kontributin e saj në Bordin e Paqes – nismës së udhëheqësit amerikan për arritjen e paqes në botë.

“Dua të falënderoj ato shtete që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa, e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, tha Trump gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit të tij, Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë edhe në kontekstin e ndaljes së një lufte, duke deklaruar se i kërcënoi këto dy shtete se do të ndalte tregtinë e tyre me SHBA-në nëse do të shpërthente lufta.

Edhe në të kaluarën, Trump ka përmendur ndaljen e një përplasjeje të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në misionin në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Më 7 shtator, Kosova u bë formalisht pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), pasi u nënshkrua marrëveshja formale për t’u bërë pjesë e kësaj force.

Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, u tha në deklaratën e Bordit të Paqes.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë miratimi nga Kuvendi për dërgimin e FSK-së jashtë vendit dhe marrëveshjes për anëtarësim në Bordin e Paqes, si dhe autorizimit për dërgimin e tyre në Gazë nga Presidenca.

Ndërkaq, në prill një ekip i FSK-së shkoi në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.

Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.

Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

Published

on

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.

Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.

Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.

Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.

Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.

Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending