Connect with us

Arbëri

Gjyqtari i Apelit në Tiranë qëllohet për vdekje në sallën e gjyqit

Published

on

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, është qëlluar për vdekje ditën e sotme brenda sallës së gjyqit, ndërsa dy persona të tjerë që ishin palë në proces, Rakip Kurtaj, 65 vjeç dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç, atë e bir, mbetën të plagosur.

I arrestuar është 30-vjeçari, Elvis Shkambi.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se ngjarja ndodhi mesditën e sotme gjatë një procesi gjyqësor për çështje prone.

Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.

Grupi hetimor vijon veprimet nën drejtimin e Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Arbëri

Osmani akuzon Vuçiqin se tentoi ta prishte takimin e Bërdo-Brionit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.

Pas samitit, Osmani tha për transmetuesin publik shqiptar se Vuçiq, iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.

“…natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, tha Osmani, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte shkelur ligjin ndërkombëtar.

Serbia refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron shtetin pjesë të saj.

Gjatë samitit, sipas Osmanit, Vuçiq u ankua edhe për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur në mars të këtij viti.

“Ai [Vuçiq] mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat se gjatë takimit në Durrës kishte pasur përplasje me Osmanin kur u diskutua për integritetin territorial, që sipas tij, çdokush e interpreton siç do.

 “Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Të rrotullohet stomaku dhe të gjithë e dëgjojnë dhe tundin kokën… Prandaj, unë ja kujtova ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, i urova që të ketë më shumë turizëm në jetën e saj dhe kjo ishte”, tha Vuçiq.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të hënën në Durrës të Shqipërisë për Samitin rajonal Bërdo-Brioni, duke zhvilluar bisedime për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur në hapje të seancës plenare të këtij tubimi, presidenti i Shqipërisë si mikpritës i ngjarjes, Bajram Begaj, tha se Tirana e mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian.

“Për, ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE. Duhet të vazhdojmë t’i shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Bërdo-Brionit”, tha Begaj.

Tema e samitit të sivjetshëm ishte “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Takimi u përqendrua në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.

Derisa Kosova ngel vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria ka shënuar përparim të madh kohëve të fundit duke i hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim, me vendet e tjera që kanë ngecur në këtë pikë.

Pas samitit, Osmani tha se procesi i anëtarësimit në BE nuk bazohet në merita, sepse, po të ishte kështu, tha ajo, Kosova “do të ecte shumë përpara dhe tani do të ishim shumë afër anëtarësimit. Por, fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”.

Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, të gjitha vendet e rajonit i kanë pranuar mjetet e para, ndërsa Kosova dhe Bosnja ende jo.

Kosovës po i kushton mungesa e një Kuvendi të ri, pas zgjedhjeve të shkurtit, pasi i duhet ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme fillimisht, ndërsa Bosnja s’e ka dorëzuar ende agjendën e kërkuar të reformave tek autoritetet evropiane.

Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani në këtë samit, ku morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska-Davkova.

Samiti u zhvillua në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, u trajtuan edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Ky samit gjithashtu i solli Osmanin dhe Vuçiqin përballë për herë të parë pas një shkëmbimi akuzash ndaj njëri-tjetrit kohëve të fundit në lidhje me sigurinë në rajon.

Osmani tha në fundjavë se “thirrjet e pamatura” të presidentit serb për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.

Reagimi i Osmanit erdhi pasi Vuçiq tha të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

Edhe Vuçiq po i referohej komenteve të mëparshme të presidentes kosovare kur foli për luftën, pasi javën e kaluar në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani i kishte bërë thirrje Evropës t’i parandalojë “taktikat agresive dhe destabilizuese” të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

Takimi po organizohet nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit, nën udhëheqjen e presidentit shqiptar Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.

Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji

Published

on

Është ndarë nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji.

Sipas mediave shqiptare,  Zheji vdiq pas një sulmi kardiak derisa ishte me pushime me familjen në Sarandë.

Në raportin e cituar të Policisë së Shqipërisë, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në afërsi të një restoranti në rrugën “Butrinti” pasditen e së shtunës. Sipas Policisë, Zheji vdiq gjatë rrugës për në spital.

Artur Zheji ishte një nga figurat më të njohura të medias shqiptare, i angazhuar për dekada si gazetar, analist dhe drejtues emisionesh politike.

Që nga viti 2017, ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë, i cili transmetohej në televizionin ABC News.

Ai u lind më 29 gusht 1961 dhe ishte i biri i autorit Petro Zheji e aktores Besa Imami.

Continue Reading

Arbëri

Tërmeti me magnitudë 3.6 shkallë lëkund Krujën

Published

on

Një tërmet me magnitudë prej 3.6 shkallë të Rihterit ka goditur Krujën me rrethinë, derisa lëkundjen janë ndjerë edhe në Tiranë.

Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare, tërmeti u regjistrua këtë mbrëmje, në orën 18.24 minuta sipas kohës lokale kurse epiqendra e tij ishte 7 kilometra në jug-jugperëndim të Krujës, respektivisht rreth 16 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Paraprakisht, një lëkundje tjetër me intensitet më të ulët, prej 2.2 shkallë të Rihterit u regjistrua në orën 16:14.

Nuk ka ndonjë raportim për dëmet eventuale.

Continue Reading

Trending