Connect with us

Botë

Bie çmimi i benzinës në ShBA

Published

on

Konsumatorët amerikanë mund të marrin frymë më lirshëm pasi çmimet e benzinës kanë filluan të bien, teksa më herët ishin shënuar nivele rekorde. Por, çmimet në pompat e benzinës ende janë të larta dhe rënia dymujore e çmimeve mund të jetë drejt fundit.

Çmimi mesatar në nivel vendi për një gallon benzinë (3.78 litra) ra në 3.99 dollarë të enjten, tha Shoqata Amerikane e Automobilizmit. Kjo shifër paraqet një rënie prej 20 për qind krahasuar me muajin qershor, dhe për herë të parë që nga marsi, çmimi mesatar i benzinës ka rënë nën 4 dollarë.

Çmimet e benzinës zakonisht rriten dhe bien dhe çmimet e naftës dhe të naftës së papërpunuar po ashtu kanë filluar të bien. Çmimi standard në SHBA ka rënë pothuajse për një të katërtën që nga fillimi i qershorit.

Por, ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në ngritjen e uljen e çmimeve të energjisë gjatë këtij viti.

Çfarë po ndodh?

Çmimet e benzinës shënuan rekord prej 5.02 dollarë më 14 qershor. Në atë kohë, nafta e papërpunuar amerikane ishte rreth 120 dollarë për fuçi dhe çmimi standard ndërkombëtar ishte disa dollarë më i lartë. Që atëherë, megjithatë, çmimet e naftës kanë rënë.

Çmimet e naftës janë rritur që nga prilli i vitit 2020, teksa kompanitë në mbarë botën nisën rimëkëmbjen nga pandemia dhe nisën të rihapen. Kërkesa për energji tejkaloi furnizimet, duke bërë përgjatë gjithë vitit 2021 dhe në fillim të këtij viti çmimet të ishin të larta. Më pas, në fund të shkurtit, pushtimi rus i Ukrainës nxiti rritjen e çmimit të naftës dhe çmimi qëndroi i lartë për këtë produkt deri në qershor. Megjithatë, rritja e shënuar gjatë këtij viti nuk ishte aq e lartë sa çmimet që ishin më 2008, nëse llogaritet edhe inflacioni.

Pse po ndodh kjo?

Çmimet e larta të energjisë kontribuuan edhe në rritjen e inflacionit në SHBA, që detyroi Rezervën Federale dhe bankat e tjera qendrore të rrisnin normat e interesit. Po ashtu, javëve të fundit janë rritur shqetësimet lidhur me drejtimin në të cilin po shkon ekonomia botërore.

Një recension – apo edhe një rritje e ngadalshme ekonomike – ndikon në kërkesën për energji dhe zakonisht bën që çmimet e naftës të bien. Dhe këtij skenari tani po i frikësohen investitorët në sektorin e naftës.

Edhe nëse çmimet vazhdojnë të bien, Organizata e Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC), tha më 11 gusht se ka ulur parashikimin për kërkesën e naftës në botë për pjesën e mbetur të këtij viti dhe vitin e ardhshëm.

Kjo organizatë i bazoi këto pritje në besimin se rritja ekonomike në SHBA, Kinë dhe shtete të tjera kyçe do të jetë më e ngadalshme sesa parashikimet paraprake.

Cilët janë faktorët e tjerë?

Është e pazakonshme që çmimet e benzinës të bien gjatë verës sepse në këtë periudhë ka më së shumti trafik në Shtetet e Bashkuara. Disa analistë besojnë se çmimet e larta kanë ndikuar që shoferët të përdorin më pak makinat e tyre, por nuk ka dëshmi të forta për të mbështetur këtë pretendim.

Disa shtete kanë pezulluar taksat e tyre për benzinën, duke ulur çmimin e këtij produkti për konsumatorët, të paktën përkohësisht.

Ku po shkojnë çmimet e benzinës?

Shumica e analistëve nuk mendojnë se çmimet do të rriten në një periudhë të shkurtër kohore dhe sipas tyre kjo mund të ndodhë nëse ka ndonjë ngjarje të papritur që do të mund të godiste prodhimin e naftës në Gjirin e Meksikës apo edhe vërshime në rafineritë e naftës. Këto kanë ndodhur edhe më herët dhe tani shteti po bëhet gati për sezonin e uraganeve.

Patrick De Haan, analist në GasBuddy, tha gjatë kësaj jave se nëse sezoni i uraganeve nuk do të godasë prodhimin e karburanteve, atëherë çmimet e benzinës duhet të bien për 10 deri në 25 centë për galon gjatë javëve në vijim.

Ndërkaq, Tom Kloza, analist në Shërbimin për informacione të çmimin e naftës, është më pak optimist. Ai tha se periudha 58-ditore e çmimeve të ulëta të benzinës, mund të mos vazhdojë më.

Përveç rrezikut nga uraganet, Kloza tha se rafineritë – që po operojnë me kapacitete të plota – duhet të ngadalësojnë operimin pasi do të duhet t’i nënshtrohen edhe mirëmbajtjes dhe mirëmbajtja mund të zgjasë.

Çfarë po ndodh me furnizimet e naftës në SHBA?

Industria e prodhimit të naftës amerikane ende nuk është rimëkëmbur plotësisht dhe nuk është rikthyer në nivelet e prodhimit që ishin para pandemisë. Prodhimi është 4.5 për qind më i ulët krahasuar me vitin 2019, thuhet në të dhënat e fundit të Qeverisë amerikane që janë publikuar në muajin maj.

Kloza tha se “edhe ata që e kundërshtojnë Bidenin duhet ta pranojnë se futja në treg e mbi 150 milionë fuçive të naftës së papërpunuar nga rezervat strategjike, ka dhënë rezultate”, por ai shtoi se është e paqartë se çfarë do të ndodhë kur këto fuçi nafte do të harxhohen më vonë gjatë këtij viti.

Cili është roli i energjisë në inflacion?

Çmimet e larta për energji dhe ushqim kanë qenë kontribuuesit kryesorë në inflacion. Ka disa mënyra se si kanë ndikuar këta dy komponentë. Kur çmimet e benzinës nisën të bien në korrik, ky fakt nisi të ndihmonte në lehtësimin e inflacionit.

Por, çmimet e benzinës në korrik ishin 28 për qind më të larta sesa më herët gjatë këtij viti, që nxitën që inflacioni të arrinte në 8.5 për qind./AP, REL

Botë

Trump i bën thirrje Iranit të bëjë marrëveshje “para se të bëhet tepër vonë”, pas sulmeve izraelite

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka paralajmëruar të premten Iranin se duhet të bëjë marrëveshje për programin e vet bërthamor “para se të jetë tepër vonë”, pak orë pasi Izraeli bombardoi objektet bërthamore iraniane si dhe ato ushtarake në të gjithë vendin, duke i vrarë një gjeneral të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë ushtarakë.

Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.

Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

“Ende ka kohë që kjo kasaphane… të përfundojë”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.

“Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet asgjë, dhe ta shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane… THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”, tha ai.

Më vonë, në një intervistë për ABC News, Trump tha se Irani “u godit aq fort sa mund të goditet. Dhe, pritet edhe më shumë, shumë më tepër”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.

“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.

“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.

SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Bombardimet ndodhen në prag të një rundi të ri bisedimesh bërthamore mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman.

Gjatë javës, Irani e hodhi poshtë zyrtarisht propozimin e Uashingtonit për një marrëveshje, duke e quajtur atë “të papranueshme” dhe të mangët në çështje kyçe, sidomos sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike dhe njohjes së të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit në tokën e vet.

Teherani kishte thënë se së shpejti do ta dorëzonte një kundërpropozim përmes Omanit, një plan që e përshkruan si “të arsyeshëm, logjik dhe të baraspeshuar” dhe që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta marrin seriozisht.

Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

/Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Papa i ri është amerikani Robert Prevost  

Published

on

Kardinalët katolikë kanë zgjedhur kardinalin Robert Prevost nga SHBA, si pasardhës të Papa Françeskut, teksa të enjten u pa tym i bardhë duke dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine, disa minuta pas orës 18:00, pas votimit të tretë në konklavë.

Papa i ri, Robert Francis Prevost, do të njihet si Papa Leo XIV dhe është amerikani i parë i zgjedhur si papë.

133 kardinalë nga 70 vende, tash e dy ditë, ishin mbledhur në Kapelën Sistine të Vatikanit për të votuar për kryesuesin e 267-të, të rreth 1.4 miliardë katolikëve të botës.

Gjatë konklavës, kardinalëve iu ndalua komunikimi me botën e jashtme dhe Vatikani ndërmori masa të teknologjisë së lartë për të siguruar fshehtësinë, duke përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet për të parandaluar përgjimin.

Papa Leo XIV-të do ta zëvendësojë Papa Françeskun, i cili i cili ndërroi jetë muajin e kaluar.

Continue Reading

Botë

Bill Gates do t’i dhurojë 200 miliardë dollarë për më të varfrit deri në vitin 2045

Published

on

Bill Gates premtoi të enjten se do ta dhurojë pothuajse të gjithë pasurinë e tij personale gjatë dy dekadave të ardhshme. Siç tha, rreth 200 miliardë dollarë do të shkojnë për më të varfrit e botës përmes fondacionit të tij, në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po shkurtojnë ndihmën ndërkombëtare.

Filantropi 69-vjeçar dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it tha se po përshpejton planet për të ndarë pasurinë dhe për ta mbyllur Fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.

“Njerëzit do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdes, por jam i vendosur që ‘vdiq i pasur’ të mos jetë njëra prej tyre”, shkroi Gates në një postim në faqen e tij të internetit.

“Ka shumë probleme urgjente që duhen zgjidhur për të mbajtur burime që mund të ndihmojnë njerëzit”, theksoi ai.

Në një kritikë të tërthortë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për shkurtimet në ndihmën e jashtme të Shteteve të Bashkuara – donatori më i madh në botë – Gates tha se dëshiron të ndihmojë në parandalimin e vdekjeve të foshnjave, fëmijëve dhe nënave nga shkaqe të shmangshme, të luftojë sëmundje si poliomieliti, malaria dhe fruthi, dhe të reduktojë varfërinë.

“Është e paqartë nëse vendet më të pasura të botës do të vazhdojnë të mbrojnë më të varfrit”, shtoi ai, duke përmendur shkurtimet e ndihmave edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Gates theksoi se, pavarësisht buxhetit të madh të fondacionit, përparimi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverive.

Ai vlerësoi reagimin e disa vendeve afrikane ndaj shkurtimit të ndihmave, të cilat kanë rialokuar buxhetet e tyre, por theksoi se, për shembull, poliomieliti nuk mund të çrrënjoset pa financimin nga SHBA.

Gates e bëri njoftimin me rastin e 25-vjetorit të themelimit të fondacionit, të cilin e krijoi në vitin 2000 me ish-bashkëshorten e tij, Melinda French Gates, dhe më vonë iu bashkua investitori Warren Buffett.

“Kam ardhur shumë larg që nga koha kur isha një djalë që nisja një kompani software-i me shokun tim nga shkolla e mesme”, tha ai.

Që nga krijimi, fondacioni ka dhuruar 100 miliardë dollarë, duke ndihmuar në shpëtimin e miliona jetëve dhe mbështetur iniciativa si grupi për vaksinim Gavi dhe Fondi Global për Luftimin e HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries.

Sipas Gates, fondacioni do të mbyllet pasi të ketë shpenzuar rreth 99% të pasurisë së tij personale. Fillimisht, themeluesit kishin parashikuar që fondacioni të vazhdonte për disa dekada pas vdekjes së tyre.

Gates, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 108 miliardë dollarë, pret që fondacioni të shpenzojë rreth 200 miliardë dollarë deri në vitin 2045, me shifrën përfundimtare që do të varet nga tregjet dhe inflacioni.

Fondacioni tashmë është një nga aktorët më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë globale, me një buxhet vjetor që pritet të arrijë në 9 miliardë dollarë deri në vitin 2026.

Ai ka përballuar kritika për fuqinë dhe ndikimin e tepërt në këtë fushë, pa llogaridhënie të mjaftueshme – përfshirë edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Gates ka qenë gjithashtu objekt i teorive të konspiracionit, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19.

Ai ka zhvilluar disa biseda me presidentin Trump muajt e fundit lidhur me rëndësinë e vazhdimit të investimeve në shëndetin global. “Shpresoj që edhe njerëzit e tjerë të pasur të mendojnë se sa shumë mund të përshpejtojnë përparimin për më të varfrit e botës, nëse rrisin ritmin dhe shkallën e dhurimeve të tyre, sepse është një mënyrë jashtëzakonisht e fuqishme për t’i dhënë diçka pas shoqërisë”, shkroi Gates. / Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending