Connect with us

Kosovë

Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pasi LVV kërkon tre anëtarë

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti i ka kërkuar tre anëtarë.

Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë (REL) të martën se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit dhe se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga gjykata më e lartë e vendit.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

Derisa kabineti i Osmanit nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit konfirmoi për REL-in se i ka propozuar tre kandidatë.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar tre, partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tregoi se e ka propozuar një kandidat.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.

“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.

Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.

Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.

“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohet një person në Ferizaj pasi sulmoi babanë e ish-bashkëshortes

Published

on

Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Kanosje”, pas një incidenti në rrugën Prishtinë–Shkup, më 15 maj 2026.

Sipas policisë, i arrestuari me inicialet R.S., dyshohet se ka bllokuar me veturë viktimën A.T. dhe më pas e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Viktima mori trajtim në Spitalin e Ferizajt, ndërsa gjatë hetimeve, ish-bashkëshortja e të dyshuarit deklaroi se ishte kanosur përmes telefonit dhe dorëzoi audio-incizime si dëshmi.

Policia bëri të ditur se i dyshuari gjatë intervistimit dhe në prani të avokatit e ka pranuar veprën.

Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë.

Continue Reading

Kosovë

Ndërroi jetë profesor Dr. Alush Gashi

Published

on

Ka ndërruar jetë në moshën 74 vjeçare, Profesor Dr. Alush Gashi, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë.

Lajmi për vdekjen e profesorit dhe politikanit të shquar u bë i ditur nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.    

Alush Gashi studioi mjekësinë në Universitetin e Prishtinës më 1974 dhe përfundoi doktoratën në moshën 28 vjeçare në Zagreb më 1979, duke u bërë kështu doktori më i ri i shkencave në fushën e anatomisë në Evropë

Gjatë jetës së tij, Alush Gashi ka qenë dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, këshilltar i presidentit dr. Ibrahim Rugova, anëtar i Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, anëtar i Kryesisë së LDK-së, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i LDK-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Në zgjedhjet e vitit 2007, Gashi,  ishte ndër përfaqësuesit më të votuar në parlamentin e Kosovës. Ai ishte nënshkrues i deklaratës së pavarësisë, dhe ndërmjet nëntorit 2007 dhe prillit 2010  mbajti edhe postin si ministër i shëndetësisë.

Në qershor të vitit 2021, Prof. Dr. Gashi themeloi Institutin për Marrëdhënie me Jashtë (Institute of Foreign Relations), ku si institucioni i parë i llojit të tillë,  kishte synim të nxisë një debat intensiv mbi politikën e jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Kosovë

Kos bën thirrje për institucione të qëndrueshme, në mënyrë që Kosova të ecë përpara drejt BE-së

Published

on

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, i ka bërë thirrje spektrit politikë në Kosovë gjatë një vizite në Prishtinë të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian.

Kos – në vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës më 2024 – u prit të premten nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, para se të takohej me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Duke folur në një konferencë për media përkrah Kurtit, Kos tha se “nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën”.

Por, ajo tha se Kosova – e cila ende nuk e ka statusit e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllok, duhet të ketë sa më parë institucione të qëndrueshme dhe funksionale.

“Thirrja ime e qartë në këtë vizitë është për të gjithë aktorët politikë për ta gjetur një mënyrë për ta kthyer stabilitetin institucional”, tha Kos.

Vizita e saj po zhvillohet në një kohë kur vendi ka institucione në detyrë pasi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 7 qershor.

Këto janë zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, të cilat kanë ngadalësuar reformat kyç dhe kanë krijuar kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Kos tha se shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe Kosova duhet ta zërë hapin pas një vitit të humbur më 2025.

“Është e rëndësishme që pasi të bëhet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe t’i themelojnë të gjitha institucionet, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri përmes kompromisit dhe t’i japin fund këtij ngërçi të gjatë institucional”, tha ajo.

“Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane. Dhe për mua personalisht, unë jam e etur për ta rritur intensitetin e punës me Kosovën pasi të jenë formuar institucionet e reja”, theksoi Kos.

Kurti, në anën tjetër, tha se “patëm një takim produktiv dhe të drejtpërdrejtë”.

Ai tha se në takim me Kosin e ngriti çështjen e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të hapjes së negociatave me bllokun.

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të reflektojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate”, tha Kurti.

Kurti theksoi se vendi po punon me shtetet anëtare, por kërkoi nga BE-ja ta shtyjë përpara unitetin brenda bllokut për çështjen e Kosovës.

“Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që lë Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakeq, të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, tha ai.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Ndër pengesat kryesore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së është edhe mosnjohja e pavarësisë së saj nga katër vendet anëtare, Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Ndërkohë, kjo ishte vizita e parë e Kosit në Kosovë qëkurse ajo e mori detyrën në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.

Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.

Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që e ka shoqëruar Kosovën gjatë muajve të fundit.

Një vizitë e Kosit në Prishtinë ishte planifikuar për 12 mars, por ajo u anulua pasi ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 6 mars vendosi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, javën e kaluar burime në Bruksel i thanë Radios Evropa e Lirë se tani vlerësohet se vizita duhet të zhvillohet pavarësisht gjendjes politike, pasi nuk pritet që ajo të ndryshojë thellësisht në një periudhë të shkurtër.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending