Connect with us

Kosovë

Tërmet në Shqipëri me magnitudë 4.6 të shkallës së Rihterit

Published

on

Një tërmet e ka tronditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas Qendrës Europiane Sizmologjike lëkundjet që u regjistruan në orën 00:42 kanë qenë me magnitudë 4.6 të shkallës së Rihterit dhe me epiqendër në detin Adriatik, 35 km nga Durrësi.

Thellësia raportohet 6.5 km, ndërsa nuk ka pasur pas goditje.

Tërmeti është ndier edhe në Lezhë, Laç dhe Fushë Krujë, ndërsa ka shkaktuar panik te banorët kryesisht në zonat përreth Durrësit.

Kosovë

Qeveria e Kosovës nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës

Published

on

Procesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare – do të fillojë në pasditen e 1 korrikut, ka bërë të ditur Qeveria në detyrë.

Gurthemelet e dy urave të reja, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, do të vendosen të martën, në orën 17:00.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Qeveria në detyrë e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave është iniciuar me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.

Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.

Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:

“Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”.

Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.

Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.

Një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.

Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, ka thënë Millunoviq.

“Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, është shprehur ai për Radion Evropa e Lirë.

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka thënë se mbështet çdo ndërtim urash, pasi ato janë simbol i lidhjes mes njerëzve, kulturave dhe dallimeve, por ka shtuar se për momentin, ka çështje më me prioritet për t’u trajtuar.

Qyteti i Mitrovicës u nda në periudhën e pasluftës, ndërsa në vitin 2013 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna: Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare, dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe.

Në mes të qershorit të 2025-tës u formua edhe një bord i përbashkët i këtyre dy komunave, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim “përafrimin e qytetarëve”.

Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare.

Misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR – ushtarët e të cilit janë të stacionuar në urën kryesore mbi lumin Ibër – kishte thënë atëkohë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret brenda kornizës së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ka rrezik real nga hapja e urës në Mitrovicë, i cili mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më pas se Qeveria e tij do t’i vazhdonte konsultimet dhe koordinimin në lidhje me hapjen e urës, duke theksuar se kjo çështje nuk është e drejtuar kundër askujt.

Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.

Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.

Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.

\ Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Deputetët shënuan dështimin “Jubilar” të konstituimit të Kuvendit

Published

on

Sot u regjistrua dështimi i 40-të i përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Edhe në vazhdimin e tretë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk arritën konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi me vetëm 51 vota për, nuk kaloi propozimi për krijimin e komisionit për votim të fshehtë.  

Krijimi i këtij komisioni është “molla e sherrit” për vazhdimin e kësaj seance, pasi Lëvizja Vetëvendosje thotë se aktgjykimi i Kushtetueses nuk e ndalon votimin e fshehtë dhe se mosvotimi nga deputetët e partive tjera paraqet shkelje të Kushtetutës.

Në anën tjetër, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së thonë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kalimi në votim të fshehtë është shkelje.

Sidoqoftë, puna në Kuvend ka ngecur derisa me aktgjykimin e Kushtetueses, deputetët obligohen që brenda 30 ditësh të konstituojnë organin legjislativ.

Ky afat skadon më 26 korrik ndërsa vazhdimi i radhës është thirrur më 3 korrik, në orën 11:00.

Continue Reading

Kosovë

Kush janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë që u panë pranë Presidencës së Serbisë?

Published

on

Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit – ose së paku një prej tyre – dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.

Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.

Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.

Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.

Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile. Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.

Dy protesta me qëllime të kundërta

Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.

Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 140.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe largimin e të ashtuquajturit “Qacillend”.

Fjala është për një kamp me tenda, që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.

Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.

Në kamp janë vendosur disa studentë që “duan të mësojnë” dhe që kërkojnë rihapjen e fakulteteve, të bllokuara tash e shtatë muaj nga studentët protestues.

Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.

Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe” – një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.

Me kalimin e kohës, zona u rrethua me gardhe metalike dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë.

Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.

Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.

Mes tyre ishte edhe Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli orlovi”, dhe Goran Radosavleviq Guri, ish-gjeneral i policisë, i cili është i lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi – dy shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova – në vitin 1999.

Por, ata nuk ishin të vetmit.

Të rinjtë me këmisha jeshile

Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Aktakuza u ngrit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.

Radoiçiq dhe disa anëtarë të grupit që kreu sulmin, pas përleshjeve të armatosura, u tërhoqën në territorin e Serbisë.

Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.

Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.

Vuçetiq, përndryshe, ka një profil të hapur në Facebook, ku shpesh poston fotografi me familjen, nga palestra apo kafeneja.

Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it – një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012, për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.

Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.

Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.

Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon

Për pretendimet se në grup gjendeshin edhe tre persona të tjerë të kërkuar, Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente dëshmi të pavarura bazuar në mjetet forenzike.

REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët – të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023, me kërkesë të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, duhet të ekstradohen në Kosovë. “Tani, të njëjtët njerëz janë më afër presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] sesa sigurimi i tij. Kjo tregon se kishim të drejtë kur thamë se ky grup kriminal dhe terrorist udhëhiqet dhe financohet nga Beogradi dhe se nuk është një grup huliganësh. Këta janë njerëz që janë trajnuar në Serbi, kanë marrë urdhra nga atje dhe kanë kryer agresion ndaj Kosovës”, u tha Kurti gazetarëve.

Çfarë thotë aktakuza?

Nga 45 të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë në paraburgim në Kosovë dhe gjykimi i tyre është duke vazhduar.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike.

Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ndodhi sulmi në Banjskë, Radoiçiq siguroi të ardhura në mënyrë indirekte, shumica e të cilave u përdorën për armë të rënda, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesë të pjesëmarrësve në grup.

\Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending