Connect with us

Botë

Trump paralajmëron udhëheqësit e rinj të Venezuelës se do ta paguajnë një “çmim shumë të madh” nëse nuk bashkëpunojnë

Published

on

Me ish-udhëheqësin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduron, tashmë në një burg amerikan, presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi udhëheqësit autoritarë të vendit të Amerikës së Jugut se do ta “paguajnë një çmim shumë të madh” nëse nuk “bashkëpunojnë” me Uashingtonin, edhe mes shqetësimeve globale për sulmin ushtarak amerikan.

Trump, në një intervistë të publikuar më 4 janar në The Atlantic, paralajmëroi presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se “nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro”.

Rodriguez, e krahut të majtë politik, ishte zëvendëspresidente e Maduros përpara se të emërohej presidente në detyrë më 4 janar. Ajo e quajti veprimin e SHBA-së shkelje të Kartës së OKB-së dhe u zotua se “ne nuk do të jemi kurrë më skllevër”.

Maduro, më 4 janar, ndodhej në një burg amerikan pasi ishte transportuar në Nju Jork pas kapjes së tij nga forcat amerikane gjatë sulmit që u dënua nga Irani, Rusia dhe aleatë të tjerë të vendit të Amerikës së Jugut, por u përshëndet nga venezuelianët që jetojnë në mërgim.

Një video e postuar nga Fox News në rrjetet sociale tregonte Maduron, 63 vjeç, duke u shoqëruar nga agjentë federalë dhe duke u thënë gazetarëve: “Natën e mirë, Gëzuar Vitin e Ri.”

Ai dhe bashkëshortja e tij — e cila gjithashtu u kap gjatë bastisjes — planifikohet të paraqiten në gjykatë më 5 janar për t’u përballur me akuza për drogë.

Në një konferencë shtypi, Trump e përshëndeti operacionin ushtarak në Venezuelë, por nuk dha detaje.. Një gjeneral i lartë amerikan tha se 150 avionë amerikanë ishin përfshirë në sulm pas muajsh përgatitjesh.

Shifrat e viktimave nuk u zbuluan. Trump tha se disa zyrtarë amerikanë u plagosën, por shtoi se ata janë mirë. Ndërkohë, Kuba tha se 32 anëtarë të forcave të saj të sigurisë u vranë në Venezuelë gjatë sulmit amerikan.

Trump shkaktoi reagime kur tha se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtojnë” përkohësisht vendin e Amerikës së Jugut “derisa të vijë momenti kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të matur”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë nënkuptonte Trump me atë që SHBA-ja do ta “drejtojë” vendin. Ai u tha gazetarëve se po “caktonte njerëz” nga kabineti i tij për të qenë përgjegjës në Venezuelë, pa dhënë detaje shtesë.

Zyrtarë të administratës amerikane — përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio — nuk dhanë sqarime kur u pyetën gjatë emisioneve televizive më 4 janar për planin e Trumpit.

Rodriguez sinjalizon gatishmëri për pajtim

Gjykata e Lartë e Venezuelës urdhëroi që Rodriguez të merrte rolin e presidentes në detyrë të qeverisë së majtë.

Trump fillimisht shprehu mbështetje për Rodriguez, duke thënë se “ajo në thelb është e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën sërish të madhe”.

Rodriguez — e cila mbështetet nga ushtria venezueliane — fillimisht u shfaq sfiduese, duke e quajtur Maduron “presidentin e vetëm” të vendit dhe duke e cilësuar sulmin amerikan si një “njollë të tmerrshme” në marrëdhënie.

Pasi Trump sinjalizoi se ishte gati të kryente një valë të dytë veprimesh ushtarake në Venezuelë nëse do të ishte e nevojshme, Rodriguez zbuti qëndrimin e saj, duke shkruar në rrjetet sociale herët më 5 janar se Karakasi kërkonte një marrëdhënie “të balancuar dhe të respektueshme” me Uashingtonin.

“Ne i shtrijmë një ftesë qeverisë amerikane për të punuar së bashku në një agjendë bashkëpunimi që synon zhvillimin e përbashkët,” shkroi ajo.

Sulmet amerikane në Venezuelë dhe kapja e Maduros u dënuan ashpër nga disa aleatë të Karakasit, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili tha se veprimi ushtarak amerikan vendos një “precedent të rrezikshëm”.

Agjencitë e lajmeve cituan burime që thanë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet në orën 10:00 të mëngjesit më 5 janar për të diskutuar operacionin amerikan. Kolumbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, kërkoi seancën, thanë diplomatët.

Reagimi i diasporës venezueliane

Për Jesus Guarecucon, një mjek venezuelian në fund të të tridhjetave që jeton në Miami, Florida, lajmi solli një ndjenjë lehtësimi të shumëpritur.

“Ne jemi absolutisht të lumtur për atë që ndodhi. Kjo është diçka që e kemi pritur për kaq shumë kohë”, i tha Guarecuco Radios Evropa e Lirë.

Guarecuco tha se shumë venezuelianë ndihen sikur nuk janë dëgjuar, pavarësisht viteve të tëra thirrjesh drejtuar komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Kombeve të Bashkuara.

Guarecuco jeton në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2018, pasi u largua nga Venezuela dhe kërkoi azil politik, për të cilin tha se erdhi si pasojë e përndjekjes së lidhur me aktivitetin e tij politik opozitar. Ai tha se zhvillimet janë pritur me një përzierje lehtësimi dhe pasigurie mes venezuelianëve.

“Shumë venezuelianë janë të hutuar për atë që do të ndodhë më pas. Mendoj se kjo është si një lojë shahu. Duhet të bëhen shumë lëvizje politike”, tha ai, duke shprehur shpresën se ky veprim do të çojë drejt një qeverie tranzitore dhe, përfundimisht, drejt vendosjes në pushtet të kandidatit opozitar Edmundo Gonzalez.

“Ne e dimë që do të marrë kohë, por kjo është ajo që po presim”, tha ai.

Ai shtoi se çdo përfshirje amerikane ka të ngjarë të shoqërohet me marrëveshje të reja, veçanërisht lidhur me naftën, nga të cilat, sipas tij, mund të përfitojnë të dy ekonomitë.

“Nëse i pyet njerëzit e zakonshëm, atyre në të vërtetë nuk u intereson nafta”, tha ai. “Ajo që duan është largimi i Maduros, bashkë me rrethin e tij të ngushtë. Ata duan një qeveri të re, një Venezuelë të re ku njerëzit mund të punojnë, të kenë mundësi dhe një vend të ri. Kjo është ajo që po presim”, tha Guarecuco.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Evropa në valën e të nxehtit: Temperatura deri në 44°C

Published

on

Trembëdhjetë persona u mbytën gjatë fundjavës në Francë, duke notuar në zona të pambikëqyrura, në kushte të nxehtësisë ekstreme.

Kjo valë e të nxehtit pritet të bëhet edhe më e fortë nga sot, në shumë vende të Evropës, prandaj autoritetet kanë marrë masa të veçanta për mbrojtjen e njerëzve.

Shumë aktivitete në ambiente të hapura janë anuluar, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë punonjësve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Në Francë, 49 nga 96 rajonet janë vendosur nën alarmin e kuq për nxehtësinë.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteo-France, temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në qytetin jugperëndimor Bordu dhe 39 gradë Celsius në Paris.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos freskohen në zona të pambikëqyrura, si liqenet dhe lumenjtë, pas mbytjeve të raportuara gjatë fundjavës – në mesin e tyre edhe një vajzë 13-vjeçare.

Rreth 845 shkolla janë mbyllur të hënën, për shkak të nxehtësisë, ndërsa 1.800 të tjera i kanë lejuar nxënësit të largohen më herët.

Në Belgjikë, temperaturat këtë javë pritet të jenë “më të nxehtat ndonjëherë”, paralajmëroi shefi i parashikimeve në institutin meteorologjik IRM, David Dehenauw.

Në Spanjë, meteorologët paralajmërojnë nxehtësi shumë të madhe si ditën ashtu edhe natën, deri të mërkurën, me temperatura deri në 44 gradë Celsius.

Ata thonë se kjo është 5 deri në 10 gradë më shumë se normalja për këtë periudhë.

Në Portugali, temperaturat janë mbi mesataren, ndërsa në disa zona ato po u afrohen rekordeve të mëparshme.

Në Britani është dhënë paralajmërim për nxehtësi ekstreme, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se rekordet e nxehtësisë në Britani për muajin qershor pritet të thyhen.

Në Republikën Çeke dhe në pjesë të tjera të Evropës Qendrore, temperaturat janë gjithashtu mbi mesataren për këtë periudhë.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, situata është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës: temperatura të larta dhe valë e fortë nxehtësie, me disa dallime nga vendi në vend.

Kjo valë e të nxehtit është e dyta radhazi brenda dy muajve, pas një periudhe të pazakontë të nxehtë në maj.

Shkencëtarët thonë se valët e përsëritura të të nxehtit janë një shenjë e qartë e ngrohjes globale dhe paralajmërojnë se ato do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më të forta.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja dhe Irani janë pajtuar për një plan drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, thonë ndërmjetësit

Published

on

Ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari deklaruan më 22 qershor se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit kanë përfunduar, me të dyja palët që kanë rënë dakord për një kornizë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje brenda 60 ditëve, që përfshin garantimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftimeve në Liban.

Pak detaje konkrete u bënë publike në një deklaratë të përbashkët të Katarit dhe Pakistanit. Marrëveshja duket se pasqyron objektivat e përgjithshme të përcaktuara në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar javën e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit.

Ai memorandum la të hapura për interpretim shumë prej termave të një marrëveshjeje me 14 pika. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ato çështje ishin sqaruar në marrëveshjen më të fundit.

Deklarata tha se, ndërsa negociatat formale kishin përfunduar në qytezën turistike zvicerane të Byrgenstokut, diskutime të mëtejshme teknike do të zhvillohen nga delegacionet gjatë javës së ardhshme.

Ajo tha se do të krijohen “grupe pune” për të trajtuar çështjet “bërthamore, sanksionet dhe një grup për monitorim dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve për të siguruar zbatimin efektiv të memorandumit të mirëkuptimit, si dhe për çështje të tjera”.

Zyrtarët amerikanë nuk komentuan menjëherë.

Ministria e Jashtme e Iranit, në deklarata të raportuara nga media shtetërore iraniane, tha se bllokada amerikane e porteve ishte hequr, se “disa asete të ngrira” ishin liruar dhe se ishte nisur një “plan i madh zhvillimor për rindërtimin e Iranit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se, lidhur me kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, “u ra dakord të organizohet një mekanizëm”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Më herët, ndërsa ora po afrohej mesnatës, një diplomat i lartë amerikan tha se ekipet amerikane dhe iraniane do të punonin “gjatë gjithë natës” në përpjekje për ta shndërruar memorandumin e mirëkuptimit në një zgjidhje të përhershme ushtarake dhe politike. Zyrtarët thanë se bisedimet zgjatën 18 orë.

Marrëveshja, dhe veçanërisht dakordimi për ngritjen e një fondi rindërtimi si dhe mungesa e qartësisë mbi programin bërthamor të Iranit, është pritur me zemërim nga demokratët amerikanë dhe gjithashtu nga shumë republikanë.

Përveç kësaj, shumë udhëheqës izraelitë kanë deklaruar se vendi nuk është palë në marrëveshje dhe janë zotuar të vazhdojnë sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Hezbollahu, një grup militant dhe parti politike e mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo degën e tij politike.

Raportet kanë sugjeruar gjithashtu se kundërshtimi nga disa fraksione të vijës së ashpër brenda Iranit — përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) — ka ushtruar presion shtesë mbi ekipet negociuese të Teheranit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending