Connect with us

Kosovë

Rriten çmimet e patundshmërive në Kosovë

Published

on

Rritja e çmimeve të produkteve të ndërtimit ka rritur çmimin e patundshmërive në Kosovë duke bërë që fuqia blerëse të bjerë.

Vetëm gjatë këtij viti, sipas disa agjencive të patundshmërive dhe kompanive të ndërtimit, çmimi për metër katror për banesa është rritur deri në 200 euro.

Mesatarja e çmimit të banesave në Kosovë, sipas tyre, është rreth 1000 euro për metër katror.

Në vitin 2021, mesatarja e çmimit të banesave, thonë ata, ka qenë 800 euro.

“Secili ndërtues është duke e rritur çmimin e banesave në logjikën sa është rritur materiali që e ndërton ndërtesën”, thotë Meriton Cana nga një agjenci për patundshmëri në Prishtinë.

Metri katror në Prishtinë mesatarisht 1.300 euro

Në Prishtinë ku edhe ka ndërtime më të mëdha të ndërtesave të banimit, çmimet janë më të shtrenjtat, ndërkaq Fushë Kosova është qyteti me çmimet më të lira.

Faton Hoxha, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë thotë se vetëm në Prishtinë mesatarja e çmimit të banesave nga 1.070, sa ka qenë në vitin 2021, aktualisht është rreth 1300 euro.

Hoxha shton se rritja e çmimeve është vërejtur edhe në qytete të tjera të Kosovës, siç janë Prizreni, Gjakova, Gjilani e Ferizaj, ku çmimi për metër katror është nga 700 deri në 900 euro.

Në Fushë Kosovë, shton Hoxha, metri katror i banesave në vitin 2021 ka qenë 550 euro, tani është rreth 700 euro.

Hoxha shton se nuk mund të parashihet rënie apo rritje e çmimit, pasi që ka lëvizje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve të ndërtimit.

Ilir Meleqi nga kompania ndërtimore nga Prishtina, BM Group, thotë se në rritjen e çmimit të banesave ka ndikuar shtrenjtimi i produkteve ndërtimore për 50 për qind, siç janë betoni dhe hekuri.

Ai, po ashtu, shton se rritja e çmimit të banesave ka ndikuar në uljen e fuqisë blerëse.

“Nëse e krahasojmë muajin qershor të këtij viti me vitin e kaluar, shitja e banesave ka rënë për 70 për qind. Në muajt e verës kur diaspora vjen në Kosovë, çdo vit ka shumë shitje, këtë vit ka rënë. Interesim ka pasur, por blerje jo”, thotë ai.

Rënien e shitjes së banesave e thotë edhe Meriton Cana nga agjencia e patundshmërive ANEM.

“Njerëzit interesohen për të blerë, po jo me çmimet që janë në treg”, thotë Cana.

Disa punëtorë duke punuar në ndërtimin e një banese në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Çka po ndikon në rritjen e çmimit?

Kostoja e ndërtimit pritet të rritet edhe më shumë pas paralajmërimit për rritje të çmimit të çimentos.

Çimentoja është një nga materialet më të përdorura ndërtimore në Kosovë.

Çmimi i këtij produkti, vetëm gjatë këtij viti, sipas përfaqësuesve të kompanive të prodhimit të betonit, është rritur tri herë.

Paralajmërimi edhe për një rritje të çmimit të këtij produkti ka shtyrë disa kompani të prodhimit të betonit të protestojnë të hënën përpara fabrikës së çimentos ‘Sharrcem’ në Han të Elezit, fabrika e vetme e çimentos në Kosovë.

Naim Mahmutaj, përfaqësues i kompanive të betonit, ka thënë se ‘Sharrcem’ e ka rritur çmimin e çimentos nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro. Ndërsa, nga fabrika ‘Sharrcem’ thonë se kjo kompani është prekur rëndë nga rritja e kostove të energjisë.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Skënder Krasniqi, njëherësh përfaqësues i organizatës joqeveritare Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e ngritjes së çmimit të çimentos duhet të adresohet urgjentisht nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Qeveria duhet të ndërhyjë, ashtu siç ka bërë te derivatet e naftës, kur vendosi tavan”, thotë Krasniqi.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga MINT-i rreth rritjes së çmimeve dhe hapat që do të merren karshi kësaj situatë, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Diaspora – blerësja më e madhe e patundshmërive

Diaspora e Kosovës zë vendin me nivelin më të lartë të investimeve të huaja që kryesisht bëhen në patundshmëri.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja direkte në Kosovë në vitin 2021 kanë pasur vlerën e mbi 400 milionë eurove.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të ASK-së, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë më shumë se 850 mijë banorë.

Investimet e huaja në sektorin e patundshmërisë, sipas BQK-së pothuajse dyfishuan pjesëmarrjen nga 58.2 në 2020, për qind në 92.6 pёr qind në vitin 2021.

Por, ky mekanizëm financiar ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe pasigurisë në lëvizjen e çmimeve.

Sipas këtij institucioni, në tremujorin e tretë të këtij viti, përkeqësimi i situatës në sektorin e ndërtimit dhe patundshmërive do të jetë më evident për shkak të pasigurive rreth sjelljes së diasporës kosovare dhe efektit të tyre të lartë në ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e fundit të vitit 2021, materialet ndërtimore kanë shënuar rritje për mbi 20 për qind./REL

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Mbrojta paralajmëron apelim të vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Avokatët mbrojtës të ish-drejtuesve të UÇK-së kanë paralajmëruar se do të apelojnë menjëherë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata u shprehën thellësisht të befasuar dhe të indinjuar me dënimet e dhëna, pasi sipas tyre, trupi gjykues nuk i morri parasysh të dhënat, faktet dhe dëshmitarët e ekipeve mbrojtëse.

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.

Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.

“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit duke bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.

Dënimet e shqiptuara sot nga specialja me të madhe u kundërshtuan nga qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit ligjor të të akuzuarve, krerët e institucioneve dhe të partive politike, duke e vlerësuar vendimin dënues si goditje të rëndë për Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare.

Continue Reading

Kosovë

Policia paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve të rrejshme

Published

on

Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës.

Një mesazh i tillë i rremë, kinse për konfiskim të pajisjeve kompjuterike dhe hetim lidhur me krimet për pornografi të fëmijëve me kërkesë për paraqitje para organeve të drejtësisë është hasur në qarkullim nga zyrtarët e policisë.  

Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t’iu përgjigjen kërkesave të tilla.

“Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

#

Continue Reading

Trending