Connect with us

Kosovë

Një muaj paraburgim ndaj ish-pjesëtarit të MPB-së serbe, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për një ish-pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuar nën dyshime për krime lufte në Kaçanik.

A.D. u arrestua më 4 prill dhe sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai ishte pjesëtar i MPB-së serbe në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut në kohën kur dyshohet se ka kryer krime në mars të vitit 1999 në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Kaçanikut.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se “në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan”.

Prokuroria po ashtu ka thënë se ai dyshohet për rrahjen dhe torturimin “në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike” dhe shkaktimin e “lëndimeve të rënda trupore” të 13 civilëve gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor në Kaçanik.

Këta civilë ishin në mesin e 91 meshkuj që forcat serbe i kishin ndarë prej rreth 400 burrave, grave, pleqve e fëmijëve të grumbulluar për t’u dërguar në stacionin policor në Kaçanik, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Arrestimi i A.D. nxiti reagime nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, që tha se ai ishte një polic në pension nga një fshat i Prizrenit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të motivuar “politikisht”.

Arrestimi i fundit vjen pak javë pasi Gjykata në Prishtinë shqiptoi dënim me burgim ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99.

Gjykata në Prishtinë i dënoi më 18 mars Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim.

Së voni, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Këto janë çmimet maksimale të derivateve për sot

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se për ditën e sotme (07.04.2026) një litër naftë mund të shitet maksimumi për 1.88 €, 1 litër benzinë 1.46 € derisa 1 litër gaz mund të shitet maksimumi 0.74 €.  

MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri të marrë më datë 05.04.2026. Shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Continue Reading

Kosovë

Visar Azemi dorëzon në polici dëshmitë për njehsorët e rrymës

Published

on

Sekretari organizativ në LDK, Visar Azemi, sot ka dorëzuar në polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

Ai u tha mediave se dosjen me fakte e dorëzoi pas ftesës nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për të dëshmuar rreth dyshimeve për mosfunksionimin e rregullt të njehsorëve elektrik të KEDS-it.

Azemi tha se skandali me njehsorët elektrik po tentohet të minimizohet nga KEDS-i dhe Ministria e Industrisë, por meqë prokuroria ka autorizuar fillimin e hetimeve, ai shpreson që  ky proces të zhvillohet për të mirën e qytetarëve dhe që ata në fund të kompensohen.

“I gjithë ky skandal i madh i cili ka filluar me njehsorë elektrike po mundohet me u minimizuar edhe nga ana e KEDS-s, e fatkeqësisht edhe nga ana e Qeverisë, në këtë rast nga Ministria e Industrisë, ku akoma po manipulojnë me qytetarë, po thonë që këto devijime të cilat i kanë pranuar dhe i kanë tërheq disa njësorë elektrikë nga qytetarët, po e matin saktë sasinë, po nuk po tregojnë ku është problemi.

Pra, problemi është që energjia elektrike e cila është dashtë me u faturua me të lirën, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, është faturuar me tarifën e shtrenjtë. Qytetarët kanë prit me orë të tëra për me i vendos në funksion pajisjet e tyre, duke menduar që po e shfrytëzojnë energjinë me të lirë qysh edhe iu ka mundësuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, po në fakt ka dalë e kundërta. Kjo është dëshmia kryesore dhe ky është skandali kryesor në të cilin unë po punoj. Do ta bëj maksimumin tim për të gjetur një zgjidhje sepse qëllimi këtu është që t’iu kthehen të gjitha paratë që iu kanë marrë qytetarëve të Kosovës padrejtësisht”, tha ai.

Ditë më parë, Azemi kishte prezantuar gjetjen, sipas së cilës, nga 884 njehsorë të verifikuar, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

Continue Reading

Kosovë

S’ka marrëveshje për çështjen e presidentit, Kurti dhe Abdixhiku zotohen për takime tjera

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, parti opozitare, janë zotuar të hënën se do t’i vazhdojnë diskutimet për çështjen e presidentit të vendit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë tjera, është e vështirë që të paramendohet një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona dhe me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, ka thënë Kurti pas takimit pothuajse dyorësh që e ka zhvilluar me kreun e LDK-së në ambientet e Kuvendit.

Ai ka thënë se disa pika të takimit do të mbesin konfidenciale, pa treguar se në çfarë drejtimi është diskutuar për pozitën e presidentit.

Takimi është zhvilluar pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

“Ndodhemi aty ku ndodhemi. Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund të them që e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje, në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit”, ka deklaruar Kurti, duke paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë më të madhe opozitare në vend.

Edhe Abdixhiku ka thënë se palët po përpiqen të arrijnë deri te një zgjidhje.

“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime. Kjo është rruga që duhet ndjekur përpara. Do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për t’i shmangur zgjedhjet”.

I pyetur nëse LDK-ja pati emra konkretë për pozitën e presidentit, ai tha se palët “nuk kanë arritur ende në atë fazë”.

“Në proces janë dy emra, kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-ja e ka pozicionin e vet të qartë se jo të gjitha pozitat shtetërore mund t’i takojnë një partie politike, ky është pozicioni ynë”.

Më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Kurtit, parti në pushtet, i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Të nesërmen, ish-presidentja Osmani e ka prezantuar një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

LVV-ja e çoi dekretin e Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar jokushtetues.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Çështja e presidentit është kthyer në temën kryesore të diskutimit në skenën politike të Kosovës, pasi ka muaj që nuk arrihet një marrëveshje.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending