Connect with us

Kosovë

Dy të arrestuar lidhur me rënien e çatisë së ndërtesës të Komunës së Prishtinës

Published

on

Dy persona të dyshuar janë arrestuar lidhur me rënien e çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Më 18 janar, çatia e objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës kishte rënë. Nga ky incident u lëndua rëndë një qytetare e Kosovës dhe gjendja shëndetësore e saj, sipas njoftimit “mbetet kritike”.

“Sot [22 janar] me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i kompanisë punuese për vendpunishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, u tha në njoftim.

Autoritetet gjyqësore po ashtu njoftuan se kanë angazhuar ekspert gjyqësor në fushën e ndërtimtarisë “në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante”.

Më herët gjatë 22 janarit, përmes një konference për media, nga Komuna e Prishtinës u prezantua një raport lidhur me rrëzimin e çatisë.

Ekspertët e angazhuar nga komuna gjetën se ka pasur shkelje gjatë ndërtimit të kulmit.

“Është vërejtur se nuk është ekzekutuar asnjë ankerim i brinakeve, por ato vetëm janë mbështetur mbi murin e jashtëm. Kjo është arsyeja kryesore pse erërat e forta disa herë e kanë dëmtuar këtë kulm. Konstruksioni isekondar apo brinaket, përpos që nuk janë ankeruar me fileta metalike për murin perimetrik [traun nga betoni i armuar] ato në shumicën dërmuese të rasteve janë kapur me gozhda dhe jo fileta apo profile adekuate metalike sipas normave”, u tha në raportin e ekspertëve.

Gruaja e re që u lëndua më 18 janar ende gjendet në mjekim intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

/REL/

Kosovë

Mbeten të ngujuar disa minatorë të Trepçës

Published

on

Rreth 18 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar në minierë, si shkak i problemeve me rrymë.

Minatorët mbetën të ngujuar që pas mesnatës, kur rreth orës 1:30, u shfaqën problemet me energji elektrike, transmeton Ekonomia Online.

Pjesa më e madhe e grupit, nga rreth 50 sish sa ishin brenda në minierë, kanë arritur të dalin përmes daljeve dytësore.

Sipas kryetarit të sindikatës së minatorëve, Sadik Jonuzi, gjendja e minatorëve të ngujuar tash për tash është e mirë, por që në rast të qëndrimit më të gjatë mund edhe të përkeqësohet.

Continue Reading

Kosovë

Supremja e shfuqizon një udhëzim që detyronte shoqëruesit e pacientëve në QKUK të paguanin tarifë

Published

on

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar si të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i detyronte shoqëruesit e pacientëve në spitalin më të madh publik të Kosovës të paguanin një tarifë prej 3 eurove për t’iu qëndruar atyre pranë.

Në një njoftim për media të mërkurën, gjykata tha se Ministria përmes këtij udhëzimi më 2024 kishte tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke e krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, dhe në kundërshtim me parimin e legalitetit.

Shumë kosovarë detyrohen t’i shoqërojnë të afërmit e tyre të sëmurë gjatë qëndrimit në spital, për shkak se sistemi shëndetësor vazhdon të përballet me trysi si pasojë e burimeve të kufizuara dhe emigrimit të stafit mjekësor.

Disa qytetarë me të cilët kishte folur Radio Evropa e Lirë në fund të shkurtit, ishin ankuar për barrë të dyfishtë, të kujdesit dhe të pagesës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Mesatarisht, rreth 300 infermierë largohen çdo vit nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të pagave më të larta dhe kushteve më të mira të punës.

Me largime të tilla janë përballur edhe spitalet rajonale të Kosovës.

Largimet i kanë kufizuar kapacitetet e sistemit dhe ka rritur barrën mbi stafin e mbetur, por, në mënyrë indirekte, edhe mbi familjarët e pacientëve.

Vendimi i Supremes të mërkurën vjen pas një padie të ushtruar nga organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.

IKD-ja e kontestoi në gjykatë ligjshmërinë e dispozitave të udhëzimit administrativ përmes të cilave ishte përcaktuar pagesa prej 3 eurove për çdo ditë qëndrimi në spital për secilin shoqërues të pacientëve mbi moshën 15-vjeçare.

Në ankesë, IKD-ja kishte argumentuar se Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si mjet financiar që paguhet për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato shërbime, ndërsa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore, pasi ai nuk i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe nuk përfiton shërbime diagnostike, terapeutike apo rehabilituese.

Supremja tha se, pas shqyrtimit të provave dhe të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, ka ardhur në përfundim se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.

Gjykata vendosi se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, pra jo edhe ndaj shoqëruesve të pacientëve.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në vendim.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Vjosa Osmani bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente

Published

on

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me vota unanime, miratoi propozimin e marrëveshjes me Vjosa Osmanin për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në takimin e sotëm, u vendos që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër derisa Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës së deputetëve dhe njëkohësisht do të jetë  edhe kandidate për presidente.

Ish-presidentes Osmani do t’i takojnë gjithsej 20 emra për deputetë brenda listë së LDK-së.

Ceremonia e zyrtarizmit të kësaj marrëveshjeje për bashkim, do të bëhet të dielën në orën 18:00, njoftoi Abdixhiku duke shtuar se në listën e plotë do të përfshihen figura që mund të kontribuojnë në stabilitetin politik si përpjekje për rikthim të ekuilibrit institucional në vend.

Vjosa Osmani ishte ndër figurat më të votuara të LDK-së dhe kandidate e kësaj partie për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019.  Ndarja e saj me strukturat e LDK-së erdhi pas rrëzimit të qeverisë Kurti 1, kur në vitin 2020, ajo formoi partinë e saj, Listën Guxo, që më pas në zgjedhjet e vitit 2021, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, fituan mbi 51% të votave.  Asokohe, si pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës.

Continue Reading

Trending