Connect with us

Ferizaj

Në veri fletushka kundër vendimit për targat dhe dokumentet: Jo dorëzim, KM mbetet

Published

on

Në veri të Kosovës, dy ditë para nisjes së zbatimit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa me emra të qyteteve të Kosovës dhe lëshimit të një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit serb, u shfaqën disa pankarta dhe fletushka me mesazhin: “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimet serbe do të mbeten”.

Po ashtu, harta e Kosovës, e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit serb është parë në veri të Kosovës dhe mbi të është shkruar “jo dorëzim”, për të kundërshtuar vendimin e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, për shtetasit e Serbisë, që hyjnë në territorin e Kosovës.

Kosova ka thënë se një dokument të tillë, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës që 11 vjet.

Paraprakisht, më 13 korrik, në Mitrovicën e Veriut, në targat RKS (Republika e Kosovës) u mbuluan me letra ngjitëse me targat KM – që lëshohen nga Serbia – dhe me stemën e Serbisë, ndërsa disa ditë më pas, nëpër makina u panë fletushkat me mesazhin “Jo dorëzim, KM mbetet”.

Kosova i konsideron të jashtëligjshme targat me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i ri-regjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Çështja e targave kishte rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse. Ky vendim shtyri serbët lokalë të bllokonin për dy javë pikë kalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, tensionet u ulën dhe palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme për targat. Por, pas skadimit të afatit për të arritur një marrëveshje për targat, dy palët kanë vazhduar regjimin e letrave ngjitëse./rel

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Arrestohen tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj e Gjakovë si dhe një avokat

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë si dhe një avokat nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Bashkëkryerja”.

Ata janë arrestuar mëngjesin e sotëm në një aksion të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kurse gjatë aksionit janë kontrolluar dy lokacione të ndryshme në Ferizaj.

Në njoftimin e Policisë thuhet se pas hetimeve të zhvilluara për një kohe, tre zyrtarët gjyqësor dhe avokati  u arrestuan nën dyshimin se kanë ushtruar ndikim në proces-afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore dhe çështje të punësimit.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar katër telefona celulare, dy shtëpiza PC si dhe dokumentacion relevant për nevoja te hetimeve.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës  dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohet një zyrtar policor në Ferizaj nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Published

on

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar të hënën një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm, skema piramidale dhe armëmbajtje pa leje si dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë ditës së djeshme hetuesit e IPK-së kanë bastisur 7 (shtatë) lokacione ku janë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë e gjuetisë, dy armë të ftohta (thika), si dhe municion i llojeve të ndryshme.

Sipas dyshimeve fillestare, polici dyshohet se gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm online, si dhe kishte poseduar një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën dyshohet se ia kishte shitur një personi tjetër.

Lidhur me këtë hetim  janë intervistuar edhe gjashtë persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Shitblerja e armëve”. Hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.

IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

#

Continue Reading

Ferizaj

Gjendet personi i raportuar i zhdukur në Ferizaj

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është gjetur ferizajasi i raportuar i zhdukur  më 10 nëntor 2026.

Sipas njoftimit, personi i zhdukur është gjetur në Prishtinë,  në gjendje të mirë shëndetësore.

“Me datën 11.11.2026, në stacionin policor në Ferizaj është raportuar zhdukja e personit M. O.(31 vjeç), i cili, sipas familjarëve, ishte larguar nga shtëpia me datën 10.11.2026 dhe nuk ishte kthyer.

Pas katër ditësh kërkimi, më 15.11.2026, rreth orës 01:30, personi i raportuar i zhdukur është gjetur në Prishtinë, në gjendje të mirë shëndetësore dhe më pas është kthyer në shtëpi.

Për rastin është njoftuar Sektori Rajonal i Hetimeve dhe prokurori i rastit, të cilët po e trajtojnë rastin,”  thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Trending