Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Ferizajt kërkesa e MAPL-së, drejtuar komunës së Ferizajt për anulimin e vendimit të saj Nr.35 të datës 25.03.2021, për dhënien në shfrytëzim të pronës së Komunës për shoqatën Hendifer, ngalli shumë reagime në mesin e kuvendarëve si të opozitës ashtu edhe të pozitës. MAPL-ja kërkesën e vet për anulim e kishte mbështet mbi arsyetimin se prona nuk është publikuar në listën e pronave komunale për dhënie në shfrytëzim.
Kuvendarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hatixhe Bungu-Qerimi tregoi se Komuna e Ferizajt nuk po ia paguan qiranë kësaj shoqate.
“Shoqatat për personat me aftësi ndryshe janë pa objekt, duke u endur poshtë e lartë si qiragjinjë. Siç thotë edhe qiramarrësi që Komuna e cila është zotuar me pagu qiranë, nuk e bënë një gjë të tillë. Objekti i tyre është rrënuar që t’i lirohet hapësira “Bashkimit të Qytetit”, gjithashtu iu mor parcela afër Cosmos që të bëhet vendi për pensionerët. Gjatë vitit 2020, ekspertët kanë punuar për projektin e shoqatës Hendifer pasi që kanë takuar një donator për ndërtimin e ndërtesës së parë për personat me aftësi ndryshe. Parcela e dhënë me datë 25.03.2021 po del të jetë e kundërligjshme sepse u procedua në Kuvend pa u përfillë rregullat dhe ligjet në fuqi. Këtë e keni bërë nga mos dija apo ka qenë e qëllimshme? Javën e kaluar, donatori është konsultuar me anëtarë të shoqatës për arritjen e një memorandumi bashkëpunimi për zgjidhjen e problemit, donatori erdhi e qëndroi një javë por takimi nuk u realizua, donacioni u humb, puna shkoi huq, a duhet ditur përgjegjësi?”.
Hatixhe Bungu-Qerimi – Kuvendare e AAK-së
Përgjigje për pyetjet e saj, Bungu nuk mundi të marrë nga drejtori i drejtorisë së Pronës, Sabri Murseli sepse ai mungoi në seancë, megjithatë një përgjigje e mori nga kryesuesja, Kristina Gashi-Bytyçi.
“Komuna është e obliguar të bëjë zgjidhje, është prioritet, nëse jo tani pas kthimit të vendimit nga Ministria, mandatin tjetër do t’u bëhet zgjidhje”.
Kristina Gashi-Bytyçi – Kryesuese e Kuvendit
Zgjidhje rreth kësaj çështje ofruan kuvendari Amir Rexhepi dhe ai i PDK-së Arian Imeri.
“Unë propozoj që ngastra kadastrale 507-1, me sipërfaqe 471 metra katror dhe 569-1 me sipërfaqe 729 metra katrorë, të përfshihen tek pronat për dhënie në shfrytëzim që t’i jepet OJQ-ve për personat me aftësi të kufizuara”.
Arian Imeri – Kuvendar i PDK-së
“Është dashur që pasi që po anulohet ky vendim të keni një vend tjetër që t’i jepet kësaj kategorie, në mënyrë që të mos e gënjejmë këtë kategori”.
Amir Rexhepi – Kuvendar i AKR-së
E frustruar rreth kësaj teme u shfaq edhe kuvendarja e LDK-së, Bahrije Hyseni e cila pati akuza drejt ekzekutivit lokal.
“Tash do ta shfrytëzoni, ju partitë që ishit në pushtet, për fushatë se njerëzve me aftësi të kufizuara do ua bëni një objekt. Mos luani me njerëz të këtij qyteti që janë me aftësi të kufizuara”.
Bahrije Hyseni – Kuvendare e LDK-së
Në fund, me 27 vota për dhe një votë kundër u miratua propozimi për anulimin e këtij vendimi.
Në aksidentin tragjik të komunikacionit, që ndodhi ditë më parë në afërsi të Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari, humbën jetën Tahir Tahiri, 61 vjeç, Gentian Tahiri, 34 vjeç dhe Laurent Aliu, 16 vjeç, që të tre nga lagjja Nuhaj e fshatit Komogllavë të Ferizajt.
Identiteti i të ndjerëve u bë i ditur në njoftimin mortor të publikuar në faqen e fshatit Komogllavë, ku më tej thuhet se data dhe koha e ceremonisë së varrimit do të bëhet e ditur sapo të merren vendimet përkatëse.
Të ndjerët humbën jetën teksa po ktheheshin nga Kosova drejt vendit ku jetonin në Gjermani.
Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona në Ferizaj, nën dyshimin për blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe mbajtjen në pronësi të paautorizuar të armës.
Të dyshuarit u arrestuan të enjten, rreth orës 18:30, në Ferizaj derisa gjatë kontrollit u janë gjetur dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike, përfshirë 485.27 gramë marihuanë, 181.7 gramë hashash dhe 2.1 gramë kokainë, para të gatshme, një pistoletë me gaz me një karikator dhe tri boca gazi.
Me vendim të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit, pas intervistimit nga Policia, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ferizaj 06.08.2026 – 18:30.
“Janë ndaluar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, gjatë kontrollimit tek personat e dyshuar janë gjetur dhe konfiskuar: substancë e llojit Marihuanë rreth 485.27 gramë, substancë e dyshuar e llojit Hashash e gjetur në dy pjesë me peshë 181.7 gramë , substancë e dyshuar e llojit Kokainë 2.1 gramë, para të gatshme. një pistoletë me gaz me një karikator dhe tri boca gazi. Paketime të zbrazëta të qeseve të najlonit, dy peshore njëra digjitale dhe tjetra me tërheqje, dy mulli (grindera) për bluarje, tetë telefona celularë të llojeve të ndryshme, një DVR i kamerave. Me vendim të Prokurorit tre personat e dyshuar pas intervistimit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, bëri të ditur Policia në raportin 24 orësh.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se ditëve të fundit, disa qytetarëve u kanë ardhur mesazhe (SMS) mashtruese kinse të dërguara në emër të Policisë së Kosovës duke pretenduar se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe duke i ftuar ata të klikojnë në lidhje (linke) për të kryer pagesën e tyre.
Sipas Policisë, këto mesazhe janë të rreme dhe nuk janë dërguar nga institucionet e rendit dhe ligjit, pra janë mesazhe të dërguara si tentativë për mashtrim.
Policia paralajmëron qytetarët që nëse pranojnë ndonjë e-mail apo mesazh të dyshimtë, të veprojnë si në vijim:
Mos klikoni në linkun e dyshimtë;
Mos i jepni të dhëna personale apo bankare;
Mos kryeni pagesa përmes lidhjeve të dërguara me SMS;
Raportojeni rastin në stacionin më të afërt policor;
Kontaktoni bankën tuaj nëse keni ndarë të dhëna personale ose bankare;
Fshijeni menjëherë mesazhin e dyshimtë;
Qytetarët mund të raportojnë raste të tilla përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon për kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe bashkëpunim me policinë për parandalimin e tyre.