Connect with us

Arbëri

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kush, ku fitoi?

Published

on

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.

Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe.

“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai tha se është i kënaqur, pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.

Mickoski gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”

Opozitarja LSDM pësoi edhe një humbje pas zgjedhjeve të vitit të kaluar – atyre parlamentare dhe presidenciale.

Megjithatë, partia vlerësoi se rezultati nuk është i keq, pasi këtë herë ka fituar më shumë vota në disa komuna dhe theksoi se ka pasur “shkelje të shumta” gjatë procesit të votimit.

LSDM do të ketë kryetarë komunash në Kriva Pallankë, Bogdanc dhe Krivogashtan, ndërsa pret të kalojë në rundin e dytë në rreth njëzet komuna të tjera.

“Kjo është dëshmi për konsolidimin brenda partisë që ka filluar dhe do ta vazhdojmë,” deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje pas këtyre rezultateve zgjedhore.

VLEN fitoi në Çair dhe Tetovë, ndërsa BDI në Gostivar

Në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në rundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera.

Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.

Anëtarë dhe simpatizantë të VLEN-it e festuan, siç thanë ata, “fitoren bindëse në Çair dhe Tetovë” pranë monumentit të Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë – njoftoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

Ai tha se, në nivel kombëtar, “AKI është fituese absolute me mbi 20.000 vota epërsi, dhe me votat që ende po përpunohen, kjo diferencë mund të jetë edhe më e madhe.”

Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa shkelje të mëdha. Pritshmëritë e qytetarëve janë të ngjashme – një jetë më e mirë në komuna më funksionale.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 18:30 pjesëmarrja e votuesve ishte 46,48 për qind, çka është afër nivelit të rundit të parë të zgjedhjeve të mëparshme, kur kishte arritur 51,44 për qind.

Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë.

Për 81 poste të kryetarëve të komunave garuan 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshillat komunalë konkurruan mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.

Një veçori e këtyre zgjedhjeve është se meshkujt dominojnë në garën për kryetar komune – 277 kandidatë ose 89,64%, ndërsa gratë janë vetëm 32, që përfaqëson 10,36% të numrit të përgjithshëm.

Buxheti i përgjithshëm që shteti ndau për organizimin e këtyre zgjedhjeve lokale është 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë mjete të destinuara për mediat dhe reklamat politike të paguara.

Rundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për 2 nëntor.

| Radio Evropa e Lirë

Arbëri

Trazirat shpërthejnë përsëri në protestën antiqeveritare në Tiranë

Published

on

Mijëra të rinj shqiptarë u mblodhën të shtunën para Ministrisë së Arsimit, në qendër të Tiranës, në ditën e pestë të një lëvizjeje studentore që po merr hov, kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Protesta u përshkallëzua në dhunë kur një grup të rinjsh të maskuar hodhën gurë drejt policisë së trazirave, e cila u kundërpërgjigj me granata trullosëse, gaz lotsjellës dhe topa uji.

Protesta e sotme u thirr si tubim gjithëpërfshirës kombëtar, ku përveç studentëve dhe gjimnazistëve, pritej të merrnin pjesë edhe qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm nga diaspora.

Protestat kundër korrupsionit dhe mungesës së vendeve të punës kanë nisur të përhapen në mbarë Shqipërinë, por Rama i ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje.

Sipas të dhënave të Policisë, deri më tani janë ndaluar 500 protestues, 330 prej të cilëve janë liruar. Rreth 120 policë dhe 45 protestues janë regjistruar si të lënduar, ndonëse ka të ngjarë që shumë raste të lëndimeve të protestuesve të mos jenë regjistruar.

Avokati i Popullit, Endrit Shabani ka publikuar gjetjet paraprake të monitorimit të kryer gjatë katër ditëve të protestave në vend, duke gjetur shqetësime që lidhen me kushtet e ndalimit, trajtimin e të miturve dhe pretendimet për përdorim të dhunës ndaj personave të privuar nga liria.

Në një deklaratë për mediat, Shabani bëri të ditur se ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë monitoruar situatën në komisariatet nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si dhe në komisariatet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Sipas Avokatit të Popullit, gjatë 72 orëve të fundit janë kontaktuar 214 persona të ndaluar, ndërsa janë zhvilluar intervista konfidenciale me të arrestuar, të shoqëruar, persona të lënduar, mjekë dhe psikologë.

Shabani njoftoi gjithashtu se vetëm në datat 14 dhe 15 tetor, në Spitalin e Traumës kanë marrë shërbim 128 persona, prej të cilëve 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur.

Avokati i Popullit dënoi të gjitha format e dhunës që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit.

“Dënojmë dhunën ndaj policëve. Dënojmë dhunën ndaj protestuesve. Dënojmë dëmtimin e pronës publike dhe të pronës private, përfshirë bizneset”, thuhet në deklaratë.

Cilat janë kërkesat e protestuesve?

Studentët thonë se protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama. Atyre u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme. Mësimi është bojkotuar në universitete në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, si dhe në disa gjimnaze të kryeqytetit.

Ata thonë se janë të zemëruar edhe për shitjen e zonave të paprekura të bregdetit shqiptar për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Trazirat përbëjnë sfidë për Ramën, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar, duke premtuar se do ta udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai synon që vendi të anëtarësohet në BE që në vitin 2028.

Më herët të premten, Rama bëri thirrje për qetësi dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore. Ai nuk i identifikoi ato, por tha se po synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Shqipëria në kaos – Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Published

on

Protesta e studentëve në Shqipëri ka përshkallëzuar ditën e sotme, të tretën me radhë, pasi shumë protestues që janë mbledhur dhe po marshojnë nëpër rrugët e Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Kukësit, Durrësit dhe Elbasanit.

Për dallim nga dita e djeshme, protestës sot i janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazeve dhe studentët nga pothuajse të gjitha universitetet.

Protesta, sipas studentëve, është kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit. Kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.

Ndërkohë, në një përgjigje për Reuters, Rama e ka mohuar mundësinë e dorëheqjes si pasojë e protestave.

Përleshjet më të dhunshme mes protestuesve dhe policisë kanë vazhduar gjatë gjithë kohës në sheshin “Skënderbej’ në Tiranë ku ndodhet dhe godina e bashkisë, e pak metra më tej selia e Partisë Socialiste.  Në tentim për të shpërndarë protestuesit, policia ka përdorur, shkopinjtë, topa uji dhe gaz lotsjellës.

Në Shkodër, lëndime serioze pësoi komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës, Fasli Rama, i cili është dërguar me urgjencë drejt Tiranës pasi u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara policisë së Shkodrës.

Mediat në Shqipëri po transmetojnë direkt pamje nga protesta me pamje ku shihen dëmtime të objekteve dhe institucioneve nga njëra anë si dhe arrestimet e dhunshme dhe brutale të protestuesve përfshirë edhe ato ndaj të miturve. Situata më e rëndë sa i përket dhunës së dyanshme është në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Në një konferencë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha se deri tani kanë mbetur të plagosur 71 punonjës policie. Ai  iu drejtua edhe prindërve, mësuesve dhe pedagogëve, duke kërkuar që të mos lejojnë përfshirjen e të rinjve në akte dhune.

Kurse Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se sipas informacioneve të mbledhura deri në orën 17:50, në Spitalin Universitar të Traumës janë duke u trajtuar dy policë dhe katër protestues të lënduar.

Continue Reading

Arbëri

“Arrest shtëpiak” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shqiptar, Vlora Hyseni

Published

on

Prokuroria e posaçme në Shqipëri (SPAK), ka ngritur kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit Vlora Hysenin, nëN dyshimin për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i ka caktuar Hysenit masën e  sigurisë “arrest shtëpie” edhe pse ajo aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri.

Ndaj saj është vendosur edhe masa e pezullimit nga detyra.

Përndryshe, Vlora Hyseni ka shërbyer për vite me radhë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), si Drejtoreshë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe më pas si Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme, përpara se të shkarkohej nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti në qershor të vitit 2021.

Pas largimit nga Kosova, ajo u zhvendos në Tiranë ku shërbeu si Këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kurse në mars të vitit 2023 ajo u dekretua nga presidenti Bajram Begaj në pozitën e drejtoreshës së  Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ndërkohë, në hetimet në lidhje me dyshimet për vepra të ndryshme penale në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI),  janë duke u zhvilluar edhe ndaj ish-drejtorit të policisë së Shtetit, Ilir Proda, kurse tashmë janë arrestuar edhe një ekspert kriminalistik në Tiranë dhe një pronar biznesi në Durrës.

Ilir Proda ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, derisa u shkarkua nga detyra në mars të vitit 2026.

Sipas mediave shqiptare, mëngjesin e sotëm zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë bastisur disa banesa në Tiranë, përfshirë banesën e Ilir Prodës dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë. Lidhur me këtë rast, më herët janë arrestuar edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj ndërsa në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhet edhe drejtuesja e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj.

Continue Reading

Trending