Connect with us

Kosovë

Kërcënon Petkoviq: Fillon formimi i Asociacionit nëse Kosova nuk heq dorë nga vendimi për targat

Published

on

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 30 korrik se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë një konference për media në Serbi, ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.

I pyetur që të jap detaje lidhur me formimin e Asociacionit, Petkoviq u përgjigj:

“Ne do t’iu informojmë me kohë për çdo gjë”.

Deklaratat e Petkoviq vijnë teksa më 1 gusht pritet të nisë ri-regjistrimi i makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga Serbia. Këto targa nga Prishtina zyrtare konsiderohen të jashtëligjshme.

Procesi i ri-regjistrimit pritet të zgjasë deri më 30 shtator.

Po ashtu më 1 gusht, të gjithë qytetarët që do të hyjnë nga territori i Serbisë në Kosovë, do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Sipas autoriteteve në Kosovë, praktikë të njëjtë Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ekzekutivi kosovar më herët ka njoftuar se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikë kalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes./rel

Kosovë

Ndalohen katër persona lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Katër persona janë ndaluar për 48 orë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, njoftoi Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës dhe dorasi i dyshuar është ish-kunati i saj, i cili gjendet në paraburgim.

Sipas njoftimit, N.S. dhe D.S janë ndaluar nën dyshimet për veprën penale të “ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, ndërkaq M.P. dhe G.B. dyshohen për “dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Ndonëse autoritetet i identifikuan vetëm me iniciale të ndaluarit, mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se në mesin e të ndaluarve janë ish-vjehrra dhe ish-kunati i Arlinda Zekajt, të cilët dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të kuptuar nëse në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i Zekajt, por ende nuk ka marrë përgjigje.

“Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen”, thanë autoritetet, duke shtuar se për katër të ndaluarit do të kërkohet caktim i masës së paraburgimit.

Pas ndalimit të katër të dyshuarve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se hetimet për këtë rast duhet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet. Ai tha se edhe personat që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e krimit duhet të përballen me drejtësinë.

Vrasja e Arlinda Zekajt nxiti reagime të shumta institucionale dhe zemërim të opinionit publik për faktin se ajo para se të vritej kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Zekajt, teksa autoritetet i kanë pezulluar 13 zyrtarë që ishin marrë me rastin e saj për dhunë në familje.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pesë ditë pas rastit dha dorëheqje për arsye morale.

Disa protesta janë mbajtur pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ku protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe dorëheqjen e dy ministrave, të Sveçlës dhe të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Që të dy kanë refuzuar thirrjet për t’u dorëhequr.

Thirrjet e Arlinda Zekajt drejtuar institucioneve

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Më 22 tetor, ajo i kishte shkruar një letër kryeprokurores, tashmë të pezulluar, të Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke u ankuar për mënyrën se si ishte trajtuar rasti i saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.

Thirrjet drejt institucioneve ajo i kishte nisur qysh në dhjetorin e vitit të kaluar, kur kishte raportuar se bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.

Më vonë, autoritetet kishin lëshuar një urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.

Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.

Pas vrasjes së saj, Prokuroria Themelore në Pejë tha se, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

Në ditën kur u vra, Zekaj kishte bërë denoncim për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj u ndalua nga policia, teksa ajo kishte këmbëngulur që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e kishte pranuar se siguria e saj mbetej e cenuar, por kishte këmbëngulur në të drejtat e saj.

Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga ish-kunati i saj.

Ish-kunati i saj më pas u arratis, por u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit dhe më pas gjykata i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që është vrarë gjatë këtij viti.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Ilir e Rrahim Abdullahu dënohen me nga 18 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës

Published

on

Ilir dhe Rrahim Abdullahu janë dënuar me nga 18 vjet burgim për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza.

Aktgjykimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se Ilir Abdullahut i vazhdohet masa e paraburgimit, ndërsa Rrahim Abdullahut i caktohet paraburgimi. Të dyja masat do të jenë në fuqi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Në shpalljen e aktgjykimit, Rrahim Abdullahu nuk ishte prezent në sallë, ndërsa i pranishëm ishte i bashkëakuzuari i tij, Ilir Abdullahu.

Polici Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për këtë rast, më herët është dënuar edhe Arben Berisha me 35 vjet burgim për kryerje të vrasjes, ndërsa Enver Sekiraqa, për nxitje të vrasjes, është dënuar me 25 vjet burgim.

Sekiraqa ndodhet në arrati që nga 17 maji 2024, kur ishte liruar nga paraburgimi pas ndryshimit të masës së sigurisë.

Continue Reading

Kosovë

Një shtetas i Kosovës ekstradohet në SHBA për krime kibernetike

Published

on

Një shtetas i Kosovës është ekstraduar  për në SHBA, pasi që i njëjti kërkohej nga autoritetet amerikane për përfshirje në veprat penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.

I dyshuari iu dorëzua mëngjesin e sotëm njësisë U. S. Marshall të SHBA-së, në ANP “Adem Jashari”, bëri të ditur Policia.

Në njoftim nuk u dhanë informacione për identitetin, moshën apo hollësi tjera për personin e ekstraduar.

Por, Policia e Kosovës tha se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të krimit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit

Continue Reading

Trending