Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media bëri të ditur planin e punës të Qeverisë së Unitetit Kombëtar, që LDK e sheh si zgjidhje për krizën aktuale politike.
Teksa shpalosi 15 pika të propozuara si kryesore të agjendës së kësaj qeverie transitore, Abdixhiku tha se Kosova është në krizë politike, institucionale dhe krizë legjitimiteti, pasi nuk kemi kuvend funksional, nuk kemi qeveri legjitime dhe se asnjë grupim politik nuk i ka numrat për të krijuar qeverinë.
Sipas tij, kjo qeveri do të kishte mandat kalimtar deri në zgjedhjen e presidentit.
“Unë po prezantoj një agjendë, thirrje për unitet, jo për një koalicion bashkëqeverisës, por për një gjendje dalëse emergjente, të dobishme për Republikën e Kosovës. Mund të mos jetë më e mira, natyrisht se mundet më mirë sepse Kosovës i duhet opozita. Por para se t’i duhet opozita, i duhet Qeveria”, ka deklaruar Abdixhiku.
Agjenda 15 pikëshe e propozuar nga LDK:
1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi I plotë I bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.
2. Dakordimi I plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.
3. Pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike dhe heqja e Tvsh-së për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.
4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nis projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.
5. Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi I besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet I Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për Dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 viteve të qeverisjes.
6. Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.
7. Vetingu në sistemin e drejtësisë.
8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.
9. Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.
10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.
11. Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.
12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.
13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.
14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.
15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule