Connect with us

Kosovë

Kurti pas deklaratës së Trumpit: T’i bëhet trysni Beogradit

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023.

Kështu u përgjigj Kurti në pyetjen nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, që tha se po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces.

“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Kurti ishte pyetur lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit.

Atëbotë, ai po ashtu kishte deklaruar se së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel, dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.

“Besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti për gazetarët më 16 qershor.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë që të bëjë një gjë të tillë. Por, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se marrëveshja është obligative për palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.

/Radio Evropa e Lirë

Kosovë

“Marshi për Liri” mbush sheshet në Prishtinë në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale

Published

on

Në Prishtinë sot u zhvillua “Marshi për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një skenë ku u mbajtën fjalime dhe performanca ishte ngritur në sheshin Skënderbeu, i cili ishte mbushur me njerëz, ngjashëm si rrugët që çojnë drejt tij, si sheshi Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës në Kosovë, dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të luftës.

Gjatë fjalimit, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Ai tha se një “proces i padrejtë” do t’i shërbente vetëm Serbisë dhe Rusisë.

“Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se vendimi i 16 shtatorit nuk do të pranohet nëse është “i padrejtë”.

“Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”, tha Hamza.

Para tij, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se katër ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se tani ka ardhur koha që atyre t’u shprehej mirënjohje.

“Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”, tha ai.

Pas përfundimit të marshit, përmes një komunikate për media, edhe Qeveria e Kosovës falënderoi organizatorët e marshit dhe pjesëmarrësit për mesazhin e dërguar.

Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së.

Një prej tubimeve më të mëdha të viteve të fundit u mbajt më 17 shkurt 2026, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mijëra qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ky marsh u mbajt në kohën kur gjykimi në Hagë po i afrohej fundit. Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit në prill 2025, mbrojtja e kishte përfunduar rastin në dhjetor të po atij viti, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026.

Pas kësaj, shpallja e aktgjykimit u shty. Fillimisht ishte paraparë për më herët gjatë vitit, ndërsa në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan se verdikti do të shpallet më 16 shtator, duke e arsyetuar shtyrjen me kompleksitetin e rastit dhe vëllimin e madh të provave.

Në këtë rast, prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

“Marshi për Liri” nis në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë

Published

on

Në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, sot në Prishtinë organizohet “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.

Marshi nis në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë njoftuar se në mesin e folësve do të jenë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, kurse në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati.

Mesazhin e familjeve të dëshmorëve do ta përcjellë Liriona Sylejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sylejmani. Gjithashtu, pjesëmarrësve do t’iu drejtohet edhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës – Calit.

“Marshi për Liri” mbahet katër ditë para shpalljes së aktgjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Organizatorët kanë njoftuar se për të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje nga të gjitha qytetet e Kosovës kanë siguruar transport me autobusë.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se sot transporti urban në kryeqytet do të jetë falas siç do të jetë falas edhe parkingu tek “Pallati i Rinisë”.

Policia e Kosovës bëri të ditur se sot  për shkak të marshit paqësor që do të zhvillohet në sheshet kryesore “Skënderbeu”, “Zahir Pajaziti” dhe “Nëna Terezë”, përkohësisht janë mbyllur për trafik tri rrugë në Prishtinë. Kështu, sipas policisë, për qarkullim janë bllokuar rrugët “Luan Haradinaj”, “Agim Ramadani” dhe rruga “Enver Zymberi”, ndërsa varësisht nga nevojat operative mund të ketë edhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugë të tjera.

Continue Reading

Kosovë

PDK lëshon sallën e Kuvendit pasi LVV nuk ia voton kandidaten për nënkryetare

Published

on

Kuvendi i Kosovës nuk përmbylli konstituimin as në seancën e 11 shtatorit, pasi Partia Demokratike e Kosovës lëshoi sallën plenare për shkak se e propozuara e tyre për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën konstituive dhe shtoi se për vazhdimin e saj, deputetët do të njoftohen me kohë.

Vazhdimi i seancës konstituive nisi me mospajtime lidhur me formën e votimit të nënkryetarëve, por më pas me 71 vota për, u vendos që për pesë nënkryetarët të zhvillohej votim i ndarë.

Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje mori 100 vota dhe u zgjodh në këtë post. Por, Vlora Çitaku arriti të merrte vetëm 44 vota, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas kësaj, Haxhiu kërkoi që PDK të bënte sërish propozim për postin e nënkryetarit, por përveç Mërgim Lushtakut, të gjithë deputetët e PDK-së u larguan nga salla plenare.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke paralajmëruar se më nuk marrin pjesë në seancën konstituive.

“Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë”, tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.

Para se të hidhej në votim emri i Golës, Lëvizja Vetëvendosje tha se do të mbështesë një nga të propozuarit për nënkryetarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, por u mbetet në dorë deputetëve që të zgjedhin se kë të mbështesin.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se mbështet të gjithë të propozuarit e partive, ndërkaq PDK tha se LVV-ja duhet të garantojë konstituimin e Kuvendit.

Diskutimet për mënyrën e votimit të nënkryetarëve

Haxhiu e nisi vazhdimin e seancës konstituive me konsultim me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Më pas, njoftoi se nuk kishte pajtim për votim në pako për nënkryetarët.

“Kisha konsultim të shkurtër me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Duke qenë se nuk ka një dakordim për votim në pako, atëherë forma e vetme është që të votohen veç e veç. Për votim veç e veç ishin dakord të gjitha grupet parlamentare. Prandaj duhet të vazhdojmë me votimin veç e veç” për nënkryetarët, tha Haxhiu.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se pasi nuk ka pajtim për votim në pako, kërkoi që votimi për nënkryetarë të bëhet veç e veç.

Por, Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se nuk ka konsensus për ndryshimin e formës së votimit.

“Aktgjykimi [i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit] thotë që duhet të respektohet praktika e deritanishme parlamentare. Herën e fundit ishte [votimi] në pako. Për t’u ndërruar praktika parlamentare, duhet konsensus. Konsensus nuk ka”, tha ai, duke paralajmëruar se PDK-ja nuk do të votojë nëse ndërrohet forma e votimit “si mjet bllokade”.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi nuk e konteston vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo për propozimet, por duhet të hidhen në votim.

“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se voton në cilëndo formë, por shtoi se “dikush po kërkon të bëhen lojëra”, duke argumentuar se mënyra e votimit të nënkryetarëve është bërë në atë mënyrë që të konstituohet organi ligjvënës.

“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.

Më pas, Nagavci sërish mori fjalën dhe tha se PDK ishte pajtuar për çfarëdo forme të votimit të nënkryetarëve. Por, Gruda u përgjigj se nëse LVV garanton konstituimin e Kuvendit “ne pranojmë çdo formë votimi”.

Më pas, mënyra e zgjedhjes së nënkryetarëve u hodh në votim dhe me 71 vota për u vendos për votimin veç e veç.

Vazhdimi i seancës të së premtes vjen pasi të mërkurën Haxhiu u rizgjodh kryetare, por seanca u shty për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.

Partitë nuk gjetën pajtim se si të votohen nënkryetarët, në pako apo ndaras. Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për Vlora Çitakun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Nagavci tha pas seancës të së mërkurës se LDK-ja dhe PDK-ja po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po mbështesin propozimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.

Sa i përket formulimit të përdorur nga Simiq i Listës Serbe, gjatë seancës të së mërkurës, Haxhiu i kërkoi atij të tërhiqte fjalën dhe të bënte sërish propozimin, duke e cilësuar si jokushtetues këtë shprehje.

“Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92 për qind janë shqiptarë, 4 për qind janë serbë dhe 4 për qind nga komunitetet tjera”, u shpreh Haxhiu.

Deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – edhe më herët kishin përdorur shprehjen “në emër të popullit serb” gjatë deklarimeve në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, Bekim Sejdiu është propozuar për postin e presidentit nga LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe LDK-ja e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku. Por, gjashtë deputetë – nga 18 sa ka LDK-ja në këtë legjislaturë – kanë thënë se nuk kanë votë për të.

PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe Lista Serbe, pas seancës të së mërkurës e akuzuan LVV-në për zvarritje të procesit të krijimit të institucioneve të reja.

Aleanca, ndërkaq, nuk mori pjesë fare, duke argumentuar se janë tejkaluar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët. Me konstituimin e Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit.

LVV-ja, së bashku me partitë e komuniteteve joserbe kanë vota të mjaftueshme për të zgjedhur një ekzekutiv të ri.

Megjithatë, 53 votat e LVV-së, dhe 12 – ashtu siç ka deklaruar Abdixhiku – të LDK-së, si dhe ato të pakicave joserbe janë të pamjaftueshme për të zgjedhur një president të ri.

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për presidentin, që nga shkurti i vitit 2025.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending