Connect with us

Ferizaj

OVL në Ferizaj: Në listat e publikuara ka veteranë të vërtetë

Published

on

Sikur sot, edhe çdo ditë tjetër,  Rasim Hamiti disa orë ia  kushton bletëve që ka. Këtë punë ai ishte duke e kryer edhe dje kur papritmas nëpër portale e ka lexuar emrin e tij në një listë të publikur si veteran i rrejshëm. I habitur që gjeti emrin e tij aty, Hamiti tha se në Kosovë gjithçka është e mundur, mirëpo pavarësisht lajmeve dhe listave që po dalin, ai thotë se ndihet krenar që i shërbeu atdheut para lufte, në luftë si dhe pas saj.

“Se di a po i sheh këto bletët e mija, a po i brengos ato kjo punë aq edhe mu, sepse e vërteta është me neve edhe atë s’ka kush që e fsheh, sepse ajo shihet nga larg. Në fillim isha i shqetësuar pse emri im ishte aty, por më pas duke i analizuar gjërat, faktet, në biseda me shokë e miq, e kuptova se gjithçka është jo zyrtare. Unë po ashtu kam komunikuar dje me prokurorin Blakaj, ai e ka pranuar se janë shtuar diku 2000 veteranë të vërtetë në listën e veteranëve të rrejshëm, por unë nga ai kërkova që ta publikoj listën e vërtetë, ose të më drejtoj mua se ku të ankohem dhe kujt t’i kërkoj llogari. Kësaj pune kujtoj që duhet shkuar deri në fund“, tha Hamiti.

Hamiti thotë se dikush po  dëshiron të krijoj përçarje në vendin tonë.  Ndërsa nga faji dhe përgjegjësia nuk e përjashton as  Qeverinë e vendit.

“Pas lufte ne kemi filluar me punët tona, me drejtimet tona, dikush punë bujku, dikush politikan e dikush biznes, thjesht as që po du me u marrë me çështjen se çfarë loje është duke u luajtur, për vete po flas jam shumë i vogël për me kuptu se kush çka po don me arritë me këtë që po ndodhë. Unë kujtoj se ne duhet me qenë të qetësuar, të matur dhe duhet të merremi veç me fakte, duhet t’i presim vetëm listat zyrtare, nuk kisha dashtë fare të merrem me thashetheme ose lista që publikohen pa kurrfarë burimi zyrtar. Përndryshe unë jam veteran i UÇK-së,  në fakt me ligjin që sot ekziston në Kosovë  më takon edhe statusi i invalidit, por s’kam aplikuar kurrë, sepse nuk më ka pëlqyer pasi që nuk e ndjej vetën invalid por të aftë për punë”, tha Hamiti.

Në listën e publikur dje nëpër disa portale, figuron edhe emri i Gëzim Haxhimusës, i njohur me nofkën “piktori”. Edhe ky thotë se lajmin nuk e ka pritur me shumë shqetësim, mirëpo thekson se shoqatat kompetente duhet të angazhohen për ta zbardhur të vërtetën.

“Turp t’iu vie atyre që e kanë bërë këtë gjë, por shqetësimi më i madh është që janë publikuar edhe të dhënat tona personale, këtu dikush duhet të jap llogari dhe ne kemi menduar që të bëjmë padi për këtë çështje. Unë mbrëmë e kam mbyllur telefonin, aq shumë kam pas thirrje nga miqtë që janë shqetësuar, sepse mua kjo s’më ka prekur sepse e di vetvetën. Shoqatata duhet të reagojnë dhe të merren me këtë punë, sepse edhe ato na njohin të gjithëve”,  tha Gëzim Haxhimusa.

Publikimi i këtyre listave e ka zhgënjyer edhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj. Nënkryetari i kësaj organizate Luan Jahiri, tha se kjo situatë e krijuar ka sjellë shqetësim tek familjet e atyre që vërtetë ishin pjesëtarë të UÇK-së.

“Së pari duhet të kihet parasysh që organizata jonë nuk ka qenë e përfshirë në verifikimin e ushtarëve, tash është e njëjta prapë që në publikimin e këtyre listave nuk jemi përgjegjës, prokuroria ka qenë në zyrat tona kanë kërkuar të dhëna, ne i kemi ofruar të gjitha faktet që kanë qenë pjesë e organizatës. Jam i indinjuar me këto lista, sepse këtu përfshihen shumë pjesëtarë të vërtetë. Nuk e di si është zgjedhur mostra nga prokuroria për të verifikuar raste të tilla, por mbi 90% e listës së Ferizajt është që kanë qenë ushtarë të vërtetë. Besoj që kjo listë nuk është preliminare dhe gjithça do të përmirësohet. Prokurorisë i kemi dorëzuar të gjitha dëshmitë për ata që i kemi pasur në listë dhe do të marrim përgjegjësi për të gjithë ata që janë të vërtetë”, tha ai.

Televizioni Tema ka kontaktuar edhe me zyrtarë të lartë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, por gjatë ditës së sotme ata nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen. Përmes telefonit kryeprokurori Shukri Jashari i tha Tv Temës se një deklaratë lidhur me këtë proces do ta jap gjatë kësaj jave.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarve për mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën prej një muaj paraburgim kundër të pandehurve A.L. dhe R.J. që dyshohen për veprën penale të mashtrimit

Në njoftimin e gjykatës bëhet e ditur se vendimi për masën e paraburgimit u morr gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Alba Makolli pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 prill 2026, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit, me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurin V.N., i cili gjendet në arrati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme (A. dhe B.), i vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F., dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”,  ashtu që për realizmin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro, të cilat të holla sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbert, i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative arrihet të zbulohet se të pandehurit përsëri do të vepronin skemën e njëjtë në një rrugë në Kaçanik, duke marr një lokal me qera dhe duke caktuar takimin në atë lokal, ashtu që pas reagimit të hetuesve policor arrihen që të njëjtit të arrestohen në vend ngjarje, ndërsa i pandehuri V.N., arrin të arratiset”, thuhet mes tjerash në njoftimim e gjykatës.

#

Continue Reading

Ferizaj

Vdekja e foshnjës në Ferizaj: Rasti po hetohet si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se kanë nisur hetimet për rastin e cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur të martën mbrëma, kur një paciente kishte lindur foshnjën e saj në tualetin e Emergjencës në Ferizaj.

Spitali i Ferizajt, përmes një komunikate ka njoftuar se pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.

Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.

Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.

Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Më tej,  Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt bëri të ditur se është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Në raportin e Policisë thuhet se “Me vendim të prokurorit, foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtejshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë, Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.”

#

Continue Reading

Ferizaj

Sekuestrohet një revole me municion dhe shurdhues në Ferizaj

Published

on

Një person është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj pas një kontrolli në shtëpinë e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz, pesë fishekë dhe një shurdhues i armës së zjarrit.

Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur mëngjesin e së dielës, më 3 maj 2026, rreth orës 8:30 në rrugën “Gucia” në Ferizaj .

Me vendim të prokurorit pas intervistimit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Trending