Connect with us

Kosovë

Osmani: Kuvendi nuk mund të bllokohet për një nënkryetar

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Osmani tregoi se sapo i ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ankesën e partisë më të madhe të serbëve për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

Ajo shtoi se “po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar”.

“Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, theksoi ajo.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë – që do të jetë në fuqi deri më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Basha e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë.

Në fillim të këtij muaji, Presidenca tha se ekipi ligjor i presidentes po e bënte një analizë lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa Osmani tha ditë më parë se në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit, do të vepronte “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.

Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.

“Për të mos lejuar që të ketë veprime të mëtutjeshme procedurale nga aktorët përkatës – rrjedhimisht nga deputetët e Kuvendit dhe nga presidentja e shtetit”, thotë Bugaqku për REL më 5 shtator.

Vendimi i Kushtetueses u kritikua si i “njëanshëm” nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.

Dy ditë pas vendimit të gjykatës, Vetëvendosje e propozoi përsëri Kurtin për kryeministër të vendit.

Edhe vetë Kurti e kritikoi Gjykatën Kushtetuese për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

Kurti e ka quajtur të paarsyeshme masën e marrë nga Kushtetuesja. “Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, tha Kurti të dielën kur u propozua nga partia për kryeministër.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, nominoi Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke ia dërguar emrin Senatit amerikan për konfirmim.

Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, më 10 nëntor.

Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Kush është Mikhail Bogachek?

Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.

OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.

Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.

Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.

Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.

Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.

Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.

Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.

Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.

Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.

SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Kosovë

Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, ish-partnerit të së ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra me 18 maj të vitit 2011.

Aktakuza në mungesë është ngritur më 22 tetor të këtij viti, pasi i akuzuari ndodhej në Spanjë e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj autoritetet e kishin të pamundur ekstradimin e tij.

Sipas aktakuzës, fillimisht viktima ka raportuar tek autoritetet se nga ish-bashkëjetuesi me të cilin kishte një fëmijë, për dy vite kishte përjetuar maltretim fizik dhe psikik.

Më pas, sipas pretendimeve të viktimës, për shkak të kërcënimeve nga i akuzuari ajo kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë urdhër për mbrojtje emergjente. Edhe pse Gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve, kjo kërkesë e viktimës nuk u realizua asnjëherë.

Pas 22 ditësh, saktësisht më 18.05.2011, Dijana Kastrati pretendohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga tashmë i akuzuari Adnan Jashari.

Afërsisht një vit pas rastit, prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me mos veprimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për vendosjen e urdhrit për mbrojtje emergjente, vajzës së tyre i është cenuar e drejta themelore për jetë.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Komunale në Prishtinë kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente. 

Më pas, Gjykata e Apelit e Kosovës vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, si kompensim për dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore.

Continue Reading

Trending